VENDBANIMI DHE POPULLATA E SLLATINËS DIKUR DHE SOT

0
529

SYRJA ETEMI

Katundi S ll a t i n ë ka shekuj e shekuj që është ulur këmbëkryq këtu nën hijet e freskëta të Sharrit pitoresk, me sofrën shtruar plot me pogaçë të grunjtë nga arrat e bereqetshme të Pollogut të madhërishëm dhe me shtambën mbushur plot me ujë të ftohtë eliksiri nga kajnaqet e Trëndafilta, që grafullojnë nga gjiri i bjeshkëve të stërmoçme e krenare.

Shtrihet në Pollogun e Poshtëm – në territorin e Komunës së Tearcës, në juglindje të rrëzës së Sharrit, 9 km. në juglindje të Tetovës ose 50 km. në perëndim të Shkupit; në veri të Ekuadorit, në 42°04’00”, dhe në lindje të Grinuiçit, në 18°41’ 65”.

Pollogu i Poshtëm në hartën e Maqedonisë

Sllatina ndërmjet Sharrit dhe Malit të Thatë

Kufinjtë e vendbanimeve që i përkasin komunës së Tearcës dhe pozita e Sllatinës në këtë konstelacion: 1.Neproshteni, 2.Varvara, 3.Leshka, 4.Sllatina, 5.Brezna, 6.Tearca, 7.Përshevca, 8.Gllogja, 9.Jelloshniku, 10.Dobroshti, 11.Parca, 12.Odri, 13.Nerashti

Fshati është rrafshinor,në lartësi mbidetare prej 540 m. Atari përfshin hapësirë prej 6.6 km. Ka sipërfaqe toke të punueshme prej 508 ha (hektar).

STRUKTURA MORFOLOGJIKE DHE PËRBËRJA E TOKËS

Zona e distriktit kadastral të Sllatinës është e larmishme, si në aparencë, po ashtu edhe në esencë – për nga përbërja gjeologjike. Kështu, vendi ku shtrihet vendbanimi është rrafshino – kodrinor me luhatje të lartësisë prej 200m. (nga shtëpia më në jug, deri te ajo më veriore, gjegjësisht nga 400 deri 600m. lartësi mbidetare). Menjëherë mbi fshatin ngrihen kodrinat e Sharrit me pamje të butë, me dallgëzime të lehta dhe maja të rrumbullakësuara e të veshura me pyje të dendura dushku, lajthie, ahu etj.

Pamje e malit të Sllatinës nga Rrafshi

Mali që i takon atarit të këtij fshati, në aspektin gjeomorfologjik dallohet, përveç tjerash, edhe me një larushi të madhe shpatijesh e luginash, grykash e pllajash subtile, pjesë të mprehta shkëmbore, brigje e pjerrësira të ulta e të larta, duke filluar që nga “koka” e Sharrit, e deri në “rrafshat” e hapura hijerënda. Një ndër luginat më pitoreske që stolis bjeshkën, malin,madje tërë fshatin dhe fushën

e tij , është shtrati i lumit të Sllatinës. Kjo luginë zë pjesën qendrore të pjerrë-sirave dhe teposhtëzave dhe, që fillon nga bjeshkët, gjegjësisht 1800m. lartësi mbidetare, nën vendin e quajtur Plloçë, për të vazhduar rrëzë Kullave e Gjurzit e Derdhëm.

Pamje e majes më të lartë të bjeshkës së Sllatinës

Përbërja gjeologjike e fushës
Fusha e Sllatinës dhe fqinjëve përreth, kryesisht është tonatinë tektonike e cila në oligomiocen është lëshuar përgjatë rrafshit rrëzë Malit Sharr, kundruall Malit të Thatë. Diku-diku kjo tokë ka edhe paraqitje të burimeve minerale. Paraqitjet e argjilës së irrnosur liqenore dhe mbeturinat e tarracave liqenore flasin qartë për fazën liqenore nëpër të cilën ka kaluar ultësira e Pollogut në përgjithësi dhe fusha e Sllatinës në veçanti. Mjaft markante janë mbeturinat nga tarracat liqenore që fillojnë nga Ball Tepeja e Tetovës deri në Leshkë e Sllatinë, të cilat, në pjesën gjithnjë më juglindore arrin lartësinë nga 640 – 670m.

Pas rrjedhës së liqenit të Pollogut fillon faza fluviale, në të cilën rrjedh Vardari dhe lumenjtë e Sharrit: Lumi i Sllatinës dhe Bistrica kanë thelluar shtratin e tyre, dhe kanë grumbulluar shtresa të mëdha të tokës së gërryer, të lymit dhe mbeturinave të shumta lumore. Prandaj, kualiteti i tokës së fushës së fshatit për të cilin flasim, është rezultat i këtyre proceseve të krijuara natyrore.

Kjo rrafshinë, përveç tjerash posedon edhe karakteristikat e një shtresimi kuartaresh me çakall, rërë, argjil etj. ku, në thellësinë prej qindra metrash, shtrihen sedimentet nga lashtësia pliocene. Ky fakt mbështetet edhe në rezultatet e një eksplorimi apo hulumtimi hidrogjeologjik i realizuar nga Instituti Hidrologjik pranë Ministrisë së Ekonomisë – Shkup, në muajn: nëntor-dhjetor, 1999 (që e udhëhoqi inxhinieri i xehtarisë nga po ky fshat, z.Eshtref Ymeri, përndryshe–Ndihmës Ministër në Ministrinë e Ekonomisë në R. e Maqedonisë).

Pamje e fushës së Sllatinës

Hulumtimi është bërë me qëllim të identifikimit të kushteve dhe mundësive hidrogjeologjike për nxjerrjen e ujit nëntokësor, madje, kualitetit dhe kuantitetit të ujërave nëntokësor për furnizimin alternativ me ujë të pishëm të popullatës së këtij vendbanimi.

Kompleksit të punëve eksploruese u parapriu shpimi hulumtues-eksploatues, i piketuar rreth 1.0 km. në juglindje të Sllatinës, pikërisht në vendin që thirret: Te Jasejk’e Madhe, gjegjësisht 20m. mbi Bunarin e Salihit – te udhëkryqi: Udh’e Ratajës- Udh’e Sllatinës (për në fushë).

Te Jasejk’e Madhe

Në lokacionin e fiksuar është bërë shpuarje e tipit penetrues me porozitet integranular. (Shih tabelën e mëposhtme).

Nga kjo paraqitje kemi një kuptim të qartë për shtresat që përbëjnë brendësinë e tokës së zonës që i takon fushës së Sllatinës.

Harta e pjesës verilindore të Tetovës – Pollogut

Në bazë të statistikës zyrtare nga ESRM (Enti Statistikor i Republikës së Maqedonisë) të vitit 2002, Sllatina ka 4112 banorë, 1002 familje dhe 947 shtëpi banimi dhe, si i tillë, konsiderohet një ndër fshatrat me numër më të madh të banorëve në komunë. Megjithatë, një e treta e banorëve sllatinas gjendet në migrim.

Duke përcjellur ritmin e ndërtimit të shtëpive (përafërsisht: 20-30 shtëpi në vit) e, me këtë, edhe të shtimit të familjeve, aktualisht (2012) ky fshat duhet t’i ketë kaluar mbi 1200 shtëpi.

 

SHARE