Si e rikujton 14 marsin, Syrja Etemi vllau i dëshmorit nga fshati Sllatinë

0
56

Jeta… Eh, jeta më duket se për mua në këto çaste ka një sens shumë të keq humori. Secila ditë e kësaj shtjelle, paraqet një betejë për mbijetesë.

Secila ditë, secili vit… Kështu më duken edhe ditët e radhës, që presin të më gjejnë në këtë rropull. Më duket se njeriu nganjëherë ka sensin që të parashohë edhe të nesërmen, apo t’i duket si një dezha vy apo si diçka të parë dhe të ndjerë…

…Edhe pse më kishte ditë që kacafytjet me prapëtitë kishin filluar në Malësinë e Karadakut, si në Tanushë, Brezë e Malinë, popullata tetovare më në fund u zgjua nga pllakosja e territ bizantin, e ngjizur me “skllavërinë demokratike”.

Mu këtë ditë u gjet momenti aq i pritshëm për të çuar lartë kokën dhe zërin e kushtrimit : këtu – mu në qendër të qytetit shqiptar, përkatësisht në sheshin që mban emrin e një lugati anonim.

Si një orkestrinë harmonike mirë e organizuar dhe koordinuar nga aktivistë dhe luftëtarë, të cilët nuk e duronin dot përkuljen, u demonstrua revolta kundrejt dhunës së ushtruar ndaj popullit shqiptar në përgjithësi në BJRM, dhe në veçanti ndaj represionit ushtarako – policor ndaj popullatës shqiptare të viseve të lartëcekura, (përkundër organizimit paradoksal të “Tubimit për paqë” – në Shkup, të inskenuar në kuzhinat sllave dhe të realizuar nga kuzhinierë të partizanëve shqipfolësish-vazalë të pushtetarëve serbofilë e bullgarofilë.

Mitingu i “paqës”, siç thamë, një ditë para mbajtjes së protestës gjithëkombëtare të Tetovës, u mbajt në Shkup, në sheshin: “Maршал Тито” me ceremoniale ekstravagande, kur në qiellin e përhirtë, u lëshuan pëllumbat “gri”). Ç’hipokrizi e kohës!… Ç’tragjedi e madhe për kombin! …

U bëra “një ushtar” më tepër në tubimin e Katërmbëdhjetë Marsit, bashkë me tre shokët e mi,duke i dhënë fuqi korrit rebelues të rinisë shqiptare.

E vogël ishte “Qendra” për të “gëlltitur” gjithë ato vargane të gjata njerëzish që vinin për t’i thënë “STOP DHUNËS!”, “STOP TERRORIT MBI SHQIPTARËT!”. Bile kjo ishte edhe motoja e tubimit, i cili, nga ora 12-00 u përshëndet me rafale “Kallashnikovi” të djelmoshave të lirisë, të cilët me gjuhën e tytave sikur na jepnin kurajo: “Qëndroni! Neve këtu na keni!” Ja ku e keni shkabën dykrenore-në Kalanë Arbërore!”

Tubimi i mbajtur nën valëvitjen e flamurit kombëtar në Kalanë e Pashait shqiptar të Tetovës, Abdurahman Pashës, u ndërpre në shenjë përkrahjeje me aktin e guximshëm dhe vetmëmohues të Ushtrisë sonë Kombëtare. Të gjithë me një unison uruam: Për hajr na qoftë !

ORA 15-⁰⁰

Nën shurukatjen e armëve dhe vërshëllimat e plumbave,madje edhe nën trysninë e një gjendjeje të krijuar kaotike në trafik,mbërritëm në fshat.Në hapësirat e Bashkësisë Lokale ishin mbledhur grumbull i madh bashkëfshatarësh, kryesisht të rinj.

Hymë brenda,jo për të hezituar apo për të parë seri,por për të shprehur gatishmërinë tonë në dhënien e kontributit aty ku mund të jepnim, së pakut të atij moral.Posa u futëm brenda e zumë vend në atë kallaballëk, menjëherë u futëm “në detyrë”.

Ajo që menjëherë na befasoi këndshëm ishte fakti se shumë të rinj, pa kurrnjëfarë mëdyshjeje kërkonin të regjistroheshin për “në mal”. Brenda gati një ore u bënë te dyzet ushtarë vullnetarë, të cilët , me ndërmjetësimin e H. E. drejtoheshin për te personi H. nga f.Xhepçisht ( paraprakisht i caktuar nga“lartë”), dhe, prej këtu-në Xhermë e Sellcë, ku dy ditë më parë ishte rekrutuar “shtatëshja rebele”: MEMEDIN ABAZI, HAMDI SHAQIRI, BEKIM BEQIRI, IMRAN BEQIRI, ADEM ADEMI,NIJAZI SAITI dhe ENVER NEIMI.

