MËSIMET E MISTIKËS DHE NDIKIMI NË HAPËSIRAT TONA GJEOGRAFIKE

0
131

Shkruan: Syrja ETEMI

Nga burime dhe informacione të ndryshme të akceptuara qoftë nga arsimi formal, qoftë ai joformal, kuptojmë se atdheu i mistikës është Azia, përkatësisht Persia, India dhe Kina. Që në kohët e lashta, mistika kaloi nga popujt e Lindjes së afërt përmes fushatave të Aleksandrit të Madh apo Lekës, siç e quajmë ne shqiptarët, edhe tek ilirët dhe grekët e lashtë dhe, nëpërmjet kësaj rruge, me ndihmën e krishterimit, lançohet edhe në Europën Perëndimore.

Të gjitha mësimet mistike kanë patur për qëllim që t’i shpjegojnë ose sqarojnë dukuritë befta dhe ligjshmëritë natyrore, të cilat aq shumë zgjonin kërshërinë e kurreshtjen, sa që ato, herë-herë nakatoseshin edhe me vellon e së panjohurës, e të cilat, njëkohësisht ndjellnin edhe frikë e lemeri, ndërsa njerëzit ndjeheshin të pafuqishëm për t’u dhënë shpjegimin e duhur atyre fenomeneve.

Përmes mësimeve mistike, njeriu ka tentuar të arrijë një nivel të lartë e të zgjuar të ndërgjegjes e ndërdies, për të kulmuar me mirëqenien e thellë të rrehatisë e ataraksisë shpirtërore, e, që përfundon deri në ekstazë – me “përjetimin e Zotit”.

Mësimet e këtilla mistike, thamë, u paraqitën që në lashtësi, ndërsa ne do të flasim vetëm për ato të cilat direkt apo tërthorazi erdhën në Ballkan dhe kanë patur ndikimin e caktuar në vetëdien e këtyre popujve.

Një nga ato mësime është edhe rifaizmi, i cili në këto hapësirat tona gjeografike, gjeti ithtarët dhe mbështetësit e vet të devotshëm dhe të përkushtuar. E, një ndër pasuesit konsekuent të këtij mësimi apo rendi, është edhe Mehmet Efendi Grupçini, për të cilin do të flasim e shkruajmë në vazhdim të këtij publikimi.

MEHMET EFENDI GRUPÇINI (1752-1822)

Themelues i Teqes së radhës së dervishëve të sektit r i f a i (r u f a i), i themeluar nga Sejid Ahmed al Rufai (lindur më 1117 dhe vdes më 1183 në Um Abida- Basra, Irak) , ku shndërrohet edhe në qendër pelegrinazhi për rifaitë. Këtu nuk do të pretendojmë të shpjegojmë mësimet filozofike dhe mistike të sektit në fjalë, por duam të flasim për ndikimin e këtij rendi në viset shqiptare të Maqedonisë.

Nga shumë dokumente të ndryshme konstatohet se një Teqe për praktikimin e ritualeve fetare të këtij rendi dervishësh (që nga europianët quheshin assasin-vrasës), themelohet edhe në Shkup më 1818 (që ka qenë afër xhamisë: “Jahja Pasha”).

Ndjekës të këtij sekti apo rendi, kanë qenë kryesisht zanatçinj dhe shtresa e varfër e qytetit, kurse numër më të vogël kishte edhe nga zanatçinjtë që kalonin në islam. Themelues i Teqes në Shkup ka qenë MEHMET EFENDI GRUPÇINI-TETOVALIA, i cili, që si i vogël ka treguar përkushtim ndaj dijes dhe mësimit dhe, për këtë qëllim, babai i tij e mori në medrese për ta arsimuar.

Pas mbarimit të studimeve në Stamboll, kthehet në Shkup për të filluar veprimtarinë si nëpunës finansiar, me ç’rast mori titullin “hazinedar”. Në këtë kohë, vjen në Shkup arabi Sejd Haxhi Hatifi, i cili ishte r i f a i dhe, Mehmedi u njoftua me të, por edhe me doktrinën e tij filozofike, e, me këtë u bë edhe dervish.

Kur mori diplomën e shehut ose “sheh”, e braktis shërbimin ku punonte, bleu një shtëpi dhe e shndërroi në Teqe, kurse më 1818 e fali tërë pasurinë e tij (dy dyqane lëkure dhe kovaçhane), duke e “derdhur” atë – në shërbim të Teqes, pastaj për të shkuar në “haxhillëk” në Basra, përkatësisht tek varri i Sejd Ahmed al Rufai (ut), në fshatin Um Abida (për të cilin përmendëm më lartë).

Pak kohë pasi kthehet nga pelegrinazhi, vdes më 1822 dhe, pas vdekjes, për sh e h të Teqes Rifai, në vend të tij emërohet Haxhi Baba, i cili, në të njëjtën kohë ishte edhe “qeha” i pasur nga esnafët e çarshisë së Shkupit.

SHARE