Të përjashtuarit nga partia e VMRO-DPMNE i hedhin poshtë akuzat

0
187

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE Ditën e Luftës revolucionare të Maqedonisë – 23 Tetori e priti me spastrime në radhët e saj.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski nga solemniteti i djeshëm partiak me rastin e shënimit të 23 Tetorit – Ditës së Luftës revolucionare të Maqedonisë, kërkoi që të miratohet ligj për amnisti për pjesëmarrësit në ngjarjet e 27 prillit në Kuvend. Sipas tij kështu do të ketë drejtësi joselektive dhe liri për të gjithë.

Lidhur me situatën e sapokrijuar në partinë që e drejton, tha se e premtja e kaluar ka qenë “e premte e zezë”, ndërsa deputetët që kanë votuar të kundërtën e qëndrimit të partisë, siç tha e kanë shitur partinë dhe shtetin dhe janë prirur nga interesat personale.

Mickoski vlerësoi se mbështetja për qasje drejt ndryshimeve të Kushtetutës nga ana e deputetëve të VMRO-DPMNE-së i kanë mundësuar kryeministrit Zoran Zaev që ta vazhdojë karrierën politike. Është dashur, siç tha, që të mbahen zgjedhje të reja dhe VMRO-DPMNE-ja të fitojë.

Ndryshe, Komiteti Qendror i VMRO-DPMNE-së në seancën e mbrëmshme shkarkoi nga funksionet partiake nënkryetarin Mitko Jançev dhe anëtarin e Komitetit Ekzekutiv Konstadin Bogdanovski, kërkoi edhe procedurë disiplinore për përjashtim të Sasho Mijalkovit dhe Nikolla Todorovit, si dhe për deputetët të cilët votuan për ndryshimet kushtetuese t’i kthejnë mandatet.

“Për shkak të veprimit të kundërt nga interesat e VMRO-DPMNE-së dhe të Maqedonisë, për shkak të bashkëpunimit të fuqishëm me Zoran Zaev si dhe organizimin e grupit për presione, shantazhe, kërcënime dhe ryshfet të deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, me qëllim që të votojnë për ndryshimet kushtetuese, KQ e shkarkoi nënkryetarin e partisë Mitko Jançev dhe atë e bëri me votim të fshehtë, me ç’rast rezultati ishte i njëzëshëm”, deklaroi Aleksandar Nikollovski nënkryetar i VMRO-DPMNE-së, pas përfundimit të Komitetit qendror të VMRO-DPMNE-së.

Paraprakisht nga partia ishin përjashtuar edhe shtatë deputetë të cilët i përkrahën ndryshimet kushtetuese. Në propozimin e Mickoskit ishin përjashtuar Kërsto Mukoski, Sasho Vasilevski, Luben Arnaudov, Elizabeta Kançeska-Milevska, Zeqir Ramçiloviq, Nola Ismajloska-Starova dhe Emilija Aleksandrova.

Praktika e eliminimit me personat e mendimit jo të njëjtë filloi para dhjetëra ditëve kur nga KQ ishte shkarkuar ish zëvendëssekretari i përgjithshëm i partisë Petar Bogojevski, i cili gjithashtu, ishte zënë nga seria e përjashtimeve.

Vijuan reagimet e Mitko Jançevit të shkarkuar, si dhe nga Todorov dhe Mijallkov.

I ndërruari nga funksioni Jançev në reagimet e tij të vendimit të KQ kërkoi falje publike nga Mickoski dhe Nikolloski për akuzat e nxjerra, në të kundërtën paralajmëroi padi private.

“Në konferencën e mbrëmshme për shtyp të Aleksandar Nikollovskit ndaj meje ishin dërguar akuza të ulëta dhe agresive për kërcënime, ryshfet dhe krim, krahë për krah me Sasho Mijalkovin. Për shkak të ofendimeve të tilla të pabaza dhe përfundimisht joprofesionale nga ana e Hristijan Mickoskit dhe Aleksandar Nikollovskit të cilët mundohen ta prishin autoritetin tim, kërkoj falje publike edhe nga Hristijan Mickoski dhe Aleksandar Nikollovski. Në të kundërtën, ndaj atyre dyve do të paraqes padi penale private për shpifje dhe fyerje ndaj personalitetit tim”, qëndron në kërkesën e shkruar publike për falje dërguar mbrëmë nga Jançev.

Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Nikollovski dje në deklaratë për gazetarët para festimit të 23 Tetorit tentoi që ta ndryshojë deklaratën e parë dhe tha se Komiteti qendror e ka shkarkuar Jançevin për shkak të mosmarrëveshjeve me politikat dhe qëndrimet e partisë dhe mosndjekjen e tyre. Për fat të keq, tha ai, ndoshta për shkak se keq është shprehur ose gabimisht është transmetuar, deklarata ka marrë kontekst tjetër, respektivisht lidhet me akuza për ryshfet. Ai me këtë rast nuk saktësoi nëse kjo është kërkim publik i faljes ndaj Jançevit, dhe shtoi se këto nuk janë qëndrime të tij personale, por konkludime të Komitetit qendror që ai i ka pasur për detyrë t’i transmetojë.

Sasho Mijallkov vendimin për ngritjen e procedurës për përjashtimin e tij e quajti të gabuar dhe si anëtar shumëvjeçar dhe funksionar e porositi partinë se në këtë moment i nevojitet inkluzivitet, e jo politika përjashtuese.

“Për momentin partisë i nevojitet bashkim dhe udhëheqje me mençuri, e jo me emocione. Për momentin partisë nuk i nevojitet krijim i narrativit të rrejshëm dhe rrethana jo-ekzistuese me të cilët largohemi nga përcaktimet strategjike dhe hyjmë ne izolim”, thotë Mijallkov.

Todorov, megjithatë tha se vendimin e përjeton si përjashtim nga ana e fraksioni antiperëndimor, antinato, antimaqedonas të VMRO-së, në çka u transformua partia, e jo nga VMRO-DPMNE e tij, e cila është evropiane, bashkëkohore dhe parti e qendrës së djathtë.

“Më larguan nga fraksioni i transformuar i VMRO-së, e transformuar në anti-perëndimore, anti BE dhe anti NATO, e drejtuar nga njerëz të cilët janë të udhëhequr dhe robëruar nga sqima personale dhe të cilët praktikojnë metoda të vjetruara të veprimit politik i imponuar nga strukturat e vjetra udbashe të cilët u përkulen propagandave dhe interesave të huaja anti-maqedonase dhe anti-perëndimore”, shkruan Todorov në profilin e tij në Fejsbuk.

SHARE