Forca e një nënë përballë sëmuundjes së të birit; historia që përlot (VIDEO)

0
45

Muenis Masha është një djalë 15-vjeçar, por jeta e tij ndryshon nga ajo e moshatarëve të tjerë. Fëmijëria e tij ka qenë mjaft e vështirë. Edhe pse vitet kalojnë, jeta e tij vazhdon ende sot e mbushur me sfida të vazhdueshme për të dhe familjarët e tij. I prekur nga autizmi, çrregullim të cilin prindërit e tij e zbuluan kur ai ishte vetëm 2 vjeç, do t’i përballte ata me një problematikë të vazhdueshme.

Nuk mjaftoi me kaq, por në vitin 2010, familja e tij zbuloi se Muenisi ishte prekur nga një sëmundje e rëndë siç është ajo e tumorit në tru. Diagnostikimi i kësaj sëmundje të vështirë ishte një goditje e rëndë për prindërit e Muenisit. Nëna e tij, Brixhida Muça, me përkrahjen e familjes së saj, nuk është ndarë asnjë moment prej djalit të saj.

“Shenja e parë që u shfaq tek ai ishte ajo e problemeve të dëgjimit. Ai nuk reagonte ndaj zhurmave apo kur e thërrisnim. Aty kuptuam se diçka nuk shkonte dhe e kontrolluam për dëgjimin. Nuk na shkonte mendja për autizëm pasi ai kishte filluar të belbëzonte, ishte shumë i qeshur dhe nuk kishte simptomat tipike të autizmit.

Shkuam në Egjipt dhe atje konstatuam se kishte dëmtim të rëndë të dëgjimit. Në moshën 2-vjeçare u konstatua se ishte me autizëm. Filloi të bëhej agresiv nga i qetë që ishte, më dhunonte. Nuk dija ç’ishte autizmi në atë kohë. U desh shumë kohë që të arrinim një komunikim me të nëpërmjet vizatimit. Ishte një dhimbje e madhe, por forca e besimit më bëri të vazhdoj përpara.

Në moshën 5-vjeçare ai filloi të sillej ndryshe, u dobësua shumë dhe televizorin nisi ta shihte duke qëndruar në profil. E çuam menjëherë në spital dhe zbuluam se ishte me kancer. Nuk e besoja, shkuam në disa mjekë. Ishte një tronditje e madhe. Ishte dhimbje mbi dhimbje, por gjetëm forca për të ecur përpara, për të vazhduar jetën dhe nuk do dorëzohem për djalin tim derisa të kem frymë. Kur ai fle gjumë, ne jetojmë me momentin nëse është apo jo me ne.

Nuk është se nuk derdha lot, por për mua janë forcë lotët. Unë e kam pranuar që një ditë nuk do ta kem, por i kam vënë detyrë vetes se do të jetoj me të, jo duke menduar që nuk do ta kem. Kur e mendoj kështu marr forcë edhe më tepër”, tregoi Brixhida Muça.

SHARE