Për nëntë muaj 24 fatkeqësi gjatë punës në Gostivar

0
136

Me nëntë raste të lëndimit gjatë punës në tetor rajoni i Gostivarit është në krye të statistikës së zezë. Të lënduarit ka përfunduar kryesisht me lëndime të rënda, gjegjësisht me thyerje të ekstremiteteve.

Sipas evidencës së SPB Tetovë nga fillimi i këtij viti në rajonin e Gostivarit janë paraqitur 24 fatkeqësi gjatë punës, një prej të cilave me pasoja fatale. Sipas vendit të ngjarjes, më së shumti fatkeqësi janë regjistruar në shesh ndërtimet, gjegjësisht gjatë zbatimit të aktiviteteve ndërtimore, drejtimit të makinerisë dhe automjeteve speciale.

Si shkak më i zakonshëm i lëndimeve potencohet pakujdesia e njeriut. Ajo është shënuar në 20 raste, ndërsa në mesin e të tjerave janë edhe mosrespektimi i standardeve dhe kritereve për mbrojtje, vjetrimi i pajisjeve për punë apo pajisjes mbrojtëse dhe kushtet e këqija atmosferike.

Numri i fatkeqësive gjatë punës këtë vit është rritur dhe nëse krahasohet me raportin e fundit të Shoqatës së Maqedonisë për Mbrojtje Gjatë Punës për vitin e kaluar (2017) në nivel të shtetit, Gostivari tani ndodhet në krye të tij.

Nga gjithsej 158 fatkeqësi gjatë punës në nivel të shtetit, vitin e kaluar 24 raste kanë qenë fatale për jetën e njeriut dhe kanë përfunduar me fatalitet gjegjësisht vdekje. Në analizën e Shoqatës së Maqedonisë për mbrojtje theksohet se mesatarisht në çdo 100.000 të punësuar vdesin nga tre-katër punëtorë, që është shkallë e lartë e fatkeqësive fatale gjatë punës. Shkalla e rasteve të vdekjes gjatë punës është rritur në krahasim me vitin 2016, kur ka qenë 2,62.

“Nëse merret parasysh si krahasim Britania e Madhe, ku shkalla është vetëm 0,5, do të konstatojmë se Maqedonia ka shkallë mjaft të lartë të fatkeqësive fatale gjatë punës. Ndërsa nëse si parametër do të merren lëndimet gjatë punës, atëherë shkalla e lëndimeve gjatë punës për vitin 2017 është 17,98, që tregon se në çdo 100.000 punëtorë, lëndohen nga 18 punëtorë. Në krahasim me një vit më parë, kur shkalla e lëndimeve gjatë punës ka qenë 13, shkalla e lëndimeve për vitin 2017 është rritur në mënyrë të konsiderueshme”, thuhet në raport.

SHARE