Fakt i Kryer, Lenjani Firmos Në Zvicër

0
133

Ermir Lenjani ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me Sion në kampionatin zvicerian, ku trajner i skuadrës është Paolo Tramezzani, ish-zëvendësi i De Biasit te Kombëtarja shqiptare. Pikërisht njohja e mesfushori kuqezi me trajnerin ka çuar në firmosjen e kontratës. Mësohet se paga e Lenjanit do të jetë afro 350 mijë euro në sezon.

Ermir Lenjani, me eksperiencën që ka, jo vetëm në arenën europiane, por edhe me Kombëtaren, ka bindur Tramezzanin që në ditët e para kur ka marrë drejtimin e Sionit. Ish-zëvendëstrajneri i Kombëtares shqiptare e ka zbuluar mesfushorin për ta marrë në radhët e Shqipërisë disa vite më parë dhe tashmë, që do të jetë në krye të ekipit zviceran, e do shqiptarin si element të shtuar për të arritur objektivat.

Lenjani ka mbyllur kontratën e tij me Renne në fund të sezonit që lamë pas, ku drejtuesit e skuadrës e kanë bllokuar atë për një vit, duke mos e lejuar të luante, por as të transferohej në një tjetër skuadër. Futbollisti kuqezi do të jetë një përforcim i shtuar për Tramezzanin, duke qenë se është lojtar anësor që mund të bëjë edhe rolin e mbrojtësit të majtë, por edhe të mesfushorit.

Gjatë këtyre ditëve, pritet që klubi zviceran të bëjë edhe zyrtarizimin dhe prezantimin e tij si lojtarin më të ri. Sioni do të jetë skuadër që do të marrë pjesë edhe në Europa League, ndaj edhe për vetë mesfushorin e Kombëtares do të jetë një mundësi e mirë për të treguar vlerat e tij si futbollist.

SHARE