Paga mesatare, pagë sa për ushqim dhe fatura

0
96

Rroga mesatare në Maqedoni prej afër 400 euro, apo 24.355 denarë, mbulon vetëm harxhimet e ushqimit dhe banimit të vlefshme së bashku 24.100 denarë. Përllogaritjet e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë tregojnë se shporta konsumatore në muajin qershor të këtij viti kishte vlerën e 32.658 denarë në raport me pagën mesatare prej 24 355 denarë, shkruan gazeta KOHA.

Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se për të siguruar gjërat elementare, një familje katër anëtarëshe i mungojnë 30 për qind të holla apo mbi 9000 denarë për mbulimin e harxhimeve të shportës sindikale minimale.

Shuma prej afër 33 mijë denarë nevojitet për një familje prej 4 anëtarëshe, e cila jeton në banesë prej 50 metrash katrorë dhe nuk posedon veturë. Në këtë vlerë janë llogaritur 13.609 denarë për ushqim dhe pije, për harxhimet e banimit nevojiten 10.491 denarë, për higjienë 2308 denarë, për transport 2349 denarë, për veshmbathje 2147 denarë, për kulturë 1070 denarë dhe për shëndetësi – 683 denarë.

Në ndërkohë, përkundër rritjes së butë së pagave në shtet, megjithatë akoma çmimi i punës në Maqedoni po vlerësohet fare pak. Të dhënat statistikore tregojnë se gati gjysma e punëtorëve në shtet pranojnë paga më të ulëta se mesatarja shtetërore.

Në sektorin e industrisë dhe bujqësisë, pagat në muajin shtator ishin afër 20 mijë denarë. Bile, në fabrikat e veshmbathjes, të lëkurës dhe të mobilierive në shtet, punëtorët marrin në mesatare nga 15 mijë denarë në muaj. Të dhënat e fundit, sipas një pjese të sindikalistëve, janë më shumë se brengosëse.

MUNGON SHPËRNDARJA E BARABARTË

“Pagat ndoshta diku edhe rriten, megjithatë në përgjithësi janë më të ulëtat në rajon me përjashtim të Kosovës. Një gjendje e tillë i detyrohet faktit se një pjesë e caktuar e punëdhënësve nuk janë të gatshëm që në mënyrë përkatëse të vlerësojnë si duhet mundin e punëtorit, apo me fjalë të tjera – në rend të parë e kanë fitimin.

Në këtë periudhë, gati çerek shekulli të tranzicionit në shtet, pagat janë rritur për 100 për qind, por megjithatë kapitali është rritur për së paku tre herë. Me fjalë të tjera, na mungon një shpërndarje e barabartë midis punës dhe kapitalit, ku çdo kush do të ketë kulaçin e tij për një jetesë normale në Maqedoni”, thotë Pece Ristevski, kryetari i Sindikatës së industrisë, xehetarisë dhe energjetikës.

Sipas tij, edhe rritja e pagës minimale në 12 mijë denarë nga njëra anë ka sjellë përfitime, ndërsa nga ana tjetër – pagat e tjera nuk janë rritur për shkak se punëdhënësve ju mungon një guxim më i madh për diçka të tillë.

Në ndërkohë, rënia e standardit jetësor kanë detyruar qytetarët që të ulin shpenzimet dhe të orientohen në mbulimin vetëm të harxhimeve të domosdoshme të jetesës, si dhe të kalkulojnë me hyrjen në borxhe të ndryshme kreditore dhe në kartela që të kapërcejnë muajin.

Sipas ekspertëve ekonomik, pagat e ulëta në Maqedoni që shumë pak ndjekin rritjen e kostos së jetesës janë rrjedhojë e më shumë problemeve, andaj kërkohen ndryshime strukturore në ekonominë vendore me rritjen e sektorit eksportues, fuqizimin e sipërmarrjes dhe hapjen e vendeve të punës nga investitorët real që do të bashkëpunojnë në mënyrë maksimale me kompanitë vendore .

Kërkohet edhe ngadalësimi i punësimit në administratën e mbingarkuar shtetërore. Vlerësohet se në nivelin e mesatares së përgjithshme të pagave në Maqedoni, ndikojnë edhe investitorët e huaj që janë të joshur të investojnë me pagat e ulëta që ua paguajnë punëtorëve. Në ndërkohë, punëdhënësit dhe analistët ekonomik vlerësojnë se rrogat si minimale ashtu edhe mesatare, duhet të rriten, por vetëm me kusht të shëndoshjes së ekonomisë dhe rritjes ekonomike më të madhe në Maqedoni.

“Pagat janë pasqyrë e ekonomisë sonë, gjegjësisht çfarë ekonomie kemi të tilla janë edhe pagat që vështirë se mund të rriten dukshëm nëse nuk kemi rritje më të madhe ekonomike, hapje të vendeve të reja të punës dhe fitim më të madh të sektorit privat.

Nga ana tjetër, ata të punësuar që fitojnë më pak se 20 mijë denarë punojnë nën dinjitetin material, ndërsa ato që marrin paga nën 12 mijë denarë, punojnë nën dinjitetin etik. Gjithashtu, edhe mungesa e vetëdijes së një pjese të punëdhënësve se mundi duhet të paguhet, por edhe mungesa e kuadrit cilësor ndikon në nivelin e pagave”, vlerësojnë analistët .

MAQEDONIA, SA 36 PËR QIND E MESATARES NË BE

Sipas EUROSTAT, në vitin 2017, qytetarët e Maqedonisë kishin të ardhura sa 36 për qind e mesatares së Bashkimit Evropian. Në rajon, më mirë paraqitet Mali i Zi, që ka arritur në 46 për qind e mesatares së BE-së. Serbia e ka nivelin sa 36 për qind e mesatares së BE-së. Nga ana tjetër, Shqipëria ka 30 për qind të mesatares, ndërsa Bosnje e Hercegovina në vitin 2017 kishte 32 për qind të të ardhurave mesatare në BE.

Edhe në indikatorin apo treguesin tjetër ekonomik, atë të konsumit individual për frymë, Shqipëria rezulton e fundit, me 39 për qind të mesatares evropiane. Maqedonia dhe Bosnja e kanë këtë tregues në 41 për qind , Serbia 45 për qind dhe Mali i Zi 56 për qind. Në Evropë, të ardhurat më të larta për frymë i ka Luksemburgu me 253 për qind të mesatares së BE. Ndërmjet shteteve anëtare në vitin 2017, konsumi për frymë, shprehur në Standardet e Fuqisë Blerëse (PPS) ndryshonte nga 54 për qind e mesatares së Bashkimit Evropian (BE) në Bullgari në 132 për qind në Luksemburg.

Tetëmbëdhjetë shtete anëtare kishin konsum për frymë nën mesataren e BE-së, ndërsa dhjetë shtete anëtare regjistruan konsum mbi mesataren e BE-së në vitin 2017. Niveli më i lartë në BE u regjistrua në Luksemburg, 32 për qind mbi mesataren e BE-së, përpara Gjermanisë me 22 për qind më shumë.

Ato u pasuan nga Austria, Danimarka dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilat regjistrojnë nivele rreth 15 dhe 20 për qind mbi mesataren e BE-së, dhe Belgjika, Finlanda, Holanda, Suedia dhe Franca me nivele rreth 10 për qind mbi mesataren e BE-së. Konsumi për banorë në Itali, Irlandë dhe Qipro, nivelet ishin më pak se 10 për qind nën mesataren e BE-së, ndërsa Spanja, Lituania, Çekia dhe Portugalia ishin midis 10 dhe 20 për qind më poshtë.

Malta, Sllovenia, Greqia, Polonia, Sllovakia dhe Estonia ishin midis 20 dhe 30 për qind nën mesataren. Letonia, Rumania, Kroacia dhe Hungaria ishin midis 30 dhe 40 për qind më poshtë, ndërsa Bullgaria kishte të ardhura për frymë më shumë se 40 për qind nën mesataren e BE.

SHARE