Vazhdon dezinsektimi i zonave endemike të Malishevës

0
201

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është duke e financuar projektin “Dezinsektimi i hapësirave të ekspozuara për ethe hemoragjike Krime-Kongo në fshatrat e Komunës së Malishevës”, i cili projekt ka për qëllim luftimin e shkaktarit të sëmundjes Krime-Kongo të shkaktuara nga rriqrat kryesisht në Komunën e Malishevës.

Për implementimin e këtij projekti MBPZHR-ja ka siguruar shumën prej 819 mijë eurove për periudhën e cila do të zgjasë 36 muaj dhe do të realizohet nga kompania N.Sh.H. “Zona Park”, e përzgjedhur përmes Divizionit të Prokurimit në MBPZHR, si dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik.

MBPZHR njofton të gjithë banorët e këtyre zonave ku po realizohet dezinsektimi dhe të gjithë qytetarët se projekti është duke u implementuar me përpikëri në bazë të termave të parashtruara të referencave, si dhe preparati i cili po përdoret për trajtimin e rriqrave, me emrin tregtar “ZinonEW” është preparat i licencuar sipas legjislacionit të Kosovës me vendim të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me standarde ISO, dhe se pajisjet me të cilat po kryhet dezinsektimi i përkasin teknologjisë së fundit.

Gjithashtu, për çdo aktivitet që nga fillimi i këtij projekti, kanë qenë të njoftuar zyrtarët kryesorë komunal të Komunës së Malishevës, ndërsa MBPZHR-ja asnjëherë nuk ka pranuar asnjë lloj ankese nga ta, përkundër hierarkisë së paracaktuar.

Për mbikëqyrjen, monitorimin në implementimin e këtij projekti janë të caktuar persona kompetent, Lebibe Hashani – epidemiologe, nga MBPZHR-ja në cilësinë e Menaxherit të Kontratës, nga sekretari i Përgjithshëm i MPBZHR-së është caktuar Arsim Memaj, si dhe stafin teknik i cili përbëhet prej 28 personave.

SHARE