Bill Clinton: Kosova meriton të jetë në BE dhe në NATO, jemi krenarë me ju

0
107

Kosova meriton të jetë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në çdo organizatëndërkombëtare, ka deklaruar të martën në Prishtinë, ish-presidenti amerikan Bill Clinton.

Këto komente, Clinton i bëri pas një takimi që zhvilloi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili i ndau ish-presidentit amerikan “Urdhrin e Lirisë,”, për merita të veçanta për lirinë e Kosovës.

“Isha i lumtur që pasardhësi im, presidenti George W.Bush njohu Kosovën, besoj vetëm një ditë pasi ju shpallët pavarësinë”, tha Clinton.

Clinton tha se ndihej krenar që ishte president i SHBA-së në kohën kur dikush është dashur të ngritet dhe ta thotë qartë se “nuk ka më pastrim etnik në Kosovë, nuk ka më përndjekje të njerëzve prej shtëpive të tyre dhe nuk ka më vrasje të civilëve”.

Ai tha se jo vetëm SHBA, por gjithë bota duhet të jetë krenare me të arriturat në Kosovë, demokracinë e saj dhe shtet-ndërtimin. Ai inkurajoi lidershipin e Kosovës që tani të ndërtojnë paqen brenda e jashtë kufijve të Kosovës, për dëshmuar se është shtet demokratik.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Clinton është heroi i Kosovës dhe i shprehu mirënjohjen më të më lartë atij për vendimin historik që kishte marrë në vitin 1999 për ndërhyrjen e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës.

Duke i ndarë atij “Urdhrin e Lirisë”, Thaçi tha se duke nuk ka çmim dhe as medalje që e vlerëson drejtë gjithë kontributin e madh që Clinton ka luajtur për lirinë e Kosovës dhe popullit të saj.

Ish-presidenti Clinton dhe ish-sekretarja amerikan, Madeline Albright po qëndrojnë në Kosovë për të marrë pjesë në shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që shënon edhe ditën e lirisë së Kosovës.

Kosova shënon të mërkurën, 20-vjetorin e hyrjes ushtarake të NATO-s, përkatësisht trupave shumëkombëshe të KFOR-it. Kjo ditë, shënohet edhe si dita e lirisë apo çlirimit të Kosovës.

Si datë e cilësuar historike, autoritetet në Prishtinë kanë ftuar që të marrin pjesë në këtë jubile, edhe ish-presidentin amerikan Bill Clinton, ish-sekretaren e shtetit Madeline Albright dhe shumë personalitete tjera që ndihmuan në çlirimin e Kosovës.

Ndërhyrja e NATO-s, përkatësisht dislokimi i trupave paqeruajtëse të KFOR-it më 12 qershor, 1999, pasoi fushatën e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi, që zgjati 78 ditë.

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo Rezolutë, ishte një kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e cila administronte fazën tranzitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.

Një ditë më herët, ishte nënshkruar edhe Marrëveshja Teknike e Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.

Në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, më 12 qershor 1999 filloi vendoja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende, prej të cilëve 30.000 ishin nga vendet e NATO-s.

Sot, 20 vjet pas kësaj ndërhyrje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it (NATO-s) janë në numër më të vogël dhe numërojnë nga 6 deri në 7 mijë ushtarë, të cilët janë të dislokuar në pjesë të ndryshme të Kosovës me mision paqeruajtës.

SHARE