Zbardhen negociatat e fshehta mes ushtrisë serbe dhe NATO-s: Si u kërcënuan gjeneralët e Millosheviçit

0
149

Sekreret e pathëna të çlirimit të Kosovës: pjesa e tretë e dossierit ekskluziv që hedh dritë për ngjarjen më të madhe për shqiptarët në shekullin XX

Sot TemA Javore vijon me pjesën e tretë të dossierit mbi sekretet e çlirimit të Kosovës. Në këtë material vijon publikimi i negociatave mes kryekomanantit të NATO-s dhe njerëzve me uniformë të Sllobodan Millosheviçit përpara përfundimit të luftës. Në mënyrë të plotë dalin në dritë dokumentet e 20 vjetëve më parë, duke cituar literalisth protagonistët e kohës. Zenun Çelaj Vijon nga Numri i Kaluar Gjenerali Uesli Klark: Jo, nuk jemi pajtuar. Është e sigurt se nuk jemi pajtuar.

Edhe unë kam menduar se jemi marrë vesh, por jo. Është dashur të shqyrtohet i tërë dokumenti, sepse ai dokument nuk ka asgjë të karakterit politik.

Dokumenti përmban atë për çka është arritur ujdi më herët. Këtë dokument e ka miratuar parlamenti juaj, e ka pranuar edhe kryetari juaj.

Koloneli Negovan Jovanoviq: Shikoni, gjeneral, dokumenti përmban gjithashtu edhe udhëzimet për mandatin dhe për strukturën e forcave, për definimin e të cilave çështje është absolutisht kompetent KS i OKB-ve.

Gjenerali Uesli Klark: Kjo nuk është e vërtetë. Në nivelin politik për këtë çështje ka pasur marrëveshje dhe unë dua që ekipit tuaj t’i jepni instruksione ta pranojë atë mandat. Për këtë kemi folur, por kjo duhet të shqyrtohet sot. Një gjë e tillë është kërkuar para arritjes së marrëveshjes për tërheqje.

Koloneli Negovan Jovanoviq: Po, zotëri, nëse pajtohemi se mandati dhe struktura e forcave të sigurisë është në kuadër të kompetencave të KS të OKB-ve, pse atëherë ta shqyrtojmë këtë problem. Gjenerali Uesli Klark: Sepse, mënyra se si duhet të bëhet kjo mekanikisht, është që KS i OKB-ve ta mbështesë atë që kemi pranuar ne.

Ta lejojë këtë, kjo është mënyra se si kryhet kjo punë. Koloneli Negovan Jovanoviq: Shikoni, zotëri, ne nuk mendojmë se mandati është problem teknik. Kjo është absolutisht çështje për të cilën duhet të marrë vendim KS i OKB-ve, ndërsa ajo për çka jemi ne të autorizuar të flasim është plani operativ i forcave ushtarake apo, thënë në mënyrë më precize, përcaktimi i fillimit të tërheqjes së njësive, me qëllim që të ndërpriten bombardimet.

Gjenerali Uesli Klark: Fillimi i tërheqjes nuk mund të përcaktohet para se të definohet paraprakisht mandati i forcave. Sepse, kur t’i ndërpresim bombardimet, ju duhet të tërhiqeni dhe, kur të tërhiqeni, ne duhet të shkojmë aty pas jush.

Dhe, marrëveshja për këtë duhet të arrihet sot. Do të vazhdojmë bombardimet derisa të mos aprovohet dokumenti Koloneli Negovan Jovanoviq: Gjeneral, shikoni, posa ta përcaktojë KS i OKB-ve mandatin dhe strukturën e forcave, ato forca do të mund të hyjnë në territorin e Kosovës. Gjenerali Uesli Klark:

Jo, jo! Kështu nuk do të ndodhë. Ju, do të punoni sot bashkë me ne në definimin e mandatit dhe të strukturës së forcave, e pastaj do t’i dërgojmë ato në KS të OKB-ve për miratim. Nuk do të lejojmë që këtë ta bëjë KS i OKB-ve, sepse në atë rast nuk do të jemi në gjendje t’i ndërpresim bombardimet. Koloneli Negovan Jovanoviq: Zotëri, duke e rishikuar marrëveshjen, shoh se në të nuk është thënë asgjë për mandatin dhe për strukturën e forcave.

