“27 prilli”, deputetët nesër dalin para Gjykatës

0
190

Gjashtë deputetët e VMRO-DPMNE-së të dyshuar për “cenim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, nesër do duet të paraqiten para gjykatësit hetues.

Gjykata Penale ka pranuar njoftimin nga Kuvendi, me çka i hapet rruga organit hetues për të proceduar më tej lëndën. Sipas qëndrimit të Penales, të gjitha organet kompetente janë njoftuar në kohë dhe se pritet sjellja dhe paraqitja e deputetëve para gjykatësit të procedurës paraprake. Ndërkohë, Ministria e Brendshme është duke kërkuar edhe 6 persona të cilët deri më tani ishin të pakapshëm për policinë. Jo zyrtarisht, në mesin e tyre është edhe deputeti Lupço Dimovski.

Të dyshuarit e pakapshëm për policinë
Aleksander Vasilevski- Ninxha

Nikolla Mitrovski- Kolo

Dejan Davidovski- Desho

Mitre Pitropovski

Mladen Dodevski

Lupço Dimovski

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski thotë se dikasteri i tij po punon në këtë drejtim.

“Nesër do të paraqiten ne gjykatë dhe ne do të shohim se cili do të jetë vendimi i tyre, do të paraqiten ose jo pasi një numër i tyre gjenden brenda vendit. Ndërkaq për të tjetër të cilët nuk janë siguruar apo gjetur në gjykimin e procedurës paraprake, punojmë dhe besoj se shumë shpejtë do të dorëzohen para gjyqit. I kërkojmë 6 persona. Nuk dua të flas për raste individuale por dua të them se ato persona do t’i sigurojmë kur do të duhet të dorëzohen para gjykatës” – deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Ndërkohë Ministria e Brendshme ka lëshuar një listë me të gjitha emrat e personave të akuzuar për “cenim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë” deri tek të gjitha pikat kufitare në vend. Secili person, emri i të cilit figuron në listë e që tenton të lëshojë Maqedoninë duhet të arrestohet dhe të dorëzohet tek organet kompetente. E njëjta vlen edhe për personat që dyshohet të jenë në arrati. Në momentin e hyrjes së tyre brenda kufijve të Maqedonisë, të njëjtit do të duhet të arrestohen dhe të dorëzohen në polici. Të premten që lamë pas, Kuvendi votoi heqjen e imunitetit për gjashtë deputet. Në mesin e tyre janë: Kërsto Mukoski, Sashe Vasilevski, Johan Tarçullovski, Lupço Dimovski, Ljuben Arnaudov dhe Zhaklina Peshevska.

Për të njëjtën vepër, gjykata i caktoi masën e paraburgimit ish drejtorit të BSP-së, Mitko Çavkov, dy udhëheqësve të protestave Bogdan Ilievski dhe Boris Damovski, ish drejtorit të Operës dhe Baletit Igor Durllovski, dy agjentëve Munir Pepiç dhe Oliver Radullov si dhe ish shefit të sigurimit të Trajko Veljanovskit, Goran Gjoshevski.

Në ditën e aksionit, policia me urdhër të Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion kreu bastisje në shtëpitë e deputeteve Trajko Veljanovski dhe Vesel Memedi. Për veprën “cenim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë” dyshohen 36 persona, vepër kjo e cila sipas Kodit Penal parashikon të paktën 10 vite burg.

SHARE