Osmani: Nga Shkupi në Prishtinë do të udhëtohet për më pak se një orë

0
185

Në hapësirat e Sekretariatit për Çështje Evropiane u mbajt takimi i parë Ministror ku u shqyrtuan mundësitë dhe u identifikuan hapat e parë për përgatitjen dhe realizimin e projektit për Ndërtimin e rrugës Shkup- Bllace. Me mbledhjen kryesoi Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, që me vendimin e Qeverisë u emërua koordinator i grupit Ministror për këtë projekt.

Në takim Osmani potencoi rëndësinë e këtij projekti në drejtim të ndërlidhjes rajonale të republikës së Maqedonisë, që paraqet njërën prej shtyllave bartëse të procesin euro –integrues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ndërlidhja e autostradës me Prishtinën paraqet projekt të rëndësisë së veçantë për ndërlidhjen ekonomike, shoqërore dhe kulturore të Republikës së Maqedonisë me rajonin” deklaroi Osmani, duke shtuar se në kuadër të prioriteteve të Qeverisë për ndërlidhjen e autostradës me kryeqytetet fqinje, ndërtimi i rrugës Shkup- Bllace është njëra ndër projektet më të rëndësishme për ndërlidhjen me Republikën e Kosovës, që paraqet, njërën prej partnerëve më të rëndësishëm ekonomik dhe tregtar të Republikës së Maqedonisë. Në vazhdim, Osmani të pranishmëve përcolli informacionin për progresin e ndërtimit të autostradës nga ana e Kosovës deri në Prishtinë, ku me përshpejtim po punohet, dhe për të cilën propozoi komunikim më të afërt me investuesit në Kosovë, për koordinim të aktiviteteve nga të dyja anët e kufijve.

Në takim u miratuan disa konkluzione, mes të cilave edhe urgjenca e realizimit të mjeteve të siguruara nga instrumenti i IPA-s “ Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor” me të cilën janë aprovuar dhe siguruar 1.300.000 euro në drejtim të përgatitjes së dokumentacionit të domosdoshëm për projektim. Projekti Shkup- Bllace është projekt kompleks me të cilën parashihet ndërtimi i infrastrukturës rrugore me një fushë të ndërlikuar në të cilën është paraparë ndërtim i disa tuneleve dhe urave, akueduktëve dhe elemente të tjerë. Me ndërtimin e kësaj autostrade, dhe ndërlidhjen e saj me autostradën Prishtinë- Bllace ndërtimi i së cilës është në vijim, ndërlidhja kohore mes Shkupit dhe Prishtinës do të zvogëlohet prej dy orësh në më pak se një orë.

Për shkak të rëndësisë strategjike të projektit, dhe kompleksit të saj, Qeveria formoi grup pune Ministrorë, në të cilën, përkrah Zëvendëskryeministrit Bujar Osmani si kryesues, anëtarë janë edhe Zëvendëskryetari i Qeverisë, për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, Ministri i Financave, Dragan Tevdovski, Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski, Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Zoran Kitanov dhe Drejtori i Ndërmarrjes Publike Rrugët e Maqedonisë, Gajur Kadriu. Krahas grupit Ministror, është formuar edhe grupi teknik punues, ku anëtarë janë persona teknik dhe ekspertë nga resorët përkatës që janë përgjegjës për realizimin e projektit Shkup – Bllacë.

SHARE