Si mund të funksionojë Qeveria pa Srpska-n? Këto janë opsionet

0
197

Partnerëve qeverisës PDK-AAK-Nisma-AKR dhe partive tjera të vogla, nga sot iu është larguar Lista Serbe. Ky vendim i tyre erdhi pas diskutimit që zhvilluan me presidentin serb Aleksander Vuçiq, si rrjedhojë e ngjarjeve të djeshme të arrestimit të Marko Gjuriqit. Por, si mund të funksionojë Qeveria e udhëhequr nga Haradinaj pa Listën Serbe
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë sot pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë se do ta vazhdojë punën, përkundër se Lista Srpska është larguar nga koalicioni qeveritar. Ai ka thënë se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje dhe ka shpjeguar arsyet.

Sipas tij, nëse ministrat e Listës Serbe largohen nga Qeveria, atëherë duhet të zëvendësohen me ministra të tjerë te cilët përfaqësojnë komunitetin serb.

“Nëse këta ministra vijnë jashtë deputetëve të Listës Serbe, emërimi i ministrave të rinj patjetër duhet të bëhet në konsultim me këtë subjekt politik, pasi kërkohet miratim formal prej anës së tyre. Në të kundërtën vendet e tyre mund të mbesin vakant, por që në asnjë rrethanë kjo nuk nënkupton se Qeveria duhet të shpërndahet nëse nuk ka përfaqësim të komunitetit serb”, është shprehur Krasniqi.

E rëndësishme, siç thekson ai, është që atyre të ju ofrohet e drejta kushtetuese dhe pastaj është në dorën e tyre nëse dëshirojnë ta shfrytëzojnë këtë të drejtë apo jo.

“Situatë tjetër është nëse Lista Serbe largohet prej Kuvendit. Nëse asnjëri prej kandidatëve për deputetë të këtij subjekti nuk e dëshiron postin e deputetit, atëherë ulëset e tyre ndahen te kandidatët e subjekteve tjera politike që kanë garuar në zgjedhje dhe janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin serb”, bën të ditur ai.

Pastaj, Krasniqi thotë se emërimi i ministrave bëhet në konsultim me grupin e ri parlamentar që mban ulëset e garantuara.

Për Express-in, më herët e sqaroi gjithë këtë situatë edhe analisti politik Ramush Tahiri. Ai tha se Qeveria “Haradinaj” nuk do të rrëzohet nga pushteti as pas largimit të Listës Serbe nga koalicioni.

“Qeveria bie, nëse kryeministri jep dorëheqje, ose përmes mocionit, ku duhen 40 nënshkrimet pra 61 vota. Qeveria mund ta vazhdojë funksionin ani pse s’i ka 61 vota sepse thirret qeveri e pakicës. Sepse LDK-ja e VV-ja nuk i mbledhin 40 nënshkrime për ta rrëzuar qeverinë, atëherë ajo e vazhdon punën deri në fund të mandatit.

Nëse nuk i kanë 61 për me rrëzu, atëherë një çështje e tillë s’mundet. Variant tjetër është Qeverisë me ju bashku deputetë të tjerë, p.sh. këta të pakënaqur ose deputetët individualë”, sqaron ai.

Tjetër variant, Tahiri tha, është nëse në Kuvend do të ketë deklaratë që nuk e rrëzojnë Qeverinë dhe se kjo është Qeveri e pakicës që negocion çdo pozicion të saj e çdo ligj.

Marko Gjuriq u arrestua dje nga Policia e Kosovës pasi ai veproi kundërligjshëm duke hyrë ilegalisht në veri të Mitrovicës.

SHARE