Arta Marku rikthehet në Kuvend. Jep llogari për Adriatik Llallën

0
141

Kryeprokurorja Arta Marku, do të kthehet në vendin ku u “sulmua” me flakadanë.

Media ka mësuar se Marku po përgatitet të dalë para deputetëve për të raportuar punën e vitit 2017, apo thënë ndryshe punën e paraardhësit të saj Adriatik Llalla.

Nuk dihet se si do të reagojë opozita, e cila ka qenë kundër zgjedhjes së Markut në krye të Prokurorisë së Shtetit, kur e para e organit të akuzës do të përballet me ata që ndezën sallën e Kuvendin, ditën që ajo u emërua.

Në fakt puna e Llallës, për të cilën do të raportojë Kryeprokurorja është një dështim, por Opozita vijon ta etiketojë Markun si “njeri” të kryeministrit Edi Rama, duke lënë kështu në harresë se çfarë ka ndodhur gjatë kohës së Llallës.

Rikujtojmë se në katër vitet e fundit, u pa me zë dhe figurë që Shqipëria u mbulua nga droga, por nuk u pa arrestimi i asnjë trafikanti dhe asnjë pronari plantacionesh.

Por, droga nuk ishte e vetmja ngjarje e madhe e ndodhur gjatë kohës që Llalla mbante detyrën e kryeprokurorit, por edhe skandale koncesionesh, të cilat u mbyllën nga Llalla, për mungesë provash apo ndonjë justifikim tjetër.

Llalla, me cilësinë e kryeprokurorit ka mbyllur dosjet më të bujshme në Shqipëri.

Një tjetër skandal që ka përfshirë Prokurorinë e Përgjithshme gjatë kohës që udhëhiqej nga Llalla, janë edhe zhdukjet e dosjeve për akuzat për pastrim parash.

Me mijëra politikanë, gjyqtarë, prokurorë dhe bosë të krimit kanë pastruar para gjatë viteve të fundit.

Pothuajse të gjithë personat e kallëzuar penalisht ia kanë hedhur paq, pasi prokuroria i ka mbyllur dosjet ndaj tyre duke mos ndërmarrë asnjë veprim.

Mediat kanë raportuar se 500 zyrtarë ishin amnistuar nga Adriatik Llalla gjatë viteve të tij në detyrë, ndërsa kjo shifër është 3 herë më e madhe për rastet e pastrimit të parave.

Për gjithë këtë bilanc të zi, Llalla nuk ka dhënë llogari, por sot ai është, vetë, nën hetime për pastrim parash.

SHARE