Katastrofa në Kaliforni, i digjet shtëpia ish-misit shqiptar

0
378

Katastrofës së zjarreve në Kaliforni nuk i ka shpëtuar as ish-misi shqiptar Valbona Çoba, e shpallur Mis Fotozhenia e parë, duke zënë vendin e tretë në Miss Albania 1992.

Gazeta “Shqip” online ka mësuar se mamaja e Valbonës, e cila jeton me familjen e saj në Kaliforni, SHBA, (me bashkëshortin amerikan dhe tre fëmijë), ka ndarë një postim të dhimbshëm në “Facebook”, ku shkruan se valës së zjarreve në shtetin amerikan nuk i ka shpëtuar as shtëpia e vajzës së saj.

“Vetëm mbrëmë, kjo ishte shtëpia e vajzës sime të shtrenjtë Valbona Çoba, që gumëzhinte nga të qeshurat, lojërat e tre engjëjve të saj, tre perëndive të miat. Ndikuar nga zjarret në Los Angeles, luanin si zjarrfikësa, të parët nxirrnin fëmijët jashtë, ju thoshnin…një lodër do marrësh vetëm e dil.

Fjetën të qetë në ëndrrat e tyre, se kishin shpëtuar njerëz, fëmije, por mbas mesit të natës u ngritën të tronditur, të detyruar të dilnin shpejt nga shtëpia…nuk morën dot asnjë lodër. Flaka e kuqe po kërcënonte gjithçka njerëzore. Ishte fatkeqësi natyre në të gjitha dimensionet.

Të gjithë qanë, Valbona ishte më e tronditura…po digjej një shtëpi e tërë, vite të tëra të saj si nënë, gjëra të dashura private, kujtime”, – shkruan nëna e ish-Mis Fotozhenia.

Gjithsesi ajo e mbyll postimin, duke thënë se rëndësi ka që të gjithë janë mirë me shëndet. Deri tani, zjarret në Kaliforni, i kanë marrë jetën 31 personave, ndërsa 228 të tjerë rezultojnë të humbur.

SHARE