Vuçiqi mbron Gruevskin, ka një pyetje për Zaevin

0
115

Beograd, 20 nëntor – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një interviste në TV Hepi të Beogradit, e ka pranuar se ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski me rastin e ikjes në Hungari ka kaluar nëpër Serbi, megjithatë, ai ka akuzuar autoritetet e Maqedonisë se fletëarresti kundër Gruevskit është shpallur tre ditë pas arratisjes, shkruan gazeta KOHA.

“Në ditën kur nga Mali i Zi ka kaluar nëpër Serbi në drejtim të Hungarisë, ndaj Gruevskit nuk ka pasur fletëarrest ndërkombëtar, prandaj autoritetet serbe nuk kanë pasur si ta ndalojnë”, është shprehur presidenti serb.

Vuçiqi tha se urdhërarresti për Gruevskin ka arritur dy ditë pasi ai të kalonte nëpër Serbi, ndërsa ka shtruar pyetje si u bë që ai të dalë nga Maqedonia, të hyjë në Shqipëri në rrugë për në Mal të Zi duke qenë i kërkuar për të vuajtur dënimin.

Dënimi me dy vite burg për mercedesin luksoz prej rreth 600 mijë eurove, Vuçiqi e ka quajtur absurd. “Mercedes të tillë, me të njëjtin çmim dhe me të njëjtën procedurë, pa tender, ka blerë edhe Tadiçi kur ishte kryemijistër dhe sot ai mercedes është pronë e shtetit, njëjtë sikurse në Maqedoni, ku mercedesi përdoret për delegacionet e larta shtetërore dhe ndërkombëtare.

Dhe çfarë duhet të bëjmë ne, ta arrestojmë dhe dënojmë me burg Tadiçin?”, ka thënë Vuçiqi, duke konfirmuar se me Gruevskin ka pasur marrëdhënie të ngushta, ndërsa me Zaevin thotë të ketë marrëdhënie korrekte.

SHARE