Bullgarët kushtëzojnë Shkupin: Nuk pranojnë emërimin “gjuha maqedonase”

0
101

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev iu është përgjigjur deklaratave të fundit të zyrtarëve të lartë të Bullgarisë, lidhur me pohimet e tij për gjuhën dhe kombin maqedonas.

Ai ka theksuar se askush në botë nuk mund t’i kontestojë dikujt të drejtën e përcaktimit etnik, që sipas Zaevit është vlerë evropiane që duhet të pranohet nga të gjithë.

Reagimet e zyrtarëve bullgarë kishin pasuar një deklaratë të shefit të ekzekutivit në Shkup se, “Marrëveshja e Prespës vërteton ekzistencën e gjuhës maqedonase dhe se askush nuk do të ketë më të drejtën ta kontestojë”.

Krasimir Karakaçanov, zëvendëskryeministër për Sigurinë dhe ministër i Mbrojtjes në Bullgari, e paralajmëroi Zaevin të mos keqpërdorë temën e gjuhës maqedonase.

“Kjo mund t’iu kushtojë anëtarësimin në NATO dhe në BE”, tha ai, duke theksuar se Maqedonia e Veriut është emërtim gjeografik që përfshin edhe territore të Republikës së Bullgarisë.

Maqedonia dhe Bullgaria e arritën më 1 gusht marrëveshjen e fqinjësisë së mirë, përmes së cilës pretendohet të zgjidhin mosmarrëveshjet historike që kanë të bëjnë me gjuhën, kulturën dhe historinë maqedonase të paraluftës së Dytë Botërore.

Marrëveshja ishte nënshkruar edhe në gjuhën maqedonase, të cilën tani zyrtarët bullgarë e mohojnë.

SHARE