Batalioni “Atlantiku”- një histori e përjetshme e heronjve

0
90

Në fillim të prillit të vitit të ardhshëm, para dy dekadash një numër i madh i të rinjve shqiptaro-amerikanë, lanë gjithë çka kishin, duke filluar nga familja, shtëpitë dhe punën në SHBA, për t’iu bashkuar luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.

Ata në atë kohë kanë vepruar në kuadër të Batalionit “Atlantiku, që u bë pjesë e rëndësishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Megjithatë, ishte pikërisht hoteli “Royal Regency”, në Yonkers të New Yorkut, ku këta djem filluan rrugëtimin për lirinë e Kosovës, me uniformat e UÇK-së.

Këta të rinj, në kuadër të Batalionit “Atlantiku”, apo siç i kanë quajtur edhe shqiptaro-amerikanët e UÇK-së, mund të kishin jetuar fare mirë jetën me mundësitë e mëdha që u ofronte Amerika, por iu përgjigjën thirrjes së atdheut dhe u treguan të gatshëm për të sakrifikuar gjithçka.

Përpos të rinjve që ju bashkuan luftës çlirimtare të Kosovës, ishte edhe femra e vetme në Batalionin “Atlantiku”, Linda Muriqi, e cila thotë se të pjesëmarrja në batalionin “Atlantiku”, gjithmonë do të jetë njëra ndër gjërat më të mira që i ka ndodhur asaj në jetë.

Por, tre prej pjesëtarëve të “Atlantikut’, të tre nga një familje, pra vëllezërit Ylli, Mehmet dhe Agron Bytyqi nuk u kthyen më kurrë. Këta dëshmorë të kombit janë heronj që nuk do të vdesin kurrë dhe që do të jetojnë përherë në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve kudo në botë.

Duke lënë gjithë çka kishin, këta të rinj që luftuan për lirinë e Kosovës, sot janë krenaria e komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe e mbarë kombit shqiptar.

Në vitin 2000, është krijuar Shoqata “Atlantiku” si vazhdimësi e Batalionit “Atlantiku”, me të vetmin qëllim për të vazhduar kontributin në çështjen kombëtare. Por, tash e 5 vite Shoqata “Atlantiku” është pjesë e Bashkimit të Organizatave me në krye të Këshilltarit shqiptar të New Yorkut, Mark Gjonaj, i cili ka mobilizuar të gjitha forcat në një vizion për komunitetin shqiptarë.

Ndërkohë, që në prag të 20 vjetorit të formimit të Batalionit “Atlantiku’, protagonistët e këtij formacioni ushtarak, tregojnë të veçantën e ‘Atlantikut’, momentet e paharruara gjatë luftës, se sa janë të kënaqur me zhvillimet ne Kosovë, e deri të përgatitjet për shënimin e kësaj dite shumë të rëndësishme për ta.

Dy dekada të Batalionit “Atlantiku”

Për shënimin e kësaj dite, Gani Shehu, komandant i Batalionit “Atlantiku”, dhe tani kryetar i Shoqatës Atlantiku, deklaroi për Telegrafin, se ka disa muaj që janë duke punuar që 20 vjetori të kujtohet në mënyrë sa më të mirë, të dinjitetshme dhe të kujtojmë sakrificat e luftës për liri.

Rreth organizimit, ai theksoi se janë në koordinim edhe me institucionet e dy shteteve shqiptare, ku kanë pasur takime me presidentin shqiptar Ilir Meta, me kryeministrin Edi Rama, ku kanë marrë mbështetje që rrugëtimi i “Atlantikut “ në Shqipëri fillimisht, dhe pastaj në Kosovë të kaloj sa më mirë. Gjithashtu, ai ka përmendur edhe takimet edhe presidentin e Kosovës Hashim Thaçi , kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e parlamentit të Republikës së Kosovës Kadri Veseli, nga të cilët, ka marrë përkrahje dhe mbështetje në organizimin e këtij eventi.

Kurse, Adrian Grajçevci, pjesëtar i Batalionit “Atlaniku”, dhe tani sekretarë i Shoqatës “Atlantiku”, mendon se ky 20 vjetor duhet të organizohet ndryshe, duke hapave të rrugëtimit të lirisë që mobilizoj dhe bashkoj Batalionin “Atlantiku”.

Në anën tjetër, pjesëtarja e vetme femër në Batalionin “Atlantiku”, Linda Muriqi, për Telegrafin, thotë se këtë ditë e pret me emocione të veçanta, por edhe me krenari, duke mos harruar shokët që sot më nuk janë në mesin tonë, dëshmorët e lirisë. Ajo thotë se Batalioni “Atlantiku”, do të jetë gjithmonë njëra ndër gjërat më të mira që i ka ndodhur në jetë.

Rikujtimet e luftës për Uk Lushin, pjesëtar i Batalionit “Atlantiku”, nuk janë kurrë të këndshme, por janë shumë të nevojshme, sepse siç tha ai, duke rikujtuar luftën, njerëzit shohin dhe çmojnë rëndësinë e palës. E në këtë aspekt, ai thotë se është i gëzuar që përvoja e tyre për çlirimin e Kosovës, edhe pas 20 vitesh, do të kontribuojë përsëri për paqe.

