Femra me Hixhab largohet nga një restoran në Shkup

0
118

Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi e ka dënuar praktikën diskriminuese të “Portofino Osteria and Bar”, për kufizimin e qasjes deri te restoranti për femra të cilat, siç thonë nga atje, “mbajnë veshje tradicionale myslimane”.

“Më 14.09.2018 deri te Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut është drejtuar një e huaj, e cila ka paraqitur diskriminim në baza religjioze dhe bindjes fetare për qasje deri te restoranti “Portofino Osteria and Bar”.

E huaja, bashkë me dy shoqe të saja është përpjekur të hyjë në restorant, dhe hyrja u është ndaluar me sqarimin se pa rezervim nuk mund të shërbehen. Në momentin kur janë përpjekur për të hyrë në restorant, e huaja ka mbajtur hixhab, ndërkohë që shoqet e saja jo.

Personat e kanë lëshuar restorantin, ku pas dhjetë minutash, njëra nga mikeshat është kthyer dhe pa asnjë problem iu është siguruar tryezë pa rezervim paraprak. Ajo ka kërkuar që të dijë se pse nuk i lejuan qasje edhe mikeshës së saj, e cila kishe hixhab, dhe nëse restoranti ua ndalon qasjen e grave dhe vajzave që mbajnë hixhab, për të cilën ajo nuk ka marrë përgjigje dhe ka ikur”, thuhet në njoftimin e RrMD-së, transmeton Portalb.

Komiteti i Helsinkit ka dërguar parashtresë deri te Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi, kurse procedura edhe më tej vijon.

Me këtë Rrjeti ka bërë thirrje deri te Komisioni në fjalë, që në kuadër të kompetencave të saja ta hetojë rastin, dhe të vërtetojë diskriminim në baza religjioze dhe bindje fetare.

Rrjeti ka bërë thirrje edhe ndaj restorantit, që ta largojë fyerjen dhe në të ardhmen të ndalojë së vepruari në mënyrë diskriminuese ndaj femrave me përkatësi myslimane.

SHARE