SILUETA ME SYZA GRI

0
90

Syrja Etemi

E, ja: të gëlon dyzimi në mendje: Si mund të ndjehesh në një audiencë kur pranë teje sillet e pështillet njeriu që ti e njeh e, ai shtiret se s’të njeh fare?!

Ti i dhuron një buzëqeshje patebdil, kurse ai i dehur nga lavdet dhe elozhet e pozitës – nuk të përfill aspak, apo i vjen “neveri” të lexojë dashamirësinë dhe dogrillëkun tënd të ravijëzuar në fytyrën e çiltër ?!

Ti e bën këtë, jo për veresi apo hipokrizi, por nga fakti se ti je pronari apo poseduesi i një zemre të madhe e të një shpirti gjithnjë të ndezur për reflektim e rrezatim…

… Me kollaren vizëlluese – shumë afër teje kalon ish shoku yt i klasës, i studimeve, i ëndrrave e iluzioneve (më shumë të fikura), e tani, në këtë moment ai nuk të sheh, e ti njdjehesh i rezignuar dhe zhgënjyer, kur pas syzave të errta, ti mund të pikasësh siluetën që synim ka vetëm gjuajtjen e parasë dhe kolltukut…

Në ndonjë agorë të përbashkët, ai nuk të vë re fare, duke synuar rendin e parë të karrigeve të “rezervuara” për kastën me syza gri. Ti e ke radhën atje kah fundi i rendit të ulëseve, që mund të qëndrosh edhe në këmbë – për të duartrokitë më lirshëm kur do të del në podium njeriu me syza të errta e me kollare vizëlluese.

Ai me hope e, duke belbëzuar , do të mundohet të lexojë letrën apo si i thonë: referatin – të shkruar nga argatët e kabinetit të sulltanit, kurse ti, pa marrë parasysh kaçikun që ke, duhet të ablaudosh e brohorasësh, sepse këtu vepron rregulli i “kontigjentizmës” (V.K.) e duhet t’i bindesh kujtdo që del në podium apo tribunë me kravatë e syza të errta; duhet të rrahësh shuplakat…Përndryshe do të shikojnë vëngër bodigardët me muskuj kasapi e me tru cjapi.

Kështu, konformizmi bën punën e vet.

Ai del në podium e i jep kosës: vang e vang, fjiu e fju, edhe pse ti ia njeh shumë mirë etimologjinë dhe kaçikun; e di të kaluarën dhe të tashmen e tij, dhe që i zgërdhihet të ardhmes që, s’do tia di për të aq sa don t’ia ndijë për ty që kalamendesh në fund të radhëve të karrigeve të ujdisura në formën gjysmëharkore.

Nuk është me rëndësi metoda e tij e veprimit, por me rëndësi është fodullëku dhe kënaqësia që ndjen ai vetë nga këto marifete. Detyra jote është të heshtësh, sepse ti s’ke kravatë as syza të errta; nuk ke makinë të errët e me xhama gri. Po, po, ti s’ke kravatë dhe, njeriu me kravatë vezulluese ka aftësinë apo më mirë të themi dinakërinë dhe mundësinë ta blejë edhe të ardhmen . Deri sa ti po kacafytesh me të kaluarën dhe të tashmen e të pretendosh ta ndreqësh të tashmen , ai blen të nesërmen për vete dhe familjen e tij…

Ti, vazhdo të moralizosh e të shesësh pedagogji; të pretendosh që ta bësh atë “më njerëzore” e, unë, thotë ai, do të vazhdoj të fitoj hapësira të reja gri.

Sa herë që kundroj këtë siluetë me syza gri e të pispillosur si me i dhënë mut me krande, vetëtimthi më vete mendja te një thënie e një mençuraku, më saktë të them: të

Auerbahut, që kur paskësh takuar siluetat me syza gri, të ketë thënë: “ Ka njerëz, tek të cilët, si në magazinat moderne, gjen çdo gjë në vitrinë, por kur hyn brenda sheh se janë bosh”.

SHARE