Del video tjetër duke iu ofruar ndihmë të moshuarit në QKUK (VIDEO)

0
85

Pacienti A.H. video e të cilit u publikua mbrëmë në rrjete sociale dhe media ka marrë ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente.

Kështu ka deklaruar sot drejtori i kësaj klinike, Basri Lenjani, në një konferencë për media.

Klan Kosova ka arritur të sigurojë pamje nga kamerat e sigurisë ku shihet se pacienti A.H. është vizituar disa herë nga infermierët, madje pas kontrollimit, siç shihet edhe në video, ka pasur një përqafim ndërmjet infermierit dhe pacientit.

Ai fillimisht duket se e pyet diçka pastaj ia merr dokumentacionin dhe konsultohet me mjekët në repart.

Pas kësaj video, ka reaguar sot edhe Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së, duke deklaruar se mjekët kujdestarë e kanë kontrolluar pacientin A.H disa herë brenda kohës sa ka qëndruar në spital.

“Mjekët kujdestarë në Klinikën Emergjente me datë 16.01.2019, në bazë të raporteve mjekësore dëshmojnë për trajtimin e pacientit me inicialet A.H.”.

“I njëjti është pranuar, diagnostifikuar dhe në të njëjtën kohë janë konsultuar shërbimet subspecialistike”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së.

Pacienti thuhet se është sjellë me autoambulancë nga Mitrovica për në Klinikën Emergjente në Prishtinë.

“Pacienti ka qëndruar në Klinikën Emergjente edhe për një kohë pas trajtimit për shkak se është pritur që të vijë ndonjë i afërm ta marrë”.

Videoja e të moshuarit është postuar nga një qytetar duke u shpërndarë më pas në rrjete sociale fillimisht dhe më pas edhe në media.

Klan Kosova ka kontaktuar edhe me familjarët e të moshuarit A.H të cilët kanë thënë se “mjekët në fillim i kanë dhënë një injeksion dhe disa hapa, pas kësaj nuk e kanë pranuar për ta shtrirë në spital”.

SHARE