Çfarë ha një person që prej vitesh nuk preket nga gripi, alergjitë dhe virozat e ndryshme

0
92

Të kemi shëndetin, se të tjerat rregullohen”. Ky është një urim i zakonshëm i shqiptarëve, i përdorur gjerësisht nga shumë popuj të tjerë të botës.

Kjo sepse ëndrra e çdo njeriu është të jetojë gjatë, por mbi të gjitha të jetojë cilësisht – pra, të jetë i shëndetshëm! Sa herë na duhet që për një problem apo një tjetër t’i drejtohemi ndonjë mjeku, dëshira jonë më e madhe është që të luftohet shkaku i sëmundjes, jo pasoja.

Por a është e mundur të arrihet kjo, ndërsa sëmundja është në periudhën inkubatore? Ekziston pikërisht një disiplinë e mjekësisë që ndjek këtë filozofi, e që bashkon dijet e lashta me ato moderne, për t’i ngritur në ditët e sotme në nivel universitar. Natyropatia, mjekësia plotësuese parandaluese.

Ndryshon nga mjekësia klasike që njohim (që njihet si allopatia), pasi kryen një ekzaminim më gjithëpërfshirës, duke shkuar deri në qelizat e organizmit, që përmes analizave tradicionale mund të mos manifestojnë asnjë problem.

Ndonëse e diskutueshme deri diku nga mjekësia klasike, ishte vetë kryemjeku i antikitetit, Hipokrati, një prej mbështetësve të kësaj disipline mjekësore që bashkon anatominë, fiziologjinë, patologjinë, biokiminë, ushqyerjen dhe që e kontrollon organizmin në 360 gradë, përmes iridologjisë, kinesiologjisë, terapisë së ujit, luleve, aromave, rifleksologjisë plantare, akupunkturës, etj. Mbi të gjitha, duke çuar në harmoni ekuilibrin e trupit me metoda natyrale, jo invazive e pa efekte anësore, se nuk bombardoheni me kimikatet e ilaçeve sintetike.

E kush mund të ketë më shumë nevojë për të se ne njerëzorët e kësaj epoke, ku secili prej nesh është prekur nga stresi, lodhja, zakonet e këqija të jetesës, dieta jokorrekte, të cilat reflektohen me probleme në organizëm?

Kjo disiplinë holistike (gjithëpërfshirëse) që ka për qëllim të fitojë mirëqenien e trupit, shpirtit dhe aspektit emocional, mund të ndërhyjë për të përmirësuar çrregullime si depresioni, por edhe të ndihmojë në shmangien e shumë sëmundjeve që shfaqen në horizont.

Arben Gjoni është një nga natyropatët e pakët në Shqipëri që nuk preket as nga gripi, as nga alergjitë e as nga virozat që qarkullojnë për “qejfin e vet” në zona të mbipopulluara. Gjithçka ia dedikon programit të tij ushqimor, që na bëri shumë kuriozë. “Nuk e kuptoj sesi njerëzit nuk ndërgjegjësohen për rëndësinë e vakteve.

Secili prej nesh duhet të marrë një kohë të veçantë gjatë ditës për përgatitjen dhe konsumimin e ushqimit që përmban vlera për trupin. Sado punë të kesh, dreka duhet ngrënë në kohë, pasi në të kundërt prishen ekuilibrat e organizmit, që mund të japin probleme në të ardhmen”, këshillon natyropati. Nuk mjaftojnë këshillat standarde të tipit “jo kafe, cigare e alkool”.

Nga Arben Gjoni mësuam për shembull se për ata që punojnë mbrëmjeve vonë është mirë që darka të mos përmbajë karbohidrate, dhe më mirë akoma është që vakti i fundit i mbrëmjes të dominohet nga perimet jeshile të përgatitura në avull, por jo sallatë jeshile siç bëjmë ne zakonisht.

Ai ka vërejtur gjatë vizitave të kryera që shumica e shqiptarëve kanë probleme me pankreasin, pikërisht sepse nuk i konsumojnë perimet të gatuara në avull, por të ziera, gjë që shkakton një proces zinxhir me efekte negative.

Po kështu, të gjitha bishtajoret është mirë të lihen në ujë për disa ditë para se të gatuhen, pasi vlerat e tyre maksimalizohen kësisoj. Edhe nënat tona sa herë gatuanin fasule mbaj mend që bënin të njëjtë gjë, i fusnin në ujë një natë më parë, që të regjeshin, siç i thoshin ato.

Me qëllim që të jetë sa më i dobishëm natyropati shqiptar ka shkruar edhe një libër “Si të ushqehemi që të mos sëmuremi”. Pasi u shprehëm kureshtarë për dietën e tij, Arbeni përgatiti për ne një drekë me bazë proteinash bimore që përmban koçkulla, një lloj bishtajoreje që nuk njihet shumë në vendin tonë, avokado, gjizë dhe arra.

Gjithçka e shërbyer me vaj lini dhe vaj farash kungulli, që është i dobishëm veçanërisht për meshkujt, pasi stimulon aktivitetin e tyre seksual. Një “bombë” e vërtetë që të karikon me energji deri në mbrëmje, pa pasur nevojë të shoqërohet me bukë./living

SHARE