Shtrenjtohen sërish çmimet e derivateve me dy denarë

0
172

Shtrenjtohen përsëri çmimet e karburanteve. Çmimet e benzinës dhe dizelit nga sot shtrenjtohen për dy denarë. Ky është vendimi i fundit i Komisionit Rregullator për Energjetikë. Ja çmimet e reja: Eurosuper 95 dhe Eurosuper 98 prej sot deri në dy javët e ardhshme do të shiten për 73,5 gjegjësisht 75,5 denarë për litër. Ndërsa çmimi i dizelit do të jetë 65 denarë për litër.

Eurosuper 95 73,5 denarë

Eurosuper 98 75,5 denarë

Dizel 65 denarë

Vaji ekstra i lehtë 54 denarë

Mazuti 34,5 denarë

Sipas vlerësimeve, rritjen e vazhdueshme të çmimeve të karburanteve më shumë do ta ndjejnë transportuesit, sidomos ata që bartin mallra jashtë vendit. Nga shoqata më e madhe e transportit në vend, Makam Trans për Alsat M shprehen se akciza e rritur e naftës tashmë ka filluar të shkaktojë probleme financiare në sektorin e transportit. Kah fundi i vitit të kaluar kanë kërkuar ndihmë nga Qeveria gjegjësisht kthimin e mjeteve të akcizës, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Pa sistem të vendosur për kthimin e një pjese të akcizës në Ligjin për akcizë, siç është në pjesën më të madhe të shteteve sidomos të BE-së dhe zbatimin e parimit për marrëveshje dypalëshe, transportuesit e Maqedonisë nuk do të jenë konkurrent dhe patjetër duhet t’i ulin çmimet në dëm të tyre, që të mbeten në tregun evropian të transportit – deklaroi Biljana Muratovska, Makam Trans.

Në ndërkohë, drejtori i Makpetrolit, Andreja Josifovski tashmë ka paralajmëruar se do të ketë periudhë të rritjes së çmimit të naftës dhe derivateve të saj. Si masa anti-krizë ai shton se nevojitet shteti të ndryshojë metodën e llogaritjes së çmimeve ku bën pjesë edhe norma për prodhimtari, edhe pse në vend tashmë kohë të gjatë nuk ka prodhimtari të energjensëve të naftës.

…ne për momentin, nga viti 2012 nuk kemi prodhues të derivateve të naftës në vend dhe pse kjo metodologji nuk ndryshon, me të vërtetë nuk e kam të qartë – tha Andreja Josifovski- Makpetrol.

Thuajse qëndrim identik për ndryshimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve të derivateve kanë edhe nga kompania e naftës, OKTA. Edhe nga kompania me kapital grek konsiderojnë se mënyra e llogaritjes është e vjetruar dhe se duhet ndryshuar. Nga qeveria për momentin heshtin. Gishtin e drejtojnë drejt Komisionit Rregullator për Energjetikë i cili rregullon çmimin në çdo dy javë. Ndryshe, të mërkurën e kaluar shumica parlamentare refuzoi propozimin e opozitës për shfuqizimin e akcizës së rritur të naftës që hyri në fuqi nga Viti i ri.

SHARE