8 linja të reja ajrore nga Shkupi dhe Ohri, qeveria nënshkruan marrëveshje me Wizzair

0
21

Badeni, Bremeni, Larnaka dhe Turku nga aeroporti i Shkupit, Malmo, Milano, Memingeni dhe Dortmundi nga Aeroporti i Ohrit janë 8 destinacionet e reja përmes avio-kompanisë “Wizzair” që do të kenë në dispozicion qytetarët e Maqedonisë. Nga “Wizzair” sot paralajmëruan se biletat për këto destinacione do të fillojnë nga 1.164 denarë, apo 20 euro. Ndërkohë u paralajmërua se në korrik do të vendoset në funksion edhe avioni i pestë.

“Aeroplani i pestë do të na mundësojë të rritemi sa i takon shpeshtësisë së shërbimeve tona nga Shkupi. Kështu që, do të shpeshtohen fluturimet drejt Geteborgut edhe atë nga katër në pesë fluturime, drejt Hamburgut nga dy në tre, drejt Këlnit nga tre në katër, dhe drejt Maltës nga dy në tre fluturime në javë. Drejt Bazelit do të fluturohet tre herë në ditë”, tha Xhorxh Mihallopullos, “VIZER”.

Në pajtueshmëri me marrëveshjen, kjo kompani ajrore ka për detyrë që të hapë gjithsej gjashtë linja të reja, edhe atë dy nga Shkupi dhe katër nga Ohri. Dy linjat e para nga Ohri, “Wizzair”, do të duhet t’i hapë nga 26 marsi i këtij viti, kurse dy të tjerat brenda një viti nga dita e lidhjes së marrëveshjes.

Mbështetja financiare, të cilën e siguroi Qeveria është 312 milionë denarë ose rreth 5 milionë euro, për periudhë deri në vitin 2022. Për vitin 2019 janë paraparë 86 milionë denarë, për vitin 2020 dhe 2021 -104 milionë denarë, kurse për vitin 2022 – 17 milionë denarë.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë përmes Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, do të ndajë ndihmë financiare në vlerë prej 40 mijë eurove për secilin destinacion të ri në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit dhe Aeroportin Ndërkombëtar “Shën Apostoll Pavlle” në Ohër. Për secilin destinacion të ri nga Shkupi do të ndahet ndihmë financiare nga 9 euro për një pasagjer në vitin e parë të zbatimit të Marrëveshjes, nga 8 euro në të dytin vit dhe nga 7 euro në vitin e tretë”, u shpreh Goran Sugareski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Hapja e linjave të reja ajrore u mundësua përmes tenderit për kompani me buxhet të ulët, të cilin e shpalli Qeveria. Në këtë tender, kompania e vetme që u paraqit ishte kompania “Wizzair”, e cila tashmë është në shërbim të qytetarëve të Maqedonisë. Marrëveshja për subvencionimin e linjave të lira ajrore u nënshkrua sot në Qeverinë e RM-së.

SHARE