42 LËNDË PËR NEPOTIZËM (VIDEO)

0
92

Komisioni për parandalimin e korrupsionit publikoi 42 raste të reja të dyshimta për nepotizëm. Në listë u gjendën familjarë të funksionarëve të tanishëm dhe të mëhershëm. Ministra, deputetë, kryetarë komunash, ambasadorë, drejtorë të institucioneve publike, drejtorë të kompanive shtetërore dhe Agjencive si dhe gjykatës dhe anëtarë të Këshillit gjyqësor, sekretarë të përgjithshëm dhe këshilltarë.

Të gjithë janë të dyshuar për përplasje interesash në raste kur janë punësuar familjarë të tyre. Për pjesën më të madhe të personave që u gjetën në listë, opinioni mësoi përmes mediumeve, ndërsa disa emra tjerë sot për herë të parë u paraqitën në Komisionin për parandalimin e korrupsionit.

Si emra të ri që u përmendën sot janë motrat e ministrit të vetëqeverisjes lokale, Suhejl Fazliu- Ajsel Fazliu e cila punon në MPB dhe Vedra Fazliu, e punësuar në Qeveri. Aty është edhe nipi i Fazliut, Abdulkadri i cili është avancuar në pozitën e drejtorit për siguri në sistemin hekurudhor. Nipi i deputetes Frosina Remenski, Zoran Remenski është punësuar në ELEM. Deputetja e LSDM-së Tanja Kovaçeva është e dyshuar se ka ndikuar në punësimin e bashkëshortit të saj, motrës dhe dhëndrit të motrës.

Nga Komisioni publikuan lëndë për nepotizëm të mundshëm edhe në rastin e deputetit Antonio Milloshoski, që daja, kushëriri, kushërira dhe e reja e të cilit janë të punësuar në institucione shtetërore. Në listë u gjend edhe sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev, motra dhe babai i të cilit punojnë në MPB, gjegjësisht në Qendrën për menaxhim me kriza.

Ndërsa bashkëshortja e ish sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Kiril Bozhinovski është punësuar në Agjencinë e komunikimeve elektronike. Nëse ka nepotizëm do duhet të verifikohet edhe në punësimin e vajzave të ish kryetares së Gjykatës kushtetuese, Elena Gosheva. Ndryshe, baxhanaku i Talat Xhaferit, Nuri Bajrami deklaroi se nuk do punojë në rastin lidhur me mbesën e tij. Këtë rast do e shqyrtojë kryetarja e Komisionit.

Në seancën e sotme të Komisionit është vendosur të ngrihet procedurë kundërvajtëse kundër Aziz Pollozhanit, rektor në Universitetin shtetëror “Nënë Tereza” në Shkup për shkak të mungesës së listës anketuese për gjendjen e pasurisë së tij. Pollozhani në këtë pozitë u emërua në prill të vitit të kaluar, ndërsa ende nuk ka dorëzuar listë anketuese për pasurinë e tij dhe pasurinë e anëtarëve të familjes së tij. Ligji thotë se ai ka qenë i obliguar këtë ta bëjë në afat prej 30 ditëve pas marrjes së funksionit.

SHARE