PSE ËSHTË I RËNDËSISHËM MENDUH THAÇI?

0
299

Zgjedhjet lokale duket se do të marrin me vete shumë “koka” politike. Më të rrezikuar janë ata të cilët nuk do të arrijnë të kontrollojnë strategjinë për të dalë fitues më të mëdhenj politik në këto zgjedhje.

Shkruan: Xhelal NEZIRI

Me vetëm dy deputetë dhe një komunë, i përgjysmuar nga ndarja e fraksionit të Zijadin Selës, Menduh Thaçi duket se se edhe në këto zgjedhje do të jetë ndër faktorët kryesorë që do të përcaktojnë rezultatet dhe fatet e partive dhe politikanëve. Njëkohësisht, ai do ta përcaktojë edhe fatin e tij dhe të partisë që përfaqëson.

Në bazë të rezultateve nga zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 11 dhjetor të vitit të kaluar, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) e Thaçit ka dalë e treta apo me numër të konsiderueshëm votash Tetovë dhe komunat përreth, Çair, Likovë, Dibër dhe Studeniçan. Ndërkohë, në gati 15 komunat ku shpresojnë të fitojnë partitë shqiptare, në dyluftim politik do të dalin BDI-ja e Ali Ahmetit dhe BESA e Bilall Kasamit. Në Strugë dhe Gostivar rolin e sfiduesit të BDI-së do ta ketë APSH e Zijadin Selës.

Në të gjitha këto komuna Thaçi ka gjasa të ketë rolin përcaktues në raundin e dytë zgjedhor për tri arsye. E para, PDSH ka votues militantë, të disiplinuar të cilët dalin në votime dhe respektojnë marrëveshjet që bën kryetari i tyre. E dyta, përçarjet e brendshme në partitë shqiptare i japin edhe më tepër rëndësi Thaçit në drejtim të eliminimeve politike. Dhe e treta, lufta e ashpër politike e BDI-së, në njërën anë, dhe e BESA-s dhe APSH-së, në anën tjetër, do të ndajë elektoratin shqiptar në dysh me ç‘rast kryetarët e komunave me shumicë shqiptare do të përcaktohen nga votat e PDSH-së dhe të partive maqedonase.

Këtë rast të ekuilibruesit Thaçi gjithsesi se do ta shfrytëzojë për të shënuar një rikthim në ligën e parë politike të Maqedonisë, ku ishte 22 vite të tëra. Deri në momentin e fundit Thaçi do të mbajë të hapur mundësinë e bashkëpunimit edhe me BDI-në, edhe me BESË-n.

Kjo strategji i krijon mundësi të mirë për të fituar më shumë komuna dhe pozicione në pushtetin lokal, të cilat do t’i mundësojnë ta rehabilitojë strukturën partiake pas tërmeteve të njëpasnjëshme gjatë viteve të fundit. Gjasat janë të mëdha që PDSH, me këto manovra të Thaçit, nga zgjedhjet lokale të dalë fitues në tri komuna rurale. Por, Thaçi dëshiron Tetovën – qendrën politike dhe arsimore të shqiptarëve etnikë të Maqedonisë.

Pikërisht Tetova ka qenë pika ku nuk ka mundur të arrijë ujdi as me Ahmetin e as me Kasamin. Në konventën zgjedhore të PDSH-së në Tetovë është parë edhe Adnan Ismaili, i cili vlerësohet të jetë figura më me ndikim në Lëvizjen BESA. Aty nuk ka qenë kryetari Kasami, i cili është edhe kandidat për kryetar komune në Tetovën që pretendon Thaçi.

Zgjedhjet lokale duket se do të marrin me vete shumë “koka” politike. Më të rrezikuar janë ata të cilët nuk do të arrijnë të kontrollojnë strategjinë për të dalë fitues më të mëdhenj politik në këto zgjedhje.

SHARE