Gjermania merr masa kundër refugjatëve në kufirin me Austrinë

0
40

Gjermania do të zgjasë kontrollet ne kufijtë me Austrinë deri më 11 nëntor 2019.

Ministria e Brendshme e bazon vendimin e saj mbi faktin se janë konstatuar një numër i madh i kalimeve të paligjshme të kufirit. Në një letër që qeveria gjermane i ka drejtuar Bashkimit Europian thotë se fluksi i refugjateve ne rrugën e Ballkanit është rikthyer sërish dhe se të paktën 5 muajt e fundit janë regjistruar çdo muaj rreth 1000 raste të kalimit të paligjshëm.

Gjermania për këtë arsye nuk mund të heqë dorë nga instrumenti i kontrolleve të brendshme kufitare, thuhet në letrën e ministrit të brendshëm gjerman Horst Seehofer drejtuar BE-së.

Sipas Komisionit të BE-së, një letër e ngjashme ka mbërritur edhe nga Danimarka e cila njoftoi gjithashtu se kontrollet e saj kufitare do të vazhdojnë deri në nëntor, duke deklaruar se kufijtë e jashtëm të Evropës janë ende nën presion.

Përveç kësaj, Franca dhe Suedia njoftuan autoritetet e Brukselit për zgjerimin e kontrolleve kufitare.

Gjermania patrullon kufirin e saj me Austrinë që nga vjeshta e vitit 2015, pasi dhjetëra mijëra refugjatë nga Greqia nëpërmjet rrugës ballkanike kane synuar Evropën Perëndimore.

SHARE