Zaev: Tirana nuk e ndihmoi Gruevskin që të ar.ra.ti.set

0
20

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dha këtë të mërkurë për Top Channel, intervistën e parë për një televizion shqiptar.

Gazetari Muhamed Veliu e pyeti për arratisjen e ish-kryeministrit Gruevski, zgjedhjet presidenciale të prillit dhe kandidatin e përbashkët që partia e Zoran Zaevit ka me partinë më të madhe shqiptare, BDI-në.

Po ashtu, Zaev flet edhe për çështjen aq shumë të debatueshme të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

TCH: Zoti kryeministër, si do t’i përshkruani marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë?

Zoran Zaev: Falemnderit për ftesën , kënaqësi të jem i ftuar në televizionin tuaj. Përshëndes të gjithë qytetarët shqiptarë dhe audiencën tuaj. Shqipëria për ne është vendi më mik që ne kemi. Kjo miqësi është 100% miqësore, duke ndihmuar njëri-tjetrin për të ecuar përpara drejt të ardhmes sonë, me qëllimin final që qytetarët tanë të jetojnë një jetë më të mirë. Përmes kësaj miqësie, ne kemi përmirësuar shumë gjëra, si për shembull “one stop shop”-in, si dhe duke deleguar besim në institucionet tona.

Është rritur shkëmbimi tregtar me 11.5% vitin e shkuar. Kemi kapacitete të mëdha për të arritur të tjera gjëra. Po ashtu duhet të inkurajojmë investitorët e dy vendeve tona për të fituar. Nga ana tjetër, kjo do të thotë më shumë vende pune për qytetarët tanë, një GDP më të madhe, sikurse edhe eksporte të reja për kompanitë tona.

TCH: Qershori bart një datë të rëndësishme për vendin tuaj dhe Shqipërinë, pasi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së do të diskutohet çelja e negociatave për anëtarësim. A besoni se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të marrin këtë status?

Zoran Zaev: Të dyja vendet tona kanë pritur për një kohë të gjatë. Maqedonia e Veriut është një vend kandidat që prej vitit 2005. Padiskutim që është një moment me rëndësi për ne, për t’ia arritur këtij objektivi jo vetëm stategjik për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Shqipërinë.

Kjo do të thotë një jetë më e mirë për qytetarët tanë. Me hapjen e kapitujve të kërkuar nga BE-ja rriten kapacitetet, e mbi të gjitha standardet ekonomike. Prandaj them që ky është qëllimi final për të dyja qeveritë tona dhe shoqëritë. Ne po shkojmë në atë drejtim.

Mendoj se ne kemi mundësi të mira, por varet nga ne se çfarë do të mund të arrijmë deri në vendimin e qershorit. Shpresoj që normalizimi i situatës në Shqipëri do të ndodhë.

Po ashtu, në vendin tim dialogu do të vijojë me Parlamentin për reformat e fundit që janë në proces. Besoj shumë se Komisioni Europian do të japë një vendim pozitiv. Ata duan të lënë një trashëgimi në fund të mandatit.

Po ashtu, vendet europiane shpresoj se do të jenë pozitive, pasi zgjedhjet për në Parlametin Europian do të kenë mbaruar, e kështu nuk do të ketë një presion të madh nga brenda. Për refoma të mëtejshme dhe një të ardhme europiane, këto s’do të jenë të mundura pa pasur një zgjerim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Pra, çdo gjë është gati. Varet nga ne.

Shpresoj se të gjithë aktorët në shoqëritë tona do të punojnë për të ndihmuar vendin e tyre për çeljen e negociatave me unionin europian. Kjo do të thotë të jemi bashmë, ne si qeveri me opozitën, por edhe me shoqërinë civile e qytetarët.

TCH: A keni plane konkrete me qeverinë shqiptare për ta shtuar bashkëpunimin ekonomik dhe lëvizjen e lirë të mallrave e njerëzve në të dyja vendet?

