Shkollat shqiptare në Maqedoni po mbesin pa nxënës, familjet ikin në perëndim (VIDEO)

0
49

Kjo orë mësimi në shkollën fillore “Bajram Shabani” në Kumanovë ishte e fundit për nxënësin e klasës së parë Milot Emini.

Ai shfrytëzoi këtë orë për të mësuar edhe shkronjat e mbetura të alfabetit të gjuhës shqipe për shkak se të nesërmen po nisej drejt Gjermanisë për të filluar një jetë të re bashkë me familjen e tij. I mërzitur që po ndahej nga shkolla, mësuesja dhe shokët e klasës, Miloti tha se ata gjithmonë do të mbeten në kujtimet e tij më të bukura.

Ku do të shkosh? Në Gjermani, te babi..Unë nuk do t’i harroj shokët kurrë, as mësuesen. Këto shokët kanë qenë shumë të mirë…kur do të vij do t’i takoj prapë. Po mërzitem pse po shkoj atje….po do të vij sërish”. -theksoi Milot Emini, nxënës

Miloti nuk është i vetmi nxënës që po largohet nga klasa e parë. Para tij, janë larguar edhe dy nxënës të tjerë, thotë mësuesja Myqereme Nevzadi.

Kam pas 24 nxënës, tash veç kanë filluar disa të largohen. Por, vetëm në dy javët e fundit tre janë larguar …. dhe tash Milot Emini. Jam shumë e mërzitur, e shqetësuar pse më largohen nxënësit më të mirë.

Kanë qenë të mirë, të disiplinuar, të shkëlqyeshëm por tash kushtet dhe rrethanat e bëjnë të veten..”. – tha Myqereme Nevzadi, mësuese

Edhe drejtori Mustafë Ebibi pranon se nga viti në vit po ulet numri i nxënësve në Kumanovë. Në shkollën “Bajrami Shabani” për pesë vite 81 nxënës më pak janë ulur në bankat shkollore. Ndërsa, vetëm këtë vit shkollor 15 nxënës do të largohen jashtë vendit, disa prej të cilëve tashmë janë larguar.

Kjo ka qenë për ne një dhimbje shpirtërore, meqenëse edhe ashtu numri I vogël është I nxënësve të cilët regjistrohen në këtë shkollë nga fillimi I vitit shkollor.

Në këtë vit shkollor ne kemi 15 nxënës që dëshirojnë të largohen nga bankat shkollore të kësaj shkolle. 9 janë larguar edhe 6 kanë bërë kërkesë që dëshirojnë të largohen në shtetet perëndimore, ky është numri I saktë që e kemi verifkuar në shkollën tonë.

Faktor kryesor është gjendja ekonomike sociale e prindërve të cilët me familje shpërngulen në botën perëndimore për një jetë më të mirë”. – theksoi Mustafë Ebibi, drejtor I sh.f “Bajram Shabani”

Dukuria e tillë ka prekur edhe shumë komuna të tjera të Maqedonisë. Në Komunën e Gostivarit numri i nxënësve në ciklin fillor dhe të mesëm dukshëm është ulur në tre vitet e fundit.

Siç raportojnë nga kjo komunë, në ciklin fillor numri i nxënësve është ulur për 138 nxënës, ndërsa në atë të mesëm për 559 nxënës. Pavarësisht të gjithave, Miloti ashtu sikurse edhe shumë të tillë si ai, shpreson se një ditë sërish do të kthehet në vendlindje për t’u bashkuar me familjarët dhe shoqërinë e tij.

Melihate Rustemi

SHARE