SHERRI I SHKJAUT, FAJËSIMI I VIKTIMËS, DHE THELBI I “KORRIGJIMIT”

0
1617

Bashkim Aliu

Prerja e rrugës

Si shumë herë tjera gjatë historisë, në të kaluarën, poashtu edhe në historinë më të re të Kosovës, Drenica po shkruan me shkronja të mëdha të shtypit historinë e trimërisë dhe rezistencës, si dhe gatishmërinë për t’ua prerë rrugët nostalgjikëve për kriminelët e llojit të vet, të cilët deshën copat e tokës shqiptare t’i shohin Bantustane të Evropës.

Në Shtatorin e këtij viti (2018), Drenica edhe një herë u ngrit të këmbë që t’i thotë stop sherrit të shkajut, i cili jo vetëm që nuk është penduar dhe nuk ndjenë keqardhje për mijëra viktima nga dora e kriminelëve të popullit të tij, të gjykuar edhe nga institucionet ndëkombëtare të drejtësisë për krime lufte, si rasti i Milloshviqit dhe shum tjerëve, por edhe provokon ndjenjat e tyre duke ekzekutuar një sfilatë raciste, jonjerëzore dhe diskriminuese, duke kaluar nëpër tokën që u la me gjakun e atdhedashësve që e mbrojtën pragun e shtëpive të tyre.

Në kohën kur janë duke u zhvilluar bisedime, e ndoshta edhe negociata, për të ardhmen e raporteve Serbi-Kosovë, vizita e presidentit serb Vuçiq në vende strategjike, por në të njejtën kohë, edhe pika neuralgjike në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, si liqeni i Ujmanit, pastaj fshatin Banjë të banuar me serbë, rruga për tek i cili kalon nëpër Drenicë, nuk mund të shihet ndryshe pos si sherr shkjau- përmasat e të cilit dhe thelbi i domethënies së të cilit, janë të njohura mirë për popullin shqiptar- që në momente kyçe dhe kur hapen mundësi, sado të kufizuara për një zgjidhje të mundshme, që të hedh hapa të cilat do t’i dështojnë bisedimet.

Kjo, ngase vendosmëria dhe reagimet e ashpra se Kosova, më nuk ka tokë për të falur, e në veçanti, kur është në pyetje hasmi shekullor me një dosje të trashë krimi ndaj shqiptarëve, posaçërisht atyre të Kosovës, siç është Serbia, nuk la hapësirë për manovra të llojit të vet si dinë t’i bëjnë lojtarët e Shumadisë në kurriz të fatit të popujve tjerë. Së këtejmi, sipas kësaj logjike ekspansioniste, nuk ka zgjidhje tjetër, pos të dështojnë bisedimet, bile në një fazë të caktuar, edhe atë, duke bërë që para opinionit botëror të fajësohet pala shqiptare dhe të krijohet imazh i palës që bllokon gjërat.

Ndërkaq, Serbia të shihet si viktimë qëllimmirë e arrogancës së shqiptarëve. Dhe që realizimi i gjithë këtij skenari të kaloj në mënyrë perfekte, u dasht të provokohen ndjenjat e atyre që më së shumti kanë pësuar në historinë e pushtimit dhe krimeve serbe ndaj shqiptarëve, Drenica, me qëllim që reagimi të jetë i përmasave jo të vogla. Pikërisht kjo është logjika e sherrit të shkjaut, viktimën ta provokon dhe ta fajëson, që veten ta nxjerr të larë.

Nostalgjia vetëvrasëse

Megjithëqë sherri i madh u demonstrua në momente shumë të ndieshme të zhvillimit të raporteve Kosovë-Serbi, me të vetmin qëllim që të provokohen ndjenjat rëndë, që të reagohet ashpër, që për rrejdhojë do të ketë ndërprerje të procesit të bisedimeve, nostalgjia për kriminelët e vrau sherrin e Vuçiqit. Me plot eufori dhe elan, para banorëve të pakicës serbe në Kosovë, në qytetin e Mitrovicës, Vuçiqi e lartësoi kryekriminelin Millosheviq, duke e quajtur një lider të madh, i cili, sipas tij, nuk e ka patur gabim për çka ka luftuar, por vetëm ka dështuar në gjetjen e rrugës, metodave dhe mekanizmave adekuate për të realizuar synimet, të cilat, sipas sjelljes dhe fjalëve të tij, duket se nuk kanë ndryshuar as për të.

Me këtë, Vuçiqi i legalizoi krimet dhe fushatat ekspansioniste të Millosheviqit ndaj tokave të huaja, si dhe krimet e tij mbi popujt tjerë, edhe pse publikisht, në qarqe diplomatike, nuk e arsyeton vrasjen dhe as politikat e tilla.

Ai, bazuar në vokabullarin e përdorur në fjalimin e tij në Mitrovicë, tregoi se është duke vazhduar në atë rrugë që nuk e përfundoi akoma Millosheviqi, por duke ndjekur forma tjera veprimi, dhe duke gjetur mënyra tjera më adekuate që nuk do të krijonin përshtypje, në shiqim të parë, se flitet për filozofinë serbe të viteve të nëntëdhjeta dhe më herët, të recikluar nga figura të ambalazhuar me demokraci dhe respektimin e të drejtës ndërkombëtare.

Mirëpo, e gjithë kjo sfilatë e thurrjes lavdi për kriminelët, që të arrijë qëllimet e errëta gllabëruese edhe të hapësirave tjera të tokave shqiptare në Kosovë, iu kthye në ankth, që sherrin ia plasi në fytyrë, ngase zullumi kur trashet, këputet.

