VIP-at shqiptare po shiten te sheikat arabë

0
367

Pa përmendur emra, por mund t’i drejtoheni Ministrisë së Jashtme për sa e sa raste të këtyre vajzave që, sidomos në Katar, Saudi, Kuwait e Oman, kanë hyrë e u është mbajtur pasaporta peng dhe kanë ngelur me muaj të tërë nëpër nightclub, ose në shtëpinë e ndonjërit. Ky është realiteti e kjo nuk u ka ndodhur vetëm shqiptarëve, por ka ndodhur edhe me shtetase evropiane. Por këtu ky fenomen po propagandohet si të ishte një gjë normale, duke i çuar shumë vajza të reja drejt kësaj jete të degjeneruar
I njohur për deklaratat e tij të hapura, Algeni vendos t’u çjerrë maskën personazheve të njohura duke zbuluar se çfarë fshihet pas udhëtimeve dhe jetës së tyre superluksoze. Algen Nikolla, djali nga Lezha, që gjatë qëndrimit të tij në “BB4” ka rrëfyer për miqësitë e tij speciale me VIP-at ndërkombëtarë, ka fatin të jetë pjesë e eventeve ndërkombëtare. Para disa ditësh, ai reagoi me një status për fejesën e Kaltrina Lulajt me një sheik arab. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai zbulon anën e errët të jetës plot shkëlqim që shohim të reklamuar në rrjetet sociale nga vetë VIP-at.

Je një nga djemtë me stil jete që shumë persona e shohin me zili, për faktin se udhëton shumë e ke miq- si me personazhe VIP. E ke ndier këtë xhelozi?

Zilia është gjë e keqe, dhe aspak problem i imi. Gjithsesi është budallallëk dhe jo e shëndetshme të kesh zili dikë për punën ose jetën që bën, sepse i vë frena vetes e nuk ecën dot përpara.
Meqenëse i njeh shumë afër VIP-at, a mund të na thuash se cilët janë të lumturit dhe të dëshpëruarit mes tyre?

Më të lumturit e më të dëshpëruarit? Duke u nisur nga çfarë lexohet në disa portale anonime, është për të ardhur keq mënyra se si i trajtojnë ngjarjet duke i shtuar nota të pavërteta, të cilat për të pasur sa më shumë klikime, i fryjnë lajmet. Është e vështirë të përcaktosh lumturinë dhe dëshpërimin e dikujt, duke e parë nga jashtë apo nga ndonjë foto. Nuk kam arritur të kem akoma aftësi mediumi, por mund të them me bindje se ka njerëz që janë shumë të lumtur, ose shumë të dëshpëruar, por arrijnë ta mbulojnë duke i mbajtur për vete, dhe nuk ua transmetojnë të tjerëve anën emocionale.

Para disa ditësh bëri përshtypje statusi yt, ku demaskoje një vajzë që prezantohet si modele, Kaltrina Lulaj, pas lajmeve se ishte fejuar me një sheik arab. Çfarë të nxiti të reagoje ashtu, e njeh personalisht?

Në radhë të parë, statusi duhet lexuar më mirë e me qetësi… Atë vajzë nuk e njoh, por nga fotot e publikuara mu duk abuzim e fyerje për ato vajza që janë profesioniste serioze në modelin, dhe ata persona që atë e quanin modele. Nëqoftëse ajo është modele, Dorina, Margaret, Kejvina, Xheni, Adrola, etj., çfarë i bie të jenë? UFO?

Gjithsesi, çfarë të shtyu që të reagoje aq publikisht?

Reagova ashtu, sepse nuk m’u duk e drejtë që një “gazetar” (e aty është problemi juaji që i quani kolegë, përderisa artikulli i tij u postua në një media kombëtare), të etiketojë si modele një person që mjafton t’i shohësh fotot, duket që s’ka asgjë që të bëjë me modelingun, por me një produkt kirurgjie estetike e photoshop-i të shëmtuar. Pastaj pompoziteti i sheikut që jepka “unazë fejese” (rreth me gurë ambre) në një restorant sushi është komplet një artikull me mbeturina e për mbeturina. Statusi im ishte në lidhje me fenomenin e vëmendjes dhe keqinformimin e publikut, si dhe degjenerimin e shoqërisë duke i sjellë këto modele që “uzurpojnë këto profesione” nga moda deri tek arti, duke zgjedhur në jetë rrugën më të shkurtër për të arritur një qëllim të caktuar. Për mendimin tim, secili bën ç’të dojë me jetën e vet, por t’i thuash një modeli të shtrembëruar “modele”, u bie në qafë modeleve ose aktorëve që i dedikohen realisht punës, studimit, dietave, sportit dhe këta persona, e them me bindje, që nuk i sheh tallavave, sepse janë profesioniste e i janë dedikuar asaj zgjedhjeje në jetë.

Dikush mund ta konsiderojë këtë lirinë e individit, po ti?

E përsëris, problemi nuk është kjo vajzë apo të tjera si kjo. Problemi është se mediat shqiptare të shkruara, vizive e online, po e sponsorizojnë këtë fenomen. Po kontribuojnë që të orientojnë shoqërinë drejt degjenerimit moral, duke i propaganduar rinisë shqiptare një prototip të ulët e të shëmtuar “arritjeje në jetë”. U duhet thënë “mjaft” fenomeneve e emisioneve që sponsorizojnë këto personazhe, këto pseudomodele e pseudokëngëtare. Citoj Pjetër Arbnorin në Parlament: T’i nalim kta hajna e kriminela tani, se ma von kena më i pas kolegë në parlament… e ja rezultati. Me këto ritme ky fenomen ka për të marrë superxhiro e ka për të qenë vonë për ta frenuar e ndaluar.

SHARE