Miratohet buxheti për ushtrinë amerikane, me 700 miliardë dollarë SHBA-ja do të ketë arsenalin më të madh në histori

0
147

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka miratuar të premten buxhetin më të madh të ushtrisë amerikane që ndonjëherë është miratuar, që në total kapë vlerën e 700 miliardë dollarëve, raporton CNN.

Me këtë buxhet parashihen paketat e nevojshme për riparimin dhe ripërtëritjen e armatimit që tani e përdor ushtria, por edhe porositjen e aeroplanëve të ri, nëndetëseve, aeroplanmbajtësve dhe pajisjeve tjera.

Edhe pse Trump ka propozuar idenë që me paratë e buxhetit të ushtrisë të fillojnë punimet e ndërtimit të murit me Meksikën, asgjë nuk është specifikuar saktë lidhur me këtë, por më poshtë ju sjellim listën e plotë të asaj se çfarë në të vërtetë fiton ushtria amerikane me këtë buxhet.
Pentagoni ka kërkuar 70 aeroplanë Stealth (që janë të padukshëm për radarët) të tipit F-35, që në total kushtojnë 10.8 miliardë dollarë, kurse Kongresi ka shtuar edhe 2.9 miliardë dollarë tjera për 20 aeroplanë tjerë. Trump i quan këta aeroplanë “si fluturaket më të sofistikuara në botë”.

Aeroplani F/ A-18 Super Hornet është pjesë e aviacionit të marinës amerikane, dhe për këtë Pentagoni ka kërkuar 14 të tillë të rinj me një çmim prej 1.3 miliardë dollarëve, ndërsa Kongresi i ka shtuar edhe 739 milionë dollarë për 10 të tjerë si ky.

Kompania “Boeing” pretendon se Apache është helikopteri më i sofistikuar në botë që përdoret për qëllime të ndryshme. Për këtë Kongresi ka shprehur interesim të madh, dhe kështu Pentagonit i janë ndarë edhe 1.4 miliardë dollarë për 63 helikopterë të tillë, ndërsa edhe 577 milionë dollarë tjera pritet t’ju jepen edhe për 17 tjerë.
Pentagoni gjithashtu ka kërkuar blerjen e 48 helikopterëve të rinj të tipit Black Hawk UH-60, që zakonisht përdoren për sulme ajrore por edhe për transportimin e ushtarëve në zona të rrezikshme. Ndërkaq, Kongresi ka ndarë 1.1 miliardë, por më pas i ka shtuar edhe 108 milionë edhe për 8 tjerë që do t’i shërbejnë Gardës Kombëtare. Gjithashtu pritet të shtohen edhe 400 milionë dollarë tjerë për 8 helikopterë, të tillë që do të përdoren për sulme kundër nëndetëseve.

Për aeroplanmbajtësen e klasit “Ford” që është versioni më i shtrenjtë në botë, nga ky buxhet janë ndarë 4.5 miliardë dollarë. Me këtë buxhet është paraparë edhe blerja e tri anijeve tjera që kapin vlerën e 430 milionë dollarëve. Ato janë të dizajnuara që të veprojnë afër bregut, aty ku anijet tjera nuk mund të futen.

Për marinën amerikane janë ndarë edhe 4 miliardë dollarë për luftanije të klasit “Burke”, ndërsa Kongresi i ka shtuar edhe 178 milionë dollarë për raketat e këtyre anije, ku secila prej tyre kushton rreth 15 milionë dollarë.

SHARE