Pse u dënove, kur ti nuk e shpife kurrë?

0
35

Kristo MËRTIRI

-Na begenis pak, o miku ynë në metropol! Nuk na thosh kot baba Gaqo Cami në Tepelenë, që e njihte mirë ekonominë e lirë të tregut qysh para Çlirimit : “Djemo, flisni pak e dëgjoni shumë!” ose “Edhe dëbora është e bardhë, por e menderosin qentë”. Po të duash, pyet edhe Profesorin e shquar kardiolog, Pandeli Çina, që e ka njohur herët nga afër, bashkë me djemtë. Dyqani i tij u bë edhe një vatër e vogël kuvendimesh e ndihme konkrete në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Ndërsa një nga bijtë doli partizan në moshë fare të njomë, kur Atdheu lëngonte nën çizmet e pushtuesit… Ku duam ta ngasim muhabetin? Shumë llafollogjira po dëgjojmë e këndojmë nëpër gazeta e televizione, për një paketë (jo me cigare) me kapituj e nene qeveritare kundër shpifjes në media. Medemek “të mos cenojmë dinjitetin, të drejtat dhe liritë e njeriut”! Kaq shumë vuajnë e përpëliten edhe natën në gjumë disa kokoroçë me kolltuqe zyrtare?

Kohët e fundit, bëre mirë që shkrove dhe i mëshove fort idesë agolliane, se shtypi nuk është kurrsesi si armët pa leje. Veçse për këtë paketën – taze që ndryshon e kullandris Ligjin për Median, sikur po rri këmbëkryq përmbi selishtë. Kaq shpejt e harrove kalvarin tënd hetimor e gjyqësor 23 vite më parë, pasi u kishin grabitur dhunshëm gazetën “Bashkimi” e të hodhën në mes të katër udhëve dhe nuk donin të të jepnin as thërrimet e “asistencës sociale”?!…Ti, nuk shpife kurrë.

Por në një shkrim të botuar në “Kombi” me firmën e tjetër kujt dhe pas padisë së SHIK-ut me firmën e Gazidedes, çuditërisht gjykata e Kryeqytetit të dënoi me një milion lekë të vjetra! Atëherë, nuk ishin pak apo jo? Ndërsa sot është dhjetëfishuar në atë paketë terrori financiar e psikologjik. Ta besojmë vërtet si një sulm prapa shpine kundër Lirisë së Fjalës?! Themi “prapa shpine” sepse 4 organizata ndërkombëtare të Medias folën hapur e publikisht, pa bajame nëpër dhëmbë : “Shprehim zhgënjim të thellë se ky ligj është hartuar pas dyerve të mbyllura”.

Kush kërkon ta rikthejë atë kohë të nëmur? Aq më keq kur na bën me dije se AMA dhe Këshilli i Ankesave mund të vulosin gjoba mbi 8 mijë euro, madje dhe të urdhërojnë vënien e drynit në ato redaksira “rebele”!… Aman, moj AMA, t’u bëfshim kurban, mos e ngri atë “këshill censure”, mos kopjo qeveritarë e juristë militantozuzarë! Ore babam, a di ti se kush të gjykoi e dënoi halldupçe në Gjykatë?

Po ta themi ne: Një ish-teknike ndërtimi dhe ushtare nga më shembulloret e SHIK-ut, që u ormis e bitis në atë kursin varrmihës të plepave në Durrës! Që më vonë u shpërblye jo pak nga partia e parë opozitare në Shqipëri, me një post në shkallë vendi e të miratuar edhe në Parlamentin e 1000 çudirave, post për “mbrojtjen” e të drejtave të Njerëzisë (?!). Ulëri po deshe… Çudirat dhe pataksirat nuk paskan të sosur. Vërsnikët e mi që jetojnë e punojnë te Gryka e Këlcyrë-Mezhgoranit dhe pa asnjë teserë partiake, i thonë gjërat shkoqur e larg interesave meskine. Ata t’i këndojnë kartat në xhep e pa iu lëpirë askujt. Kjo kupolë politike majtas e djathtas, është tepër larg njerëzve të thjeshtë. Në thelb, ja deviza e saj: “Bjer o shi, në arën time!”

Ajo Paketa Antishpifje, në fund të fundit do të jetë një tjetër “këmishë antiplumb” për qeveritarë e zyrtarë memurë. Dhe nuk mund të pagëzohet fët e fët “vendim historik”, sipas broçkullës që lëshoi Taulant Balla pas gjyqit karnavalesk me Lul Bashën! T’i rikthehesh me “përgjërim” asaj të kaluare të zezë për Median, në vitin 2019, nuk mund të mjaftohesh me vënien e duarve në kokë as thjesht me rënkime e mallkime.

Pushkatimi ekonomik i të gjallëve nganjëherë ua kalon edhe qelive ku të shërbejnë falas gardianë, mjekë, kuzhinierë e hotelierë, psikologë e gjithologë të OJQ-ve të mbytura me mashtrues e demagogë. Sepse kurrizi i taksapaguesve shqiptarë është bërë më i butë se barku!…

-“Ti, miku ynë i vjetër, e more vesh vonë të vërtetën e plotë: Po të ishte shkruar gjëkundi qoftë edhe një herë, për shembull, etiketimi “Kryeredaktor” apo “Autor i shkrimit”, me siguri do kishe provuar prangat e Policisë shpellare (sipas një Ligji anadollak). Nga të vetmit burra të mençur e me mandat të përjetshëm popullor, që të doli publikisht në mbrojtje, ishte patriarku i Publicistikës së ndershme, Dritëroi ynë i dashur. I ndrittë shpirti atje ku prehet!…

Asnjë parti politike nuk u prononcua. Edhe Idajet Beqiri, mallakastrioti trim e në ballë të betejave politike, një nga intelektualët që provoi poshtërsisht mbi supe “luftën e re klasore” në monizëm e në pluralizëm, atëherë u arrestua pak minuta para se të fillonte punimet Kuvendi i Unitetit Kombëtar në Pallatin e Kongreseve! Ai burrë sakrifikoi e dha shumë për të Majtën që ish goditur brinjë më brinjë, por nuk kërkoi e as fitoi gjë kur ajo erdhi në pushtet dhe sot e gjithë ditën. Madje, falangat e dikurshme me tipare naziskine, e quajtën pa pikë turpi edhe “bllokmen”(?!).

O Tempora, o Mores! Dhe një ditë trishtimi e hidhërimi pa fund, u ritakuat rastësisht në udhët helm të mërgimit të detyruar… Koha, historia e memoria popullore mbajnë shënim. Për cilindo që merr frymë në këtë vend të trazuar. Ato s’gabojnë kurrë. Se pushtetet vijnë e shkojnë, me “paketa” e trumpeta, me lëpirësa e pështymhedhësa dhe anasjelltas, me intriga e shiringa karrieriste, me servilë e debilë, me bërryla e rryla, me ethebutë e rekrutë, me Vipa e rripa, me poshtërsira e qelbësira, me kukudhë e të paudhë, me vila e llogarira, me hileqarë e tinëzarë etj., etj.

Shkurt, të tjerë punuan, luftuan e u munduan, të tjerë në tepsira e sofra u shtruan! Përvoja mbi 40-vjeçare në Gazetari nuk është aspak e rëndomtë. Është thesar i veçantë. Kam parë e dëgjuar mjaft prototipa të pushtuar nga ethet e kolltukut, nga tamahqarllëku e pangopësia, nga “paraja-maskaraja” që shpesh nuk pyet as për babë e nënë. Dhe për veten e tyre gjoja respektojnë Kodin Civil e Penal, ndërsa për të tjerët kërkojnë “thelë mbi bisht” shtesa e mbulesa, të meta e paketa. Gjithnjë në emër të mbrojtjes nga shpifja (?). Por kësaj i thonë, të shpëtosh nga lumi e të biesh në det! Sepse hakmarrja e pushteteve nuk i nxjerr kollaj kthetrat.