Fillimi i tërheqjes do të jetë ai që do t’i ndërpresë bombardimet. Na lini, pra, të punojmë në përcaktimin e kohës kur do të fillojnë njësitë e tona të para të tërhiqen, me qëllim që kjo të mund të verifikohet, ndërsa ju… Gjenerali Uesli Klark: … t’ju lejojmë ta përfundoni tërheqjen, dhe mund të tërhiqeni nëse doni, por ne do të vazhdojmë me bombardimet derisa të mos përcaktohet struktura e atyre forcave dhe nuk do të jemi në gjendje t’i ndërpresim bombardimet përderisa të mos aprovohet ai dokument.

Koloneli Negovan Jovanoviq: Zotëri, në fund do të thosha diç për parimet për të cilat është arritur ujdi dhe që janë aprovuar. Nuk është thënë asgjë për strukturën e forcave dhe as për mandatin e tyre. Është thënë vetëm ajo se, me fillimin e tërheqjes së njësive të UJ-së, do të ndërpriten edhe bombardimet.

Gjenerali Uesli Klark: Gjenerali duhet të pajtohet gjithashtu të pranojë 5 parime sepse, nëse dëshironi ta përcaktoni mandatin dhe strukturën e forcave, atëherë ai duhet t’i pranojë këto parime në prani të forcave ndërkombëtare të sigurisë. Dhe, ai nuk e ka bërë këtë, prandaj bombardimet nuk mund t’i ndërpresim…

Koloneli Negovan Jovanoviq: Por, zotëri, vendimin për praninë e forcave ndërkombëtare të sigurisë duhet ta marrë KS i OKB-ve. Gjenerali Uesli Klark: Jo, nuk është kështu. Kjo vetëm ndodh nën patronatin e KS të OKB-ve. KS i OKB-ve nuk ka autorizime ta bëjë këtë. Në marrëveshje askund nuk thuhet kjo. Në marrëveshje thuhet se kjo duhet të bëhet nën patronatin e OKB-ve, ndërsa vendimin duhet ta marrim ne.

Kjo është njësoj siç vepruam në Dajton. Koloneli Negovan Jovanoviq: Gjeneral, ajo që duam t’ju propozojmë tash është që djelmoshat në terren, grupi i cili po punon në këtë çështje, për të racionalizuar kohën, t’i lejoni të punojnë në planin e tërheqjes. Të gjitha aspektet e tjera do t’i shqyrtojmë pastaj me ju dhe me personat e tjerë. Gjenerali Uesli Klark: Atëherë, aspektet që po i përmendni duhet t’i analizojmë tash dhe menjëherë, sepse sot nuk mund ta kryejmë këtë. Ne duam që bombardimet të ndërpriten sot, ashtu siç e dëshironi edhe ju këtë gjë.

Duhet të merremi vesh për strukturën, në mënyrë që të mund të shkojmë tutje. Prandaj, mandati dhe struktura që do të pranojmë sot, nuk është e thënë që këtë ta bëni tash personalisht përmes telefonit ose që këtë ta bëjnë njerëzit poshtë në terren, por ju mund t’ju thuani që këtë ta bëjnë ata, sigurisht është më lehtë, sepse këtë mund ta bëjnë me faza, ama marrëveshja për këtë duhet të arrihet sot, me qëllim që të punojmë në ndërprerjen e bombardimeve, e pastaj kjo mund të shkojë në Këshillin e Sigurimit.

Koloneli Negovan Jovanoviq: Gjeneral, instruksionet e fundit janë këto: a mund t’ia transmetoni porosinë ekipit tuaj dhe porosia, gjegjësisht urdhri do t’i transmetohet edhe ekipit tonë, që të vazhdojnë të punojnë sipas këtyre parimeve për të cilat jemi marrë vesh. Do t’ju thërrasim më vonë për të biseduar për mandatin dhe për strukturën e forcave. Gjenerali Uesli Klark: Kur do të më thërrisni? Koloneli Negovan Jovanoviq: Nuk e di. Pritni pak, ju lutem. Gjeneral, do t’ju thërrasim pas nja dy orësh.

Gjenerali Uesli Klark: Në rregull. Ekipit do t’i them të vazhdojë punën, por dua që një gjë të jetë e qartë: ne, qoftë poshtë, në terren, qoftë tash përmes telefonit, duhet ta miratojmë pjesën tjetër të dokumentit me qëllim që pastaj të mund të punojmë në verifikimin e fillimit të tërheqjes në të mirë të ndërprerjes së bombardimeve.

Të gjithë ne e dëshirojmë të njëjtën gjë, vetëm duhet të bashkëpunojmë dhe këtë punë ta kryejmë bashkë. Koloneli Negovan Jovanoviq: Mirë, gjeneral, do të punojmë në këtë drejtim dhe do t’ju thërrasim sërishmi. Gjenerali Uesli Klark: Në rregull, pres të më thërrisni.

Falemnderit. Koloneli Negovan Jovanoviq: Falemnderit. Në Kosovë ishte formuar një shtab i veçantë politik, i cili praktikisht komandonte ushtrinë dhe me policinë atje. Shef i atij shtabi ishte Nikola Shainoviqi (asokohe nënkryetar i Qeverisë së RFJ-së), të cilin e quanin Paton, sigurisht sipas gjeneralit amerikan Paton.

Bashkëpunëtori dhe miku shumëvjeçar i Milosheviqit përfaqësonte tezën se problemi nuk ekziston nëse nuk është i pranishëm në media. Po këtë koncept e pranoi edhe Qeveria e Serbisë, me në krye Mirko Marjanoviqin. Regjimit serb nuk i konvenonte internacionalizimi i problemit dhe ky ishte një nga shkaktarët e konfliktit në relacionin Beograd – Uashington…

Në vlug të sulmeve të forcave të NATO-s mbi RFJ-në, Milosheviqi nxori nga mëngët edhe një humbës… është fjala për Aleksandar Bakoçeviqin. Slobodani e shpërbleu atë me gradën e gjeneralmajorit dhe e caktoi në postin e kryeshefit të Drejtoratit për moral dhe për informim. Pra, e caktoi në drejtoratin i cili zhvillonte pjesën propaganduese të luftës kundër agresorit.

Duke përfaqësuar tezën se problemi nuk ekziston nëse atë nuk e sheh media, gjenerali i përmendur angazhohej për shtimin e moralit përmes informimit në stilin “ju bëni çka të doni, neve s’na ha palla”. Nikola Shainoviqi, nënkryetari i atëhershëm i Qeverisë së RFJ-së, ishte dorë e djathtë e Milosheviqit dhe, si i tillë, ishte i pranishëm pothuajse në të gjitha bisedimet që zhvilloheshin përkitazi me krizën kosovare. Nënkryetari Shainoviq: Ka momente të reja.

Tash thirri gjenerali Klark të na thotë se ka probleme me ekipin tonë, sepse ata duan të bisedojnë vetëm për materien e nenit 2, fjala është për planin e tërheqjes, dhe kjo është plotësisht e papranueshme, prandaj duhet të pranohet e gjitha.

Ne i thamë se kjo është e papranueshme për ne, se kjo është punë e padefinuar, etj., ndërsa ai thotë se e din që këtë nuk e ka miratuar Këshilli i Sigurimit, por thotë se ne duhet të pajtohemi me këtë, kurse Këshilli i Sigurimit do ta mbështesë pastaj.

Ne i thamë tri herë: ekipi ynë është i autorizuar të bisedojë për planin e tërheqjes dhe le të mos humb kohë kot, le të punojë me njerëzit tanë në planin e tërheqjes dhe për asgjë më shumë s’kemi se çka bisedojmë tash. Ai pastaj thotë: po, atëherë, unë nuk kam autorizime t’i ndal bombardimet. Ne i thamë se ky është qëndrimi ynë dhe se biseda tjetër pason pas dy orësh.

Ministri Jovanoviq: Ky është qëndrimi ynë, ama duhet të dalim me … (nuk dëgjohet). Nënkryetari Shainoviq: Kam dy propozime. Njëri propozim është të përpiqemi që me riformulime të tekstit të heqim gjithçka që nuk është për këtë tekst…

Tash ne do të mund të theksonim një fjali në preambulë se Jugosllavia do t’i pranojë forcat (që do t’i caktojë) Këshilli i Sigurimit, në pajtim me kartën apo me atë si shkruan në letër… Ai thotë se duhet të dihet struktura. Po, struktura duhet të dihet, por ashtu siç e përcakton Këshilli i Sigurimit, ndërsa Klarku thotë se kjo duhet të përcaktohet sot, sepse nëse nuk përcaktohet sot, atëherë nesër nuk ka ndërprerje të bombardimeve. Ministri Jovanoviq: Duhet thënë se ne nuk kemi autorizime ta përcaktojmë strukturën. Nënkryetari Shainoviq: Ne ia kemi thënë atij të gjitha këto dhe ai e ka shumë të qartë se ne kemi të drejtë, por se ai ka urdhër tjetër.

Domethënë, ne duhet të organizohemi menjëherë për konfrontim me atë urdhër. Ai ka urdhër sigurisht të dalë para opinionit dhe të thotë se Jugosllavia nuk e ka pranuar fletën e parë të këtij dokumenti, pra tërheqjen e trupave, ndërsa tërheqjen e trupave ata e kanë futur në midis të këtij dokumenti…

Ne i kemi thënë Klarkut se njerëzit tanë, që janë poshtë, janë të autorizuar të punojnë në planin e tërheqjes. Ju lusim që t’i jepni urdhër njerëzve tuaj që edhe ata të veprojnë kështu. Të gjitha pyetjet shtesë që keni ju, nuk duhet ta ngadalësojnë punën rreth planit për tërheqje. Ministri Jovanoviq: Le ta hartojnë tanët një dokument të shkruar. Nënkryetari Shainoviq: Jo, këtë nuk mund ta bëjmë. Nuk mund t’i stërngarkojmë njerëzit tanë poshtë.

Një gjë të tillë do të duhej ta bënim ne këtu, sepse ata ata janë munduar që nga mëngjesi e deri më tash dhe kanë ardhur deri këtu.

Pra, ne nuk dimë akoma për asnjë problem nga plani për tërheqje… të thuhet se ata po na kushtëzojnë neve, pra ata po e kushtëzojnë ndërprerjen e bombardimeve, jo me atë që është përcaktuar, ndërsa është përcaktuar plani për tërheqje dhe tërheqja e kontigjentit të parë, jo me këtë, por ata na kushtëzojnë të miratojmë strukturën e njësive ku fare nuk përmenden Kombet e Bashkuara, ku komanda e NATO-s është udhëheqje politike e Paktit Veriatlantik e të tjera, dihet se çka shkruan atje, dhe kjo është përmbysje skandaloze e marrëveshjes. Ministri Jovanoviq: U tha, u bë.

Nënkryetari Shainoviq: Kam dy propozime. Njëri propozim është të përpiqemi që me riformulime të tekstit të heqim gjithçka që nuk është për këtë tekst…

Tash ne do të mund të theksonim një fjali në preambulë se Jugosllavia do t’i pranojë forcat (që do t’i caktojë) Këshilli i Sigurimit, në pajtim me kartën apo me atë si shkruan në letër… Ai thotë se duhet të dihet struktura. Po, struktura duhet të dihet, por ashtu siç e përcakton Këshilli i Sigurimit, ndërsa Klarku thotë se kjo duhet të përcaktohet sot, sepse nëse nuk përcaktohet sot, atëherë nesër nuk ka ndërprerje të bombardimeve.

Ministri Jovanoviq: Duhet thënë se ne nuk kemi autorizime ta përcaktojmë strukturën. Nënkryetari Shainoviq: Ne ia kemi thënë atij të gjitha këto dhe ai e ka shumë të qartë se ne kemi të drejtë, por se ai ka urdhër tjetër.

Domethënë, ne duhet të organizohemi menjëherë për konfrontim me atë urdhër. Ai ka urdhër sigurisht të dalë para opinionit dhe të thotë se Jugosllavia nuk e ka pranuar fletën e parë të këtij dokumenti, pra tërheqjen e trupave, ndërsa tërheqjen e trupave ata e kanë futur në midis të këtij dokumenti…

Ne i kemi thënë Klarkut se njerëzit tanë, që janë poshtë, janë të autorizuar të punojnë në planin e tërheqjes. Ju lusim që t’i jepni urdhër njerëzve tuaj që edhe ata të veprojnë kështu. Të gjitha pyetjet shtesë që keni ju, nuk duhet ta ngadalësojnë punën rreth planit për tërheqje.(TemA Javore)

SHARE