Kodra e Diellit vërshohet nga vizitorët e shumtë

0
230

Po i lejnë makinat me kilometra larg qendrës së skijimit, me që nuk ka parkingje të mjaftueshme në Kodrën e diellit. Një javë pas fillimit të sezonit dimëror, reshjet e borës dhe dielli vezullues ka bërë që të mbushet përplot ky resor turistik në Malësinë e Sharrit.

Vizitorët thonë se natyra ka bekuar këtë vend, por është lënë në harresë nga autoritetet shtetërore. Ile kujton që dekada më parë infrastruktura ka qenë më e rregulluar se tani.

“Vij në këmbë se nuk na lënë të ngjitemi deri lart me veturë, kam ecur mbi 1,5 km. Këtë që e shohim është më keq se sa para 20 vjetësh, pse nuk ka parkingje, këtë nuk e di”, tha Ile Trajkovski, Qytetar.

Përveç borës dhe diellit, teleferikët janë faktori i tretë që e gjallëron këtë qendër të skijimit. Turistët thonë që kjo nuk mjafton pasi që fluksi i shtuar i vizitorëve e pamundëson skijimin në kushte komode.

“Është hera e parë që po vij këtu, mirë nuk është keq, por sot paska shumë kallaballëk. Këtu ka më shumë njerëz, por edhe parregullsi dhe e kemi pak problem për të zhvilluar skijimin”, tha Mirlinda Qazimi, Turiste.

“Këtu vijmë shpesh, sa herë që ka borë vijmë këtu edhe pse e kemi më afër Brezovicën. Qendra e skijimit në Kosovë nuk është edhe aq mirë, andaj në Kodrën e diellit vijmë se kushtet janë më të mira dhe çmimet janë më të volitshme”, tha Aldon Sadiku, Turist.

Qytetarët thonë se është mëkat që kjo bukuri natyrore mos të mund të shfrytëzohet me kapacitet të plotë. Madje vizitorët të ardhur nga rajoni thonë se ky atraksion i rrallë në Ballkan nuk është aq i preferuar nga turistët, me që kushtet e akomodimit dhe ato infrastrukturore nuk janë të favorshme.

“Para së gjithash vijmë për natyrën e bukur, e për skijim kush sa të mundet. Kushte ka por ende mungojnë, asgjë nuk është ndryshuar prej kur se e mbajmë mend për këtë resor, kështu që investimet gjithmonë janë të mirëseardhura, kurse natyra këtu është fantastike”, tha Gorijan Ugrinski, Qytetar.

“Sa i përket Maqedonisë, mund të them se Kodra e diellit është më mirë se në Mavrovë, por me vendet tjera nuk mund të krahasohet. Vetëm organizimi është i dobët për shkak të fëmijëve kur rrëshqasin duhet më tepër të ketë që mos të lëndohen”, tha Xhuli Gashi-Fetai, Tursite.

Pritësit e vizitorëve thonë se çdo fundjavë kjo qendër turistike është e stërmbushur nga vizitorët jo vetëm nga vendi por edhe nga rajoni. Ata shprehin keqardhje që turizmi në Kodrën e diellit vlon vetëm gjatë fundjavave. Sipas afaristëve dhjetë fish më e madhe është kërkesa e turistëve se sa kapacitet për pranimin e tyre në këtë qendër skijimi.

“Për infrastrukturën e kam patjetër të them se është në gjendje katastrofale në Kodrën e diellit. Shteti këtu nuk ka investuar asnjë gozhdë këto 30 vjetët e fundit. Ne si afaristë shpesh kemi mbajtur takime, por nuk kemi asnjë bashkëpunim me kompaninë ELEM Turs. Gjithçka zhvillohet më vështirësi, kurse të gjithë afaristët këtu kanë investuar shumë kapital”, tha Zharko Nedelkovski, Afarist.

Kolonat e gjata të veturave qëndruan të bllokuara deri në orët e pasdites në rrugën që të çonte drejt Kodrës së diellit. Patrulla të shumta policore në pamundësi të organizonin trafikun nuk lejonin të shkohej më veturë më lartë.

SHARE