Ajo po bëhet gjithnjë e më e rafinuar, më dinake e më djallëzore ndaj njeriut të ndershëm, krejt ndryshe dhe e veshur tebdil a me maskë “engjëllore”. –Shyqyr që erdhi në Presidencë akademiku e intelektual i vërtetë dhe i pa korruptuar, Profesori i nderuar Rexhep Mejdani, se do hiqje picirin! Është fjala për Amnistinë e shpallur prej tij dhe ndryshimet e Ligjit ogurzi në Parlament… Ama, kur u ktheve nga mërgimi fatgremisur, shumicën e atyre gjyqtarëve në tërë shkallët i gjete duke notuar në luksin e pasurisë së pistë. Gjer më sot edhe Vettingu bubullues nuk ua ka prishur hiç terezinë…

Duke përfunduar këto shënime e përsiatje rreth të ashtuquajturës “Paketë Antishpifje” (veç të tjerave, si iniciativë kundër rekomandimeve të OSBE), mbrëmë u trishtova kur befas m’u faneps një gjurmë e pashlyeshme e me përmasa tragjikomike nga Podgorani i Dëshnicës së Përmetit. Përfytyrova plakun e mirë e të mençur, Arif, që kishte lënë herët Francën për vendlindjen e tij të shenjtë e të shtrenjtë. Kishte punuar shumë. Por kish parë edhe dynja me sy, përtej Trebeshinës e Detit Adriatik.

Mirëpo, në jetë qëllon jo rrallë që “mendja e madhe është edhe e zeza e ta zot”. Në këtë rast nuk është aspak fjala për fodullëkun e mëndjemadhësinë. Veçse ndonjë ngjarje nuk i kapërcen dot as sot kufijtë e të pabesueshmes. Ishin vitet e fundit të tatëpjetës moniste. Të duket ende sikur do të bjerë tavani mbi kokë kur e dëgjon. Ishte koha kur duhej plotësuar “plani i goditjes” sipas atij nenit absurd 55 “për agjitacion e propagandë” kundër pushtetit! Xha Arifit gjuhëzgjidhur e asnjëherë gjuhëpërdredhur, i shpëtonin shpesh fjalët “Këta gënjejnë, më besoni mua…”, sa herë shkeleshin me këmbë të vërtetat.

Por ca kokëtulë “vigjilentë” e që nuk përtonin të jepnin prova “besnikërie”, e bënin hardhinë murriz. Dhe informonin menjëherë për “shpifjet e armikut të klasës”. Dhe kalvari i tmerrshëm tashmë dihet. “Thirri mendjes, Arif! Do marrësh më qafë familjen, me farë e me fis…!”. Dhe u bë gjyqi i paharruar, ku do të jepej vendimi në emër të Republikës, për heqjen e Lirisë dhe vuajtjen e dënimit në burgun e Ballshit, në pleqëri të thellë! Xha Arifi ishte mendje femër, i zgjuar, dinjitoz e i zoti.

Por nuk ua ktheu dot hyxhymin donkishotesk prokurorëve e gjyqtarëve që u kish vdekur mendja. Erdhën çastet kur do thoshte fjalën e fundit edhe për akuzën se “Radio-Tirana a gazetat gënjejnë”. Ashtu i qetë, gjakftohtë, me fjalën ironike si brisk me dy presa e plot vërtetësi, iu drejtua trupit gjykues vetëm me dy a tre fjali mbrojtëse: “ –Unë dëgjoj përnatë parashikimin e motit në Radio, të nesërmen marr edhe gazetën. Ju lutem, mos kërcisni karriget, nuk po tallem.

Fjala vjen, mbrëmë u tha e u shkrojt nga Tirana se sot do kishte diell e hiç vranësira në nahijen tonë. Tani, siç e shikoni, jashtë po bie shi me gjyma! Më thoni ju, u kam rixha, kush gënjen e shpif vallë?!…

SHARE