Presidenti Erdogan: Mos prisni drejtësi tek Kombet e Bashkuara

0
93

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë një fjalimi në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për shkencëtarët dhe akademikët ka deklaruar “Mos prisni, mos kërkoni drejtësi as te Këshilli i Sigurimit të OKB-së, as tek Kombet e Bashkuara, sepse nuk ka një gjë të tillë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan mbajti një fjalim në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për shkencëtarët dhe akademikët që kanë kontribuar në literaturën shkencore të Turqisë dhe atë botërore, aktivitet ky i organizuar nga Institucioni i Studimeve Shkencore dhe Teknologjike të Turqisë (TÜBİTAK) si dhe nga Akademia e Shkencave të Turqisë (TÜBA).

“Muslimanëve nuk iu është njohur e drejta që të shprehen as për të ardhmen e tyre dhe as për çështjet e përbashkëta të njerëzisë. Fakti që bota islame me një popullsi prej 1.7 miliardë nuk ka as edhe një anëtar të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së është rezultat i këtij shtrembërimi. Prandaj unë them se ‘Bota është më e madhe se 5. As shpërndarja e këtyre 5 vendeve në botë nuk është e drejtë. Po ashtu as në pikën e kontinenteve, besimeve dhe etniciteteve”, tha Erdoğan.

Sipas tij, “Ka gjithsej 194 anëtarë, 5 anëtarë të përhershëm dhe në anën e tyre 15 anëtarë të përkohshëm dhe me këtë gënjejnë botën. Sepse 15 anëtarët e përkohshëm nuk kanë asnjë vlerë, vetëm ulin dhe ngrenë dorën. Çdo gjë varet prej atyre 5 vendeve ku njëri nga këta anëtarë mund të bllokojë çdo gjë”.

“Pra, ku mbesin fjalët se kjo është themeluar mbi drejtësinë dhe për të siguruar drejtësinë në botë? Mos prisni, mos kërkoni drejtësi as te Këshilli i Sigurimit të OKB-së, as tek Kombet e Bashkuara, sepse ketegorikisht nuk ka një gjë të tillë. Janë përpjekur që konfliktet, tensionet, mungesën e arsimimit, varfërinë dhe varësinë e jashtme t’i bëjnë të jenë fati i botës sonë. Për fat të keq, ndërtuesit e këtij sistemi kanë qenë pjesërisht të suksesshëm”, theksoi Erdoğan për të shtuar më tej:

“Sot, kur shohim botën islame, po dëshmojmë një peizazh që konsumon më shumë energji me konflikte të brendshme, se sa në vend që ta vënë atë në studime shkencore, akademike dhe kulturore. Kur shohim në mjedisin tonë, ne përballemi me një gjeografi që lufton me probleme në shumë fusha çështjet që shkojnë nga shpërndarja e të ardhurave drejt drejtësisë, diplomacisë, demokracisë, ekonomisë, të drejtave dhe lirive”.

Duke tërhequr vëmendjen se pozita gjeografike islame në kohët e fundit është bërë produkt i një loje të madhe, Erdoğan tha se “Burimet e tyre u shfrytëzuan, tokat e tyre ishin të fragmentuara dhe kufijtë e tyre u riformuan sipas llogarive për naftën, arin, diamantet dhe interesave. Sistemi i ri global, i ndërtuar pas Luftës së Parë Botërore dhe i fortifikuar pas Luftës së Dytë Botërore, e shtyu botën islame në rrugë. Në këtë sistem të ri, muslimanëve nuk u jepet e drejta të flasin as për të ardhmen e tyre dhe çështjet e përbashkëta të njerëzimit”.

Në lidhje me hapat e bëra nga Turqia në 16 vitet e fundit, presidenti Erdoğan tha: “Turqia ka shpërbërë varësinë që i është imponuar për shekuj ndaj saj dhe kulturës së saj. Gjatë kësaj periudhe vendi ynë ka arritur shumë përparime nga ekonmia, industria, tregtia, transporti dhe teknologjia. Me veprimet e realizuara është rritur besimi i popullit, është rritur vetëbesimi i tij”.

SHARE