“Golat vendimtarë i kam shënuar në Ukrainë”

0
85

Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani, që mban edhe rekordin e golave me 18 të tillë, ka rrëfyer disa nga momentet më të veçanta në karrierën e tij. Ai tregon planet e të ardhmes dhe disa episode si trajner i ekipeve kombëtare.

TRAJNERI I KOMBËTARES U-19 – “Ishte eksperiencë pozitive. Falenderoj Armand Dukën dhe Federatën për mbështetjen. Në këto 3 vite e gjysme si pjesë e stafit të De Biasit dhe më pas si trajner i U-19 do të më shërbejnë shumë.

Në punën me ekipet e moshave rezultati nuk është primar. Kemi luajtur kundër ekipeve të forta, me pak fat, disa rezultate mund të ishin në favorin tonë”, – u shpreh fillimisht për “InTv”, Bogdani.

TALENTET – “Fjala talent është e madhe. Një talent bën diferencën me ekipet e para. Vështirë se mund të thuash se kemi talente, pasi nuk kemi lojtarë 19-vjeçarë që luajnë me ekipet e para.”

E ARDHMJA – “Largimi im ishte një ndarje me konsesus midis 2 palëve, sepse dua të vazhdoj karrierën si trajner. Tani do të kthehem në Itali. Kam folur me menaxherët për të kontaktuar ndonjë skuadër, pasi më pëlqen të stërvit dhe të bëj trajnerin. Shpresoj të gjej një skuadër që të jap eksperiencën time.”

KARRIERA SI FUTBOLLIST – “Me të gjitha ekipet ku ka luajtur ia kam kaluar mirë. Do të veçoja Siena-n dhe Cesena-n, ku pavarësisht ndeshjeve, jam pritur mirë nga qyteti. Kulmi i karrierë sime ka qenë te Siena, ku kam bërë 11 gola. Megjithatë, kulmi i një futbollisti është kur luan me ekipin kombëtar dhe shënon shumë gola. Këto gjëra i kam arritur dhe jam krenar.”

MOMENTET E VËSHTIRA – “Çdo futbollist ka momente të vështira. Eksperienca negative kam pasur prej dëmtimeve. U bëj thirrje lojtarëve që, në rast dëmtimesh, të punojnë fort për t’u rikuperuar, pasi futbolli do sakrificë.

Golat më vendimtarë me Kombëtaren i kam bërë në transfertën e Ukrainës në një ndeshje që përfundoi 2-2. Si kundërshtarin më të vështirë do të veçoja mbrojtësit Stam, Maldini, Samuel, Cannavaro apo Thuram. Mbrojtës që e kam pasur të vështirë t’i kaloja, por edhe u kam shënuar.”

KOMBËTARJA – “Do të doja të kisha luajtur kundër Serbisë. E kam ndjekur nga televizori dhe ishte shumë emocionuese. Ka qenë ndeshje e bukur, për mendimin tim, nëse ndeshja do të vazhdohej të luhej, do ta fitonim ne.

Unë kam luajtur pak me De Biasin, ndërsa më pas kam qenë pjesë e stafit. Shumë gjëra u mblodhën bashkë për atë sukes. Trepikëshi që morëm në tavolinë ndaj Serbisë na ndihmoi nga ana morale. Çunat punuan fort edhe në barazimin 0-0 në Danimarkë. Europiani do të ngelet në zemrën time.

E kam të vështirë të flas për Kombëtaren tani, pasi e shoh vetëm nga televizori ose stadium. Panuccit i është dashur të ndryshojë shumë, pasi kemi një ndërrim brezash. Nga lojtarët me të ardhme të madhe do të veçoja Asanin e Partizanit dhe Trashin.”

SHARE