Zoran Zaev: Ne duhet të përmirësojmë të gjitha projektet infrastrukturore që na lidhin. Ne kemi ndërtuar një projekt 450 milionë eurosh të “Kicitohrid” që na lidh me Shqipërinë. Ne, së shpejti do të nisim një linjë hekurudhore me vlerë 530 milionë euro, që do të lidhë Durrësin me Shkupin, e që shkon më tej deri në Detin e Zi, në Bullgari, e më pas drejt Stambollit.

Ai “one stop shop” që ne kemi ndërtuar dhe shpresoj të hapet në verë, do të ulë me minimumin 50% kohën e shpenzuar në kufi prej qytetarëve, por gjithashtu edhe të kamionëve me mallra. Ne kemi punuar sesi vendet respektive të delegojnë kompetenca njëra-tjetrës.

Si për shembull, nëse AKU-ja në Shqipëri deklaron se ushqimet që do të hynë në Maqedoninë e Veriut nga Shqipëria janë të pastra dhe të konfirmuara sipas standardeve, kaq mjafton për ne. Do ta pranojmë këtë certifikatë, po ashtu edhe nga ana tjetër. Ne po punojmë në hapjen e një tjetër pike kufitare në rrugën e Arbrit, e kjo do ta bëjë më të lehtë kalimin në të dyja anët.

Nëse ne shtojmë bashkëpunimin rajonal mes 6 vendeve tona, kjo do të vlerësohet shumë nga BE-ja për të punuar më mirë me ne, e kjo do të kishte shumë përfitime për 6 vendet ballkanike.

TCH: Gjatë takimit që patët me kryeministrin Edi Rama, a i shprehët shqetësimin tuaj në lidhje me ish-kryeministrin Nikola Gruevski, i cili përdori Shqipërinë si një derë largimi?

Zoran Zaev: Jo. Unë i di të gjitha detajet, pasi vendi ynë mik, Shqipëria, na ka njoftuar me detaje për gjithçka ndodhi një ditë më pas. Miqtë ndajnë informacione. Është diçka që është bërë me Ambasadën hungareze, jashtë asaj që mund të bënte Shqipëria.

Hungaria është një vend mik me ne, por do të vijojmë të luftojmë për zbatimin e ligjit ndërkombëtar, pasi Gruevski është një person i dënuar përmes një procesi transparent në Maqedoninë e Veriut.

Pati monitorim nga institucionet ndërkombëtare që punojnë në Shkup. Me atë arratisje, ai konfirmoi që është fajtor dhe ka disa çështje të tjera në gjykatë. Ne morëm një mesazh shumë të keq nga një vend anëtar në NATO dhe BE, si Hungaria, gjë që nuk ishte aspak e këndshme për ne, por do ta vijojmë miqësinë e mirë me Hungarinë, pasi besojmë në sistemin ligjor dhe posaçërisht ligjin ndërkombëtar. Shpresoj se do të dominojë shteti ligjor.

TCH: A mendoni se ish-kryeministri Guevski pati mbështetjen e ndonjë personi me lidhje politike në Shqipëri, për të hyrë brenda në Ambasadën hungareze, të kërkonte azil, e më pas të largohej nga Shqipëria?

Zoran Zaev: Nuk e kam një provë të tillë. Dua të jem i kujdesshëm me çdo person në vendin tuaj, pasi Shqipëria është mikja jonë.

TCH: Në të gjithë këtë histori, besoni se kanë dështuar autoritetet e sigurisë në vendin tuaj dhe Shqipëri, për ta ndaluar Gruevskin për t’iu shmangur drejtësisë?

Zoran Zaev: Jo. Unë nuk mendoj kështu. Unë kam zemërim në zemrën time, pasi dikush brenda vendit – që nuk është shtetas i yni dhe as shqiptar – e ndihmoi atë. Ai në ditët e fundit ishte një njeri i lirë.

Ai nuk e kishte ende një konfirmim për të shkuar në burg. Por, pas dy ditësh vendimi u shpall. Ai mund të përdorte pasaportën të udhëtonte brenda vendit, pasi ishte qytetar i lirë. Ishte po ashtu transparent, pasi çdo ditë vinte në Parlament dhe bënte vrap përgjatë lumit Vardar, e shkonte rregullisht për atë proces në gjykatë.

SHARE