“Pyetje Ramazani”

0
231

PYETJA:

Kam harruar ta bëj nijet në syfir, a më quhet agjërimi?

PËRGJIGJA:

Esselamu alejkum. Së pari më lejoni të sqaroj rreth nijetit në syfir, ngase e di se një pjesë e popullatës tonë nuk e kanë të qartë çdo të thotë ta bësh nijet agjërimin në syfir.

Ajo që kërkohet në agjërim, pra që agjërimi të jetë i vlefshëm, është nijeti me zemër apo me mend. Me fjalë tjera, kur ngritesh në syfir, a e di pse je ngritur? Me siguri se po, je ngritur që nesër të agjërosh.

Ky pra është nijeti, sepse në atë kohë ngritesh vetëm për të agjëruar, në rastin e muajit të Ramazanit. D.m.th. akti që je ngritur të hashë syfir, tregon se ti ke nijet të agjërosh. Bile, nëse kur bie të flesh e ke në vete qëllim-nijet se do të agjërosh, dhe nuk ngritesh në syfir, agjërimi është tamam, se ti e ke bërë nijet të agjërosh.

Por, një pjesë nga popullata jonë, mendojnë se nijet është kur e thua me gojë, dhe nëse nuk e thuan me gojë, mendojnë se nuk e kanë bërë nijet. Kjo bindje është gabim. Shprehja me gojë nuk është bazë në nijet, por ajo që ti e ke qëllim në veten tënde, ky është nijet.

Me gojë nëse e thua problem nuk ka, edhe pse disa mendojnë se është bidat, por unë nuk shoh asnji problem. Për atë, nëse harron ta thuash me gojë, e besoj se pyetësja aludon në këtë, agjërimi është në vend, pasi ti je ngritur në syfir për të agjëruar, dhe ky është nijeti që e ke në veten tënde dhe që e bën valid një adhurim juridikisht.

Ndërkaq, mos të kesh nijet, d.m.th. që ti aspak nuk mendon për agjërim. Je ngritur rastësisht me njerëzit tjerë, të ka pëlqyer diçka dhe ke hëngër. Por, jo të agjërosh, thjesht të ka pëlqyer.

Por, pastaj, kur ngritesh ditën, thua me veten tënde, të agjëroj. Atëherë vlen pyetja se në syfir nuk e ke bërë nijet, në fakt, nuk e ke patur qëllim të agjërosh.

Agjërimi pa nijet nuk pranohet. Pjesa dërmuese e dijetarëve këtë e obligojnë që të bëhet natën, pra në syfir ose ma herët prej syfirit gjatë natës, nëse nuk mund të ngritesh në syfir. Te medhhebi Hanefi pranohet nijeti edhe në pjesën e parë të ditës.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”Vërtet, veprat vlerësohen sipas nijetit-qëllimit, dhe çdo njërit i takon ajo që e ka patur për qëllim(me veprën e vet)…”.

Allahu e di më së miri.

SHARE