Besa dhe drejtësia, garancia e mbijetesës shqiptare

0
155

Nga Henry Noel Brailsford

I vetmi kanun drejtësie është kodi antik i familjeve shqiptare, i cili duhet të jetë thuajse i njëjti me atë që ishte kur akili printe mirmidonët e tij në trojë.

Ka mbetur i pandryshuar qysh nga ditët e para të migrimit arian.

Tezgat e vogla qëndrojnë të hapura rrugëve dhe burra të shkathët me qeleshe të bardha – shqiptari i vërtetë rrallëherë mban një feste myslimane – ulen këmbëkryq prapa pirgjeve të mëdha duhani kontrabandë. Ata e shesin atë haptazi, pa e fshehur.

Dikur kishte degë turke të monopolit të duhanit në Shqipëri, por u pa se ishte shumë e lehtë për të vrarë menaxherët e tyre dhe shumë e vështirë për të kontrolluar tregtinë e duhanit “të lirë”, sa që ato degë pushuan së ekzistuari shumë kohë më parë.

Ato pirgje aromatike prej duhani vendas janë treguesi i anarkisë shqiptare, simboli i dështimit të turqve për të bërë, – qoftë edhe sa për sy e faqe – një përshtypje të zbehtë mbi këtë racë malësorësh.

Rreth tre-katër vjet më parë, si pasojë e një tentative për vrasje ndaj konsullit austriak në Prizren, që për fat të mirë rezultoi e pasuksesshme, filloi vendosja e disa urdhrave qeveritarë në atë qytet. Gjaku i konsujve është gjithmonë fara e qytetërimit në Turqi.

Në Pejë dhe në Gjakovë vazhdon të mos ekzistojë as ligj e as gjykatë. Kodi civil, pak a shumë ai i modelit napoleonik, të cilin Turqia e zotëron, nuk është në fuqi në këto qytete. Kjo drejtësi, ashtu siç administrohet, edhe trajtohet nga funksionarë fetarë, Kodi i të cilëve është Kurani.

Për sa i takon anës civile të politikës, jemi ende në kulm të Islamit. Kadiu e administron ligjin ashtu siç ky u përcaktua nga Profeti dhe gjykata e tij zbaton të njëjtat parime dhe të njëjtat ceremoni që mbizotëronin kur Barmakidët ishin kalifë në Bagdad.

Është ende bota e “Njëmijë e një netëve” dhe këtu në Europë, larg veç një ditë me tren nga Vjena, ne jemi në Lindje dhe në Mesjetë.

Diku tjetër në Shqipëri – në Shkodër, për shembull – edhe ligji i Kuranit është i panjohur. I vetmi kanun drejtësie është kodi antik i familjeve shqiptare, i cili duhet të jetë thuajse i njëjti me atë që ishte kur Akili printe Mirmidonët e tij në Trojë.

Ai trajton kryesisht vrasjen dhe ndëshkimin e saj, shpjegon në çfarë rrethanash shtëpia e një burri duhet të rrënohet, kur biri duhet të vdesë për mëkatet e atit dhe në çfarë kushtesh një burrë duhet të marrë malet e t’i përkushtohet kërkimit të hakmarrjes në një jetë të jashtëligjshme.

Turqit, hoqën dorë të dëshpëruar nga zëvendësimi i këtij kodi me ndonjë të tyrin dhe në të fakt shtypën një përkthim të një versioni të papërpunuar të tij, në kalendarin zyrtar të Vilajetit të Shkodrës, duke e adoptuar atë si ligjin e asaj toke.

Historiani në kërkim të ironive dhe anomalive nuk të mund të gjejë asnjë dallim më të çuditshëm se sa ai mes turqve dhe shqiptarëve – të parët, një racë aziatike gjaku mongol dhe me dhuntitë më të varfra intelektuale, pajisur sot, në sajë të ndikimit arab, me kode ligjore të së drejtës njerëzore, të hollësishme; të dytët, një popull evropian i grupit arian, që pjesërisht lëvdohet me njëfarë krishterimi sa për emër, të talentuar, të shpejtë e inteligjentë dhe në kontakt përmes epokave me qytetërimin grek dhe latin, akoma të kënaqur sot e kësaj dite në shekullin e njëzetë me një sërë institucionesh të cilat kanë mbetur të pandryshuara qysh nga ditët e para të migrimit arian.

Botues: London Methuen, 1906

SHARE