Rihanna, një “Papë” me minifund (Foto)

0
168

Yjet shkëlqyen në Met Gala, eventi i bamirësisë i organizuar nga Instituti i Kostumeve të Muzeut Metropolitan të Artit, i konsideruar si kulmi i kalendarit social të Nju Jorkut e që tërheq stilistë dhe yje nga e gjithë bota.

Ai njihet për biletat e shtrenjta, përfshirë një listë ekskluzive të ftuarish, si dhe veshjet ekstravagante që bazohen çdo vit në një temë të ndryshme. Sivjet, tema ishte: Trupat Qiellorë: Moda dhe Imagjinata Katolike, e cila tregon se si katolicizmi ka pasur ndikim mbi modën përgjatë gjithë historisë.

Yjet zbritën në tapetin e kuq, disa me minifund të frymëzuar nga vetë Papa, siç ishte rasti i Rihanës, kostume të kryqëzatave apo rasti i këngëtares Katy Perry, e cila u shfaq me dy krahë të stërmëdha engjëlli.

“Moda dhe feja kanë qenë prej kohësh të ndërthurura me njëra-tjetrën, duke u frymëzuar reciprokisht dhe duke përcjellë informacion për njëra-tjetrën”, u shpreh kuratori Andrew Bolton.

Edhe pse kjo marrëdhënie ka qenë komplekse e ndonjëherë kundërthënëse, shtoi ai, ka prodhuar disa nga krijimet më inovative në historinë e modës. Instituti i Kostumeve është i vetmi departament kurator i muzeut që duhet të financojë aktivitetet e veta, ndaj dhe galaja përbën në thelb, eventin më të madh të mbledhjes së fondeve.

Anna Wintour, redaktore aktuale e “Vogue”, e zhvendosi fokusin tek të famshmit kur mori detyrën si kryetare e tij në vitin 1999, duke afruar në rrjedhën e kohës emra të njohur si Beyonce, Taylor Swift, Sarah Jessica Parker dhe Tom Brady.

SHARE