Zaev: Do të ketë hetim ndërkombëtar për rastin “Kumanova”

0
140

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj dhe ai i Maqedonisë, Zoran Zaev pas takimit të përbashkët kanë mbajtur një konferencë për media, ku thanë se janë pajtuar për avancimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.

Zaev dhe Haradinaj kanë folur edhe për rastin e Kumanovës, ku thanë se janë pajtuar për një hetim ndërkombëtar që do të zbardhte të vërtetën.

Haradinaj pas takimit tha se kjo vizitë e kryeministrit maqedonas është shumë e rëndësishme pasi Kosova dhe Maqedonia janë shtete fqinjë dhe i bashkon e ardhmja.

Kryeministri i Kosovës tha se janë pajtuar të marrin përsipër shumë obligime dhe shprehu besimin se do të arrijnë t’i finalizojnë edhe në takimin e përbashkëta të dy qeverive. Këto sipas tij, do të jenë në interes të qytetarëve të dy vendeve.

Ndërsa, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha se ndodhet në Kosovë për të avancuar bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.

Ai tha se në takim kanë folur rreth projekteve të përbashkëta, avancimin e komunikimit ndërshtetëror, autostradën që lidh Prishtinën me Shkupin, hapjen e kalimit të ri kufitar etj.

Zaev foli edhe për rëndësinë e avancimit të shkëmbimit tregtarë.

“Ne jemi dy shtete që ndajmë aspiratat e përbashkëta për anëtarësim në NATO dhe BE”, tha Zaev, duke shtuar se duhet mbështetje e ndërsjellë pasi e ardhmja e rajonit është në BE dhe NATO.

SHARE