HAPJA E SHKOLLËS PRIVATE NË GJUHËN SHQIPE NË SLLATINË

HAPJA E SHKOLLËS PRIVATE NË GJUHËN SHQIPE NË SLLATINË

Si gjithkund ndër trojet shqiptare, ashtu edhe në Sllatinë, nevoja dhe dëshira e zjarrtë për t’u arsimuar apo për të pasur shkollën shqipe, ishte po aq e madhe sa edhe nevoja dhe dëshira përgjëruese për lirinë. Përpjekjet dhe sakrificat e popullit tonë për realizimin e këtyre aspiratave ishin konsistente. Populli ndjente fuqinë e dijes, andaj e kërkonte atë duke paguar edhe me çmimin më të lartë dhe më sublim. Patriotët dhe arsimdashësit që u vunë në shërbim të dëshirës së përflaktë për të pasur shkollë e edukim në gjuhën shqipe, u ballafaquan me rreziqe të mëdha në hapërimin e tyre, e disa nga ata sakrifikuan edhe veten.

Njeriu më meritor që nuk hezitoi për të realizuar ëndrrën gëluese për të pasur shkollë shqipe, apo për të mbjellur farën e gjuhës shqipe, padyshim është hoxha i fshatit, Osman ef. Abdullah.

Për rastin e themelimit të shkollës në gjuhën amtare në Sllatinë, më së pari duhet kuptuar rrethanat shoqërore politike të kohës, të cilat favorizuan çeljen e saj.

Do të kridhemi pakëz në histori…

Meqë më 17 qershor të vitit 1912 qeveria e Sait Pashës ua lëshon vendin liberalëve, për të cilën edhe cekëm më sipër, kryengritësit shqiptarë parashtruan disa kërkesa (peticion) me një program prej 14 pikësh*, në mes të cilave edhe pika (kërkesa) për Mësimin e lirë të gjuhës shqipe dhe organizimi i shkollave private shqipe. Qeveria turke, e gjendur nën presione të shumanshme, e sidomos nga frika se mos përhapet kryengritja edhe në vendet tjera nën Turqinë, u pajtua të pranojë 14 pikat e parashtruara të kryengritësve shqiptarë (në përjashtim të vetëm dy pikave: 1. që kishte të bënte me kthimin e armatimit të konfiskuar dhe 2. gatishmëria, përkatësisht mosgatishmëria për të dënuar dy qeveritë pararendëse të xhonturqve).

Duke marrë parasysh pikat të cilat kanë të bëjnë me “lejimin e hapjes së shkollave private në gjuhën shqipe”, Osman Abdullahi, si një personalitet i cili njihte mirë rrethanat e krijuara të kohës, në kushtet e pamundësisë për ndërtimin e ndonjë objekti – shkollë, ku do të shërbente për mësimin në gjuhën “e nënës” të vogëlushëve sllatinasë (por edhe të fshatrave përreth), ai adaptoi një dhomë në shtëpinë e përbashkët me kushërinjtë e tij.

Prandaj, kjo gjendje nuk do të ndikojë te efendiu që ai të “vajtonte” situatën e të humbte kohën mjaft të çmuar. Ëndrra e tij, patjetër të realizohej, përkundër gjendjes së vështirë ekonomike e sociale: “Një mashën me kashtë do të ndërtoj, vetëm fëmijët shqip t`i mësoj” , do të citonte ai Rexhep Vokën, dhe do të shtonte:

“Buk` e krejp du ham, gjene, e po t` rojm` në k`solla,

Për talebe, si kejt dunjaja, t`bojm mektep` e shkolla.”

Kështu, i frymëzuar nga shkrimet e Vokës, nga njëra anë, e duke ndjerë gjendjen e rëndë ekonomike e sociale në anën tjetër, Mulla Osmani ishte konsistent dhe me vullnet të fortë për të bërë diç për popullin e tij, pa marrë parasysh situatën e krijuar nën këto kushte e rrethana, duke porositur katundarët: ”Do t’vijë nji kohë, ku buk’ e gojës, nuk do të fitohet vetëm me shat, por edhe me shkollë e kalem”…

Letër** e shkruar nga Osman Abdullahi me alfabetin turko-osman

Pretendimet e Osman Abdullahit për çeljen e shkollës private në gjuhën shqipe, jo vetëm që nuhateshin nga bashkëpunëtorët që e nderonin dhe kishin besim në konsistencën dhe zotësinë e tij, por, hapi i tij ndiqej edhe me dozë dyshimi dhe injorohej nga shumë njerëz të mashtruar, e, që, në mënyrë të verbër u bënin “temenara” me plot elozhe krerëve “religjiozë”, të cilët pretendonin se ndiqnin rrugën e “Zotit” dhe “qitapet” e shenjta, dhe që shumica prej tyre nuk kishin as ndjenjën minimale kombëtare.

Hoxha, sido që të “pandehej” nga njerëzit e profesionit të tij të bukës, ai kishte pasionin dhe vizionin e tij të qartë. Mund të thuhet se ai ishte “shumë para kohës”, që, shumica dërmuese e popullatës, jo vetëm sllatinase, por edhe më gjërë, as që e kishin të qartë konceptin e kohës dhe hapësirës ku jetonin. Ai do t`i qëndrojë konsekuent idealit të tij; do të ndiqte “yllin polar në horizont…” madje, do të provojë edhe praktikimin e

*Nga këto 14 pika,6 prej tyre do t`i cekim në vijim: 1. Mësimi i lirë i gjuhës shqipe dhe organizimi i shkollave private shqipe në vendet ku ka popullatë shqiptare; 2.Kthimi i armatimit të konfiskuar nga qeveritë e mëparshme; 3.Amnestia e përgjithshme e të gjithë pjesëmarrësve në kryengritje; 4.Dënimi i dy qeverive të mëparshme të turqëve të rij; 5.Punësimi i administratorëve shqiptarë në krahinat ku dominojnë ata (eprorë që njohin gjuhën dhe zakonet e shqiptarëve); 6.Shqiptarët kudo që jetojