Si nisi Konflikti i vitit 2001 dhe kush ishte dëshmori i parë

0
286

Pjesë nga libri “Dëshmorët e kombit”, shkruar nga historiani Dr. Minir Ademi.
Për luftën e 2001-shit në Maqedoni është folur e shkruar në mënyra të ndryshme. Në këtë libër nuk është synim analiza e luftës, e as ndonjë qasje tjetër e karakterit studimor historik të asaj ngjarjeje. Në të vërtetë ky libër qëmton përciptazi disa nga ato aspekte, por do të thosha nga një qasje më sublime, duke i vënë në epiqendër të vëmendjes pikërisht ata që dhanë më të shtrenjtën. Pra ky libër është një përpjekje modeste për të mos i lënë në harresë dëshmorët shqiptarë në luftën e fundit në Maqedoni dhe për të treguar sadopak biografinë e tyre. Ndofta përmes asaj biografie të shkurtër, do të arrihet deri-diku të hidhet dritë mbi shkaqet, shtytjet dhe motivet e tyre për t’i rrokur armët dhe për t’u përballur me rreziqe të mëdha që u kushtoi me privim nga jeta. Megjithëse ky libër është kryekëput biografi e dëshmorëve, prapëseprapë e rendit do të ishte të ceken disa fjalë për luftën e 2001-shit, fjalë këto që do të ndihmojnë për të hyrë në biografinë e dëshmorëve me njohuri bazë për rrethanat që u krijuan përpara se ata të përcaktoheshin për ta jetësuar idealin e tyre kombëtar.

Ishin katër faktorë që kushtëzuan pashmangshmërinë e kësaj lufte: 1) Kokëfortësia e ashpër e pushtetit maqedonas për të mos i përfillur kërkesat legjitime të shqiptarëve, nënçmimi i shqiptarëve në të gjitha sferat, përpjekjet perfide për margjinalizimin e tyre, inskenimi dhe improvizimi i situatave ku shqiptarët viheshin të mbështetur për muri, diskriminimi dhe dhuna sistematike ndaj tyre. Rasti i Gostivarit, Bit Pazarit, Radolishtës, Reçicës së Vogël etj, miratimi i Kushtetutës maqedonase pa i përfillur fare shqiptarët, nënshkrimi i marrëveshjes në mes kryetarit maqedonas Boris Trajkovskit dhe kryetarit serb Vojisllav Koshtunica për kufirin në mes Maqedonisë dhe Kosovës, pastaj vrasja e të riut Muzafer Xhaferit më 16 shkurt 2001 (që konsiderohet si datë e fillimit të konfliktit të armatosur) 2) Servilizmi, vasaliteti dhe poltronizmi i partive politike shqiptare, të cilat në parashtrimin e kërkesave të popullit ishin mjaft qyqare. Për t’i ruajtur kolltuqet e tyre asnjëherë nuk u kërcënuan seriozisht me lëshimin e qeverisë e parlamentit, nuk organizuan protesta, greva e demonstrata paqësore, si forma legjitime të presionit demokratik. Elektoratit para zgjedhjeve i premtonin shumë, kurse pas tyre merreshin ekskluzivisht me interest e ngushta partiake. Me të drejtë ish-komandant Askeri, ushtari më i vjetër i UÇK-re, plaku 73 vjeçar Ramazan Bajrami në intervistën dhënë Lobit më 15 prill 2002, nr. 61 ka deklaruar: ‘Hiç pa luftë do të kishim fituar sikur partitë shqiptare ta kishin bërë punën e tyre’, e jo të merrnin guximin të thonë për luftëtarët e UÇK-re: “Qeni i keq e sjell ujkun në torishtë” 3) Neglizhenca e faktorit ndërkombëtar karshi trysnisë pasive politike, injorimi i kërkesave të shqiptarëve, mosreagimi i faktorëve vendimmarrës botëror ndaj faktit se shqiptarëve në Maqedoni, pushteti i ashtuquajtur demokratik ua hoqi edhe të drejtat që dikur i gëzonin edhe në komunizëm 4) Vullneti, elani dhe atdhetarizmi i madh i disa luftëtarëve trima, të cilët nuk i lejuan pushtetit maqedonas ta kalojë vijën e kuqe të përdhosjes dhe nëpërkëmbjes së skajshme të nderit kombëtar shqiptar. Falë shpirtit të tyre të madh, pala maqedonase u detyrua të ulet në tryezën e bisedimeve, ta pranojë atë që as nuk e imagjinonte dhe të nënshkruajë një dokument me garanci ndërkombëtare.

Me fjalë tjera shkurt, punohej intenzivisht në drejtim të eskalimit të situatës. Me gjasë dikujt mund t’i ketë konvenuar lufta, gjë që u vërtetua pas daljes së zërave nga kreu qeveritar dhe Akademia Maqedonase e Shkencave për ndarjen e Maqedonisë. Hyrja e UÇK-re në rrethinat e Shkupit, në Haraçinë në verën e vitit 2001 simbolizonte një kundërshtim të çdo oferte për ndarjen e Maqedonisë. Zaten këtë pozicion të UÇK-re e qartëson edhe komunikata e 31 majit dhe 7 qershorit.

Një nga bazat kryesore të Deklaratës së Prizrenit në maj të 2001, që shënoi edhe bashkëpunimin e partive politike shqiptare me UÇK-re ishte se ‘nuk mund të pranohej një zgjidhje e problemit në bazë territorial etnike dhe se çdo përpjekje për të arritur një ndarje etnike të territorit, do të dëmtonte qytetarët e Maqedonisë dhe do të kërcënonte paqen në rajon.

Lufta e 2001-shit, nuk ishte luftë ndëretnike mes popullit shqiptar dhe maqedonas, por në mes pushtetit maqedonas dhe një pjese të revoltuar shqiptarësh, që vendosën t’i përgjigjen zjarrit me zjarr. Pra fillimisht provokuan forcat policore maqedonase, pastaj ato hasën në rezistencë të armatosur gjer në eskalim të gjendjes. Ishte kjo luftë skajshmërisht e pabarabartë me pushtetin, i cili nuk respektonte as armëpushimet dhe as konventat ndërkombëtare të luftës, duke shkelur kështu edhe të drejtat elementare njerëzore.

Dita-ditës lufta merrte kahje serioze dhe përmasa alarmante, ku më së shumti pësonte popullata civile shqiptare e pambrojtur. Rrjedhimisht ndodhën edhe shumë raste tragjike e rrënqethëse, që alarmuan faktorin ndërkombëtar, i cili ‘e ka zor’ të reagojë pa parë gjenocid ose masakër mbi fëmijë, gra e pleq (siç ishin Srebrenica, Vukovari, Reçaku, Luboteni, Sllupçani etj). Kështu ofanziva maqedonase në fund të qershorit 2001 për ta rimarrë Haraçinën, i ndërlikoi marrëdhëniet ndërmjet qeverisë dhe publikut të saj, duke ulur vlerën e udhëheqësve maqedonas në sytë e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë (,sepse sulmi u ndërmor thuajse menjëherë pas qëndrimit të shefit të politikës së jashtme të BE në Shkup Havier Solanës). Pas dështimit të qeverisë për ta arritur fitoren e premtuar me forcë ushtarake, opinioni u zemërua dhe e shprehu këtë me protesta antiqeveritare dhe antiperendimore. Më në fund ishte komuniteti ndërkombëtar ai, i cili u detyrua t’ia shpëtojë imazhin qeverisë maqedonase, duke i bindur luftëtarët e UÇK-re për t’u tërhequr nga Haraçina. Pra palës maqedonase iu imponua Marrëveshja e Ohrit, me të cilën komuniteti ndërkombëtar deshti t’i vë fundin luftës së 2001-shit. Në këtë mënyrë, në saje të gjakut të dëshmorëve, të luftës së lutëtarëve të UÇK-re dhe trysnisë ndërkombëtare, pala maqedonase pranoi që të avansohet statusi politik i shqiptarëve në Maqedoni.

Me anë të këtij libri duam që simbolikisht t’u dalim hakut, atyre që dhanë jetën për këtë që u arrit në Maqedoni. Besoj se ia kam arritur që të pasqyroj në mënyrë dinjitoze flijimet më sublime të trimave të UÇK-re. Lavdi u qoftë!

MUZAFER XHAFERI (01.04.1980 – 16.02.2001)

Muzafer Xhaferi lindi më 01.04.1980 në fshatin Tanushë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Prindërit e tij (babai Veliu e nëna Tahire) kishin nëntë fëmijë: Ajetin, Muamedin, Muzaferin, Faikun, Burimin, Rexhijen, Qamilin, Nailin dhe Muzaferin, i cili ishte fëmija i tretë. Qysh kur ishte i ri tek ai dalloheshin shumë tipare pozitive. Ishte ambicioz në jetë, djalë zellmadh për punë dhe i frymëzuar me dashuri të madhe për komb e atdhe.

Ndonëse i ri, u caktua në detyra të ndryshme ushtarake. Mirëpo një ditë për një moment befas u kthye në familje. Gjatë bisedës me rrethin e ngushtë familjar u shpreh se e preokuponte problemi i një revoleje, se nuk ishte diçka në rregull. Mirëpo i vëllai i tij Muamedi pohon se disa herë e kishin provuar atë revole dhe se ajo dukej në gjendje normale.

Paskëtaj Muzaferi qëndroi për pak kohë në familje. I shikoi të gjithë radhazi dhe dhimbshëm një nga një. Për një moment kërkoi nga anëtarët e familjes t’ia bëjnë një kafe. Pothuajse pa e pirë kafën gjer në fund, kërkoi t’ia sillnin rrobat.

I njoftoi të gjithë anëtarët e familjes se kishte vendosur të bëhej gati për t’ju bashkëngjitur radhëve të UÇK-së. Prapë për herë të dytë i shikoi anëtarët e familjes me një shikim përmallues. Muamedi rrëfen se në ato momente i ishte drejtuar me fjalët: “Vëlla ec se të presin shokët”! Muzaferi për një çast sikur u shtang në prag të derës së shtëpisë për ta hedhur vështrimin e tij lamtumirës para se të dilte në vijën e frontit. Ishte ky shikimi i tij i fundit, shikim ky që anëtarëve të familjes do t’u mbetet përherë në kujtesë. U nis duke marrë me vete këshillën e babait të tij në formë urdhri: “Ec bir se shokët të presin, ti ke marrë mbi supe detyra ushtarake”! Kështu Muzaferi u përshëndet me të gjithë anëtarët e familjes një nga një. Shkëlqimi i syve të tij tregonte se ajo ishte ndarja e fundit me të. Ata sy po ndaheshin nga njerëzit e dashur për t’u ndeshur ballë për ballë përmes grykës së pushkës me ngulfatësin e lirisë, me atë që mbjellte plumba mbi tokën e përgjakur…Me duart e tij, shkrepi zjarr mbi vrastarët, të cilëve ua tregoi më së miri pritjen shqiptare ndaj sulmuesve.

Muzaferi u bë dëshmori i parë i luftës. Ai ishte i pari që vuri në shërbim të lirisë veten e tij.

Muamedi tregon kujtimin e fundit të Muzaferit. Ai gjithnjë gjatë bisedave përsëriste shpesh amanetin e tij që edhe po të vdiste në luftë të mos e qanin. Dëshira e tij e madhe ishte t’i godiste ata që kishin ardhur të nëpërkëmbnin nderin e kombit. Ai e kishte pasion t’u shkaktonte atyre humbje të mëdha. Madje ai kishte dëshirë të zjarrtë ta shpaguante veten me dorën e vet. Për këtë shkak siç përcjell i vëllai, ai me ngulm i kishte kërkuar komandant Hoxhës (nga Tanusha) që me çdo kusht t’i jepte leje për të hapur i pari zjarr kundër forcave policore-ushtarake maqedonase. Megjithatë komandant Hoxha kishte refuzuar për shkaqe taktike dhe i kujton me nostalgji ato momente. Mirëpo Muzaferi vazhdimisht e shtronte kërkesën e njëjtë dhe pandërprerë lutej përmes radiolidhjes që t’i plotësohej dëshira e tij e vetme. Dhe më pas komandant Hoxha kishte pranuar kërkesën dhe dëshirën e fundit të Muzaferit. Të nesermen gjatë luftimeve sporadike Muzaferi u vra, mbylli sytë përgjithmonë, duke vënë trupin e tij si tullë të parë në kalanë e lirisë që po ndërtohej. Sipas Feri Arifi Muzaferi ishte i flaktë të hyjë në frontin e Kosovës. Ai kujton se si është përpjekur ta pengonte realizimin e këtij qëllimi, për faktin se i dukej ende i ri dhe i papërgatitur për luftë, duke e mbajtur me shpresë se një ditë do t’i ndihmojë të depërtonte në luftën e Kosovës.

“Mirëpo këtë dëshirë nuk ia plotësova”, – shton ai, duke kujtuar se si pas mbarimit të luftës së Kosovës Muzaferi i ishte drejtuar me fjalët: “Baca Fer kurrë hallall nuk ta bëj se ti më ke mashtruar dhe dëshirën nuk ma ke plotësuar”. Mirëpo dëshira e tij u plotësua në luftën e Tanushës. Tani bashkëfshatarët e tij ndjehen krenarë që dëshmorin e parë e kanë nga fshati i tyre.

SHARE