Me këto veprime “burokratike”, më, veç edhe formalisht u formua Shtabi Lokal i UÇK,ku edhe Ne u inkuadruam në të , që,mëpastaj, për të marrë detyra konkrete dhe operative.
Duke marrë parasysh se objekti ku gjendeshim,nuk ishte funksional dhe i përshtatshëm, propozuam dhe vendosëm ta ndërrojmë atë,për t’u locuar në lokalin e improvizuar (adaptuar) të pronarit, S. Sh. (drejtues i firmës: “Sh. Komerc”).

Këtu u vendosëm në ora 19-⁰⁰, ku më vonë këtë e siguruam me ushtarë të armatosur e të maskuar, sepse ende nevojitej veprimi në konspiracion, pasi që pushteti sllavo-maqedon ka shti dorën e vet të zezë, të thuash, në çdo mjedis shqiptar. Këto skena që shihnim, sa ishin inkurajuese për shumicën e të rinjve tanë,aq ndjellnin edhe ndruajtje dhe skepsë te gjeneratat e shtyra,të cilëve,shkau ua ka shti frikën në palcë.

Nuk di se si më shkrepi shikimi vetëtimthi drejt ushtarit “anonim” (E. E.) të uniformuar,i cili me një mitraloz në dorë qëndronte në roje afër derës së dhomës ku bënim planet për ndojnë strategji më racionale…dhe,si pa teklif,thashë: “vetëm kjo loçkë (për pushkën) që e ndal të keqin dhe e bën “demokrat”.

Grupe të vogla e të mëdha bashkëfshatarësh na “kujtojnë” herë pas herë. Ka të atillë që si me dyshim i shikojnë punët tona,duke pretenduar të “justifikojnë” mosgatishmërinë e tyre për përkrahje,bile ndonjë “mençurak” na akuzon se “do t’i marrim të rinjtë në qafë” dhe se “me dërxhavën nuk luftohet”; kurse,ndonjë ka aftësi ta kamuflojë mëdyshjen nën retorikën “bombastike kundër shkaut”.

Sido që të jetë,ne jemi të vendosur të qëndrojmë të patundur në rrugëtimin tonë e t’i realizojmë objektivat e marra përsipër në mënyrë vullnetare,pasi kemi përkrahjen e rinisë dhe forcave pragmatike të Ushtrisë,për të cilën,do të ishim jokorrekt nëse nuk do të shprehim edhe realitetin tjetër se,në kuadër të saj janë të infiltruar,apo tentojnë të futen edhe persona me të kaluar të dyshimtë.

Gjejmë kohë për të ndjekur një skenë në TV (maqedonas) – “SITEL” që përcillte mbajtjen e mitingut të Tetovës, e ku një gazetar i kësaj TV-Private iu qas një shqiptari me plis të bardhë rreth të gjashtëdhjetave,të cilit ia ofroi mikrofonin dhe e pyeti: ”Çka pritni këtu, zotëri?”, kurse ai u përgjigj prerazi në vend: ”Pres të vijnë ATA nga MALI”.

Qe, ky, moment që ndezi atmosferën në lokalin ku ishim,e ku qëndruam deri në mëngjes,e,prej ku shkuam në PUNË (në shkollë), ku tre “bashkëprotestuesit” punojmë bashkë, për të pritur nën ankth se ç’do të sjell e nesërmja.

DËSHMI PËR TË DJESHMEN NGA NJERËZIT E LOGJISTIKËS

Në favor të së vërtetës, në ditarin e sotëm do të përfshi edhe deklarata nga njerëz të logjistikës:

Tre grupe të U.Ç.Kombëtare me nga 11-12 veta ngjiten rreth kalasë së Tetovës e cila është një pikë strategjike. Kjo Kala e ndërtuar nga Ilirët, stërgjyshërit tanë shërben si një qëndresë e pamposhtur gjatë sulmeve të pushtuesve të ndryshëm të tokës arbërore.
Grupi i parë i luftëtarëve u vendos brenda në Kala dhe udhëhiqej nga Izair Samiu.

Ndërsa grupi që udhëhiqej nga Daut Rexhepi-Leka, u pozicionua në krahun e majtë të Kalasë, në vendin e quajtur Stermoll. Grupi tjetër i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare i udhëhequr nga Hasim Bajrami u përqendrua në fshatin Gajre, që i bie të jetë krahu i djathtë mbrojtës i Kalasë Ilire të Tetovës.

Po atë ditë në fshatin Sellcë u instalua njësiti i parë i Logjistikës së UÇK, që do të luante një rol të rëndësishëm. Këta tre grupe me nga 11-12 bijë të kombit shqiptar do të krisnin pushkën e parë paraditen e 14 Marsi 2001. Ajo pushkë nuk do të trondiste vetëm Tetovën, por të gjithë Maqedoninë. Jehona e kësaj krisme do të dëgjohej deri në Evropë.

Atë paradite të 14 Marsit 2001, do të luftohej rreth 60 minuta kundër forcave ushtarake dhe policore sllavo-maqedonase të cilët lanë pas 15 makina të djegura, midis tyre edhe një kombibus. Të tmerruar nga dëmet e mëdha dhe humbjet në njerëz dhe mjete ushtarake vetëm në një orë luftime forcat ushtarake-policore pasdite filluan granatimet duke qëlluar nga distanca e largëta, nga qyteti i Tetovës.

Frika e madhe që kaptoj radhët armike bëri që të mos qëllonin nga afërsia Kalanë, por nga qyteti duke shfrytëzuar si mur të gjallë shqiptarët. Këto luftime të ashpra të rifilluara pasdite zgjatën deri vonë në mesnatë. Jehona e luftimeve bëri që trimave të Kalasë siç njihen ata 30 burra që nisën luftën më 14 Marsit tu bashkëngjiten dhjetëra djem e vajza shqiptare duke veshur uniformën e UÇK për bashkimin kombëtar me mëmën Shqipëri.

Në zemrat dhe mendjet e tyre ekzistonte vetëm një dëshirë, një mendim, luftë kundër pushtuesve të tokave shqiptare, për t’u liruar njëherë e përgjithmonë,për t’u bashkuar me trungun amë.

Në të gdhirë të 15 Marsit filluan luftime shumë të ashpra, forcave armike u kishin ardhur në ndihmë mijëra ushtarë dhe policë nga anë të ndryshme të Maqedonisë. I gjithë arsenali ushtarak-policorë i Republikës FYROM ishte përqendruar në Tetovë dhe rrethinat e saj.

Qëllimi dhe urdhri që kishin marrë këto forca me armatim të rëndë ishte që me çdo kusht të merrej Kalaja e Tetovës, por djemtë e shqipes krenare kishin vendosur që mos të dorëzoheshin.

Ata ishin betuar se do të vdisnin në emër të Flamurit Shqiptar, në emër të Bashkimit Kombëtar. Atë ditë, kur dielli kishte dalë mbi mal dhe hëna ishte fshehur mbi re, ra heroikisht dëshmori i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Servet Ferati nga fshati Llacë. Djali që ju përgjigj thirrjes për liri do të mbetet përgjithmonë në Kalanë e Tetovës si simboli i mbrojtjes së tokës arbërore.

Trupi i tij u varros me nderime ushtarake nga pjesëtarët e UÇK dhe u rreshtua në radhët e dëshmorit të kombit-krenaria kombëtare e të cilëve u shpreh edhe përmes këngës popullore, që krijova në këtë kohë të dhimbjes e krenarisë:

VJEN PREJ SHEKUJSH NJË USHTIMË

  • Vjen prej shekujsh një ushtimë ; Gjoku i Mujës hingëllinë ; Hingëllin’ e kërkon zot ;T’marri frym’ Ilirida sot.
  • Po l’shojn’ zanin bjeshk’t e Sharrit: Kush ka besën e shqiptarit; Bashk’ të mblidhemi n’Kala;
  • Me “komit” kem’ me u përla.
  • Do t’i ham’ plumbat me dham’; S’lejojm’ shqipen me nëpërkam’ ; Do t’i zam’ predhat me dorë ; Se na jemi djem mal’sorë. Na ka lindur nana Loke
  • Për me i dalun zot k’saj toke; Do ta vrasim padrejt’sinë; Do ta ndreqim historinë.

Duke,bluajtur mendime në vetvete, për fund të ditarit nxorra këto përfundime:
…Lufta në Maqedoni ende mund të evitohet. Por, për këtë, qeveria duhet të veprojë vendosmërisht drejt përparimit të të drejtave të shqiptarëve, qoftë edhe përkundër rrezikut të reagimit të nacionalistëve maqedonas.

Ndërmjetësimi urgjent i ndërkombëtarëve është gjithashtu i domosdoshëm për të pajtuar interesat e ndryshme të Shkupit, Tetovës dhe Tiranës. Vetëm Shtetet e Bashkuara gëzojnë respektin e duhur që të mund të kenë sukses në rajon.

Kështu, duke përfunduar shkrimin në fjalë, nuk munda të mos e “qortoja” klasën tonë politike, ku shumica prej tyre, me arrogancën dhe hipokrizinë e tyre konsistente, lënë përshtypjen te popullata se nuk po ndodh asgjë e jashtëzakonshme dhe se çdo gjë në hapërimet dhe rropatjet pushtetore është “naj-naj…” dhe, se, punët po rrjedhin natyrshëm… bile – “në favor të Shqiptarëve!”. Do të shohim më vonë…

Shkruan: Syrja ETEMI

NGA DITARI IM I PARA 18 VITEVE…
14.03.2001 (e mërkurë)

SHARE