Historike! Joshua dorëzon titujt ndaj Ruiz, humbja e parë në karrierë

0
130

Andy Ruiz u bë boksieri i parë meksikano-amerikan që fiton titullin kampion bote në peshat e rënda, pas fitores të pabesueshme ndaj britanikut Anthony Joshua.

29-vjeçari Ruiz fitoi me knock-out teknik në raundin e shtatë, në Madison Square Garden, në New York, në një sfidë që dukej totalisht e paekuilibruar, pasi Ruiz të jep përshtypjen e një boksieri amator, jashtë forme, që thjesht ishte i lumtur për pjesëmarrjen dhe milionat, sepse deri vjet fitonte 30 mijë dollarë për ndeshje.

Ruiz e hodhi Joshua dy herë knock-down në raundin e tretë dhe dy herë të tjera në raundin e shtatë, para se arbitri Mike Griffin t’i jepte fund duelit, që dukej i thjeshtë për kampionin, i cili e nisi mirë, sepse që në fillim të raundit të tretë e hodhi knock-down rivalin inferior.

Anthony Joshua ishte mbajtësi i katër brezave kampion bote, por prej sot brezat WBO, WBA, IBF, IBO kanë një pronar të ri.

Joshua zhvillonte takimin e tij të parë në territor amerikan dhe ishte favorit i madh, ndaj një rivali jo fort të njohur, i cili edhe fizikisht nuk dukej se frikësonte ndokënd.

Askush nuk priste që Joshua të vuante dhe realisht pritej që sfida të mbyllej para kohe, ndoshta që pas 2-3 raundesh, në favor të britanikut, i cili ka marrë një leksion jete, nga ata që kalojnë edhe “Davidi mund Golinë”.

SHARE