I gjithë opinioni evropian dhe botëror, u shokua me deklaratat e tij, dhe e kuptuan këtë fytyrë të plakur kriminele me makijazh demokratik dhe modern, për të treguar e re. U mundua ta ndreq gabimin, që për të edhe nuk ishte gabim, por karshi syve të botës, u dashtë të sillet sikurse është keqkuptuar, me çka përsëri i akuzoi tjerët se nuk janë aq të zgjuar që ta kuptojnë atë si duhet.

Por, sherri i tij, kësaj radhe e demaskoi politikën e tij shoviniste, me çka edhe e legjitimoi për opinionin evropian dhe botëror prerjen e rrugës nga Drenica, duke e shpalosur të vërtetën e këtij aksioni të një populli të vuajtur nga krimet serbe.

Në fakt, ky askion nuk ishte për të bllokuar procese paqësore dhe demokratike, por për të bllokuar nostalgjikë të kriminelëve dhe mashtrues të opinionit evropian dhe botëror, lavdues të kriminelëve dhe justifikues të krimeve dhe politikave ekspansioniste. Kësaj radhe, sherri i madh, rëndë pësoi në Drenicë, në mejdanin e trimërisë, dinjitetit, sinqeritetit, rezistencës dhe paqës.

Korrigjimi, institucionet dhe zyrtarët

Kohëve të fundit, në hapësirat shqiptare në përgjithësi, e në atë shqiptare në Kosovë në veçanti, fjalë më e eksploruar është fjala “korrigjim”, e cila pasoi si shpjegim nga presidenti i Kosovës, pas reagimeve për marrëveshjen e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë dhe këmbimin e territoreve, gjegjësisht bashkangjiten e Luginës me Kosovën.

Si edhe herave tjera, kur plasohen në opinion gjëra të këtilla të mëdha dhe të rënda për popujt, po edhe për politikën, si atë të brendshme, poashtu edhe atë të jashtme, nuk pushojnë vlerësimet të cilat në të shumtën e rasteve janë sinonim i akuzave të rënda për tradhti, shitje të interesave të popullit për interesa personale, e ndoshta edhe karierë apo për ta shpëtuar veten nga gjykata speciale, etj.

Kështu, u ndezën analistët, çajtoret, kafehanet, rrjetet sociale, mediumet e shkruara dhe ato elektronike, për të dhënë vlerësime se çka në fakt është ajo që u plasua nga presidenti i Kosovës, ndarje e re e tokës së Kosovës, floskula për të vënë balans në deklarata publike e për të testuar opinionin, apo diçka tjetër?

Dhe pyetja tjetër mjaft e eksploruar është: Nga rrjedh kjo, nga vetë presidenti, apo nga ndonjë palë tjetër? Sido që të jetë, këtu nuk jemi duke bërë një analizë të gjithanshme të idesë për “këmbim” apo “korrigjim”, por, shprehim opinionin personal, që mund të jetë edhe i shumë tjerëve, për problemin në fjalë.

Mendoj se etiketimet e llojit tradhtar dhe i shitur, që është zakon të dëgjohen shpesh, si nëpër çajtore, ashtu edhe nëpër debate televizive, janë të tepruara, të papjekura, jo korrekte dhe tepër emocionale.

Ky konstatim ka për bazë disa tregues, e në mes tjerash edhe atë se presidentin e Kosovës, si dhe të shumë vendeve tjera, qarqet vendimmarrëse nuk i pyesin fare. Ata i kanë vetëm alet në duart e tyre, që planet e tyre strategjike të kenë ngjyrë të subjekteve autoktone në vendet ku realizohen.

Për atë, marrë parasysh hapësirën e manevrimit që ka kryetari i Kosovës në gjeopolitkën dhe gjeostrategjinë e fuqive vendimmarrëse në Ballkan, ai edhe sikur të donte të bënte diçka të tillë, gjegjësish të shiste apo të blente për vendin e vet, nëse ky pazarllëk nuk u shkon për shtati të mëdhejve, do t’ia prishin pazarin, bile as që do të mund të lidhej fare.

Së këtejmi, ajo që doli nga zyra e presidencës, duket se nuk është prodhim vendor, por është mall i importuar që duhet të shitet në tregun e Kosovës, e që shpalosja e tij bëhet me urdhëra, ku zyrtarët vendorë janë thjeshtë argatë. Mirëpo, mosshitja e këtij malli akoma, nuk është rezultat i droes së argatëve se do të humbin poste, apo se rrezikohen, por, ashtu mendoj, është rezultat i dallimeve të shefave të mëdhej dhe partnerëve, të cilët si duken nuk janë të pajtimit për pazarin në fjalë, dhe duhet të pritet se si do të mirren vesh.

Me këtë rast, në pazarllëke të caktuara, nuk duhen anashkaluar krejtësisht zyrtarët të cilët i udhëheqin institucionet në UE dhe SH.B.A. Kjo, ngase jemi mësuar të dëgjojmë se Evropa dhe Amerika kanë planet e veta për në këtë rajon dhe nuk e lejojnë Rusinë që të shtrihet përmes Serbisë, dhe se Amerika e cila e ka ngritur Bondsteel-in në Ferizaj, nuk lejon që zyrtarët kosovarë të luajnë si t’u kujtohet.

Po, kjo është e vërtetë, dhe për atë themi se ajo që del nga presidenca nuk është prodhim vendor dhe nuk është e pjekur në furrat e Kosovës, por vetëm plasohet në tregun e Kosovës.

Megjithatë, nuk duhet lënë anash orientimet ideologjike të zyrtarëve të administratës aktuale në Washington dhe zyrtarët e institucioneve të UE-së në Bruksel. Nuk ka garancë se zyrtarët aktualë të këtyre qendrave, nuk provojnë skenare të caktuara për rajonin, të cilat janë në pjesën e planeve globale afatgjata, nëse nuk e cenojnë interesin e tyre afatgjatë.

SHARE