Deschamps “acaron” sfidën: Messi? E dimë mënyrën për ta ndalur

0
146

Trajneri i Francës, Didier Deschamps, foli para ndeshjes mjaft të rëndësishme kundër Argjentinës. Ekipi i tij do të përballet me ekipin amerikano-jugor ditën e nesërme. Tekniku dha një konferencë për shtyp ku foli për ekipin kundërshtar.

“Është e vërtetë që deri tani nuk kemi bërë gjëra të mëdha, por nuk duhet të harrojmë që 14 nga lojtarët e mi e kanë për herë të parë pjesëmarrjen në Kupën e Botës. Nuk është justifikim, në asnjë mënyrë, por duhet pak durim për të gjykuar të rinjtë tanë”, u shpreh ai.

Më tej foli dhe për kundërshtarin. “Disa sjellje janë pjesë e lojës. E njohim temperamentin e skuadrave amerikano-jugore, mbështetja e tifozerisë i motivon në maksimum, janë luftëtarë, por nuk besoj se do ndodhin gjëra të papranueshme.

Do të ketë duele, përplasje, goditje të ashpra, por gjithçka brenda kufijve. Është një lloj futbolli që e kemi hasur edhe më parë. Sa për ofendime, pak nga lojtarët e mi kuptojnë spanjisht, ndaj nuk ka problem”.

Kur flitet për Argjentinën, flitet dhe për Messin. “Do të mundohemi ta kufizojmë në varësi të zonës së fushës ku do ndodhet, edhe pse ai ka nevojë vetëm për pak hapësirë, për t’u bërë vendimtar. Mund të them që u kemi dhënë gjithë informacionet e nevojshme lojtarëve tanë dhe do marrim masa. Të shohim a do funksionojnë”.

SHARE