Të njëjtin mendim ka edhe pjesëtari tjetër i Batalionit “Atlantiku”, Jon Lulgjuraj, tani arkëtar në Shoqatën “Atlantiku:, i cili shprehet i lumtur që “Atlantiku” edhe pas 20 viteve, është ende i bashkuar dhe gjatë gjithë kësaj kohe kanë ndarë gëzimet dhe hidhërimet së bashku si një familje e madhe.

I lindur dhe i rritur në Amerikë, e që për herë të parë ka shkelur tokën shqiptare në kuadër të Batalionit “Atlantiku”, Lulgjuraj thotë se tash që prapë e po e marrim këtë rrugë së bashku, ringjallë kujtimet dhe emocionet e ditëve më të rëndësishme të jetës së tij.

E veçanta e Batalionit “Atlantiku”, apo e shqiptaro-amerikanëve të UÇK-së

Organizimi i një formacioni ushtarak, dhënia e betimit dhe shkuarja në luftë nga një shtet, siç janë SHBA në një shtet tjetër, për komandantin e këtij Batalioni, Gani Shehu, është e veçanta e “Atlantikut”.

“Përfaqësimi në kuadër të Batalionit nga të gjitha trojet e gjeografisë shqiptare , shumë ushtarë kanë lindur në SHBA, shumë prej tyre asnjëherë nuk kanë qenë në Kosovë apo Shqipëri, janë po ashtu e veçanta e batalionit “Atlantiku “. Kontributi në luftë dhe organizimi në shoqatë, vazhdimi i aktivitetit për të mirën e vendit, kompaktësia, përgjegjësia dhe modestia, mendoj se i kanë dhënë “Atlantikut” respekt të merituar”, theksoi për Telegrafin komandant Shehu.

Edhe për pjesëtarët e tjerë të këtij formacioni ushtarak, bashkimi drejtë rrugëtimit për çlirimin e atdheut, ka qenë gati e pamundur, dhe të mendohet diçka e tillë në rrethanat që ishte Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi.

Lidhur me këtë, Adrian Grajçevci, shpjegon arsyen e të bërit bashkë, fillimisht si vullnetarë prej fillimit të luftës, edhe pse, sipas tij, sipas situata ishte e vështirë të organizohet diçka e tillë.

“Edhe pse ne kontribuonin në të gjitha mënyrat e mundshme me protesta, financiarisht, organizime të ndryshme, e gjithë kjo nuk ishte e mjaftueshme, prandaj donim që edhe fizikisht të jemi në mbrojtje të popullit në Kosovë. Pas thirrjes për mobilizim nga Shtabi i Përgjithshëm, vullnetarët vendosën të marrin këtë rrugë edhe individualisht, por Fondi ‘Vendlindja Thërret’, beri një organizim të shkëlqyer për vullnetarët që kishin vendosur të marrin këtë rrugë. Formacioni I vullnetareve u organizua në një Batalion me emrin ‘Atlantiku’”, tha Grajçevci, për Telegrafin.

Ndërkohë, për femrën e vetme në batalionin “Atlantiku”, Linda Muriqin, pjesëmarrja në këtë formacion ushtarak, ishte paksa e vështirë, pasi që ishte vetëm 16 vjeçare, kur u bë pjesë e pandashme e “Atlantikut.

“Etja për lirinë e atdheut i mundi të gjitha ndjenjat tjera , meqë kisha edhe përkrahjen e pa rezervë të familjes dhe të miqve të mi, e që njëkohësisht janë edhe ndjenja që nuk përshkruhen me fjalë”, thotë ajo për Telegrafin.

Edhe për Jon Lulgjuraj, si një i ri i lindur dhe rritur në Amerikë, nisja e rrugëtimit drejtë çlirimit të atdheut ishte vendimi më i lehtë në jetën e tij.

“Arsyeja ishte që gjithë jeta e familjes dhe historia e popullit tim ishte vuajtje dhe sakrificë për të mbijetuar torturat, shpërnguljet dhe asimilimin nga armiqtë tanë me shekuj, deri të vitet 90-ta, kur Kosova luftonte për ekzistencën e saj. Kjo bëri, që unë të paraqitem si vullnetarë në fillim të luftës dhe kur u bë thirrja për mobilizim ishte lajmi më i mirë në jetën time”, shpjegon ai për Telegrafin.

Momentet e paharruara të “Atlantikut”

Gjatë kohës kur pjesëtarët e këtij formacioni ushtarak ishin në shërbim të atdheut, ata nuk hezitojnë të tregojnë edhe për disa momentet, për të cilat ata thonë se janë të paharruara, dhe gjithmonë, sipas tyre, do të mbeten në kujtesës e tyre..

Një ndër momentet më të vështira për Batalionin “Atlantiku”, e që nuk do të harrohet kurrë, në veçanti për komandantin Gani Shehu, ka qenë rasti i tre vëllezërve Bytyqi.

Ai shpjegon se me gjitha faktin se ishte parim që nga një familje mos të shkojnë në luftë më shumë se një pjesëtar, qëndrimi i tyre ishte aq i vendosur dhe i palëkundur, sa që të tre vëllezërit, Ylli, Agroni dhe Mehmet Bytyqi, shkuan bashkë në çlirimin e atdheut, ku edhe ranë dëshmorë.

SHARE