Goal: Shaqiri, më vendimtar në krahun e djathtë sesa të tjerë lojtarë në Liverpool

0
31

Uebsajti ndërkombëtar i futbollit, Goal.com, e ka publikuar një artikull me titullin: “Vetëm gjashtë gola dhe shtatë asiste – Liverpooli ende në kërkim të një mesfushori kreativ të klasit botëror”. Në këtë artikull, ata e theksuan rolin e Xherdan Shaqirit në krahun e djathtë të sulmit të Liverpoolit.

Shaqiri nuk ka qenë titullar në ndeshjet e fundit të Liverpoolit, pasi duket se ai e ka humbur besimin e trajnerit Jurgen Klopp. Me gjermanin kanë mbetur mjaft të pakënaqur tifozët e Liverpoolit, për shkak të mosinkuadrimit të Shaqirit në ndeshje

“Treshja Henderson, Wijnaldum dhe Fabinho i kanë krijuar vetëm 39 raste për të shënuar gol në gjithsej 70 paraqitje. Mesfushori sulmues, Xherdan Shaqiri, i cili përdoret më së shumti në krahun e djathtë, radhitet më mirë, me 18 raste në 21 ndeshje”, shkruan Goal.com.

“Përveç Naby Keitas, edhe Shaqiri e ka pasur të vështirë të gjejë mundësi që nga fillimi i vitit të ri. Që nga 1 janari, ai ka qenë titullar vetëm dy herë në ndeshjet e Liverpoolit”.

Shaqiri u transferua gjatë verës së kaluar nga Stoke City dhe i ka bërë 11 paraqitje si titullar për Liverpoolin në Premierligë. Dhjetë herë të tjera, ai është aktivizuar nga banka rezervë.

Tifozët e Liverpoolit e kanë vërejtur që në ndeshjet kur Shaqiri ka luajtur që nga minuta e parë, Liverpooli ka fituar gjithmonë, përveç një ndeshjeje të barazuar. Kjo do të thotë që nga 33 pikët e mundshme, Liverpooli i ka marrë plot 31 nga ndeshjet kur Shaqiri ishte titullar.

Shaqiri ka kontribuar në skuadrën e Jurgen Kloppit përmes golave dhe asisteve këtë sezon. Ai ka shënuar gjashtë herë dhe i ka bërë tri asiste. Dy nga golat më të rëndësishme të tij ishin ato që ia siguruan Liverpoolit fitoren kundër Manchester Unitedit, në pjesën e parë të sezonit.

E vetmja ndeshje në të cilët Shaqiri ka qenë titullar dhe nuk ka arritur t’i marrë tri pikët e ndeshjes ishte barazimi kundër Leicester Cityt.

Skuadra e Liverpoolit ka qenë në formë të mirë këtë sezon, duke e humbur vetëm një ndeshje deri më tani. Shumë tifozë të këtij klubi mendojnë se Shaqiri meriton më shumë mundësi për ta dëshmuar talentin.

SHARE