Shtetet e BE-së në KS të OKB, bashkë për Kosovën: Ushtria, e drejtë sovrane

0
66

8 shtete anëtare aktuale dhe të tjera që do të bëhen pjesë vitin tjetër në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, janë bërë bashkë për të përkrahur të drejtën e Kosovës për të pasur ushtri.

Deklarata është nënshkruar nga Britania e Madhe, Belgjika, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Polonia dhe Suedia. Në të thuhet se është e drejtë e Kosovës që të krijojë ushtrinë e saj, raporton KTV.

“Inicimi i procesit për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës është e drejtë sovrane e Kosovës. Ne e kemi parasysh përkushtimin e Kosovës për transformimin gradual të forcës së sigurisë, në koordinim të plotë me NATO-n dhe partnerët e saj.

Ne i bëjmë thirrje Kosovës që ta bëjë tranzicionin e FSK-në në 10 vitet e ardhshme në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, për të përfshirë komunitetet dhe bëjmë thirrje që kjo të mos ndikojë në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ne gjithashtu bëjmë thirrje që të ruhet marrëveshja me KFOR-in sa i përket operimit të FSK-së në veri”, thuhet në komunikatën e përbashkët.

Aty thuhet se të dyja palët duhet të tregojnë përmbajtje dhe të ulin tensionet për të krijuar kushte për vazhdimin sa më të shpejtë të dialogut me ndërmjetësimin e BE-së.

“Arritja e një marrëveshje që i adreson të gjitha çështjet e hapura duhet të mbetet prioritet”, thuhet në fund.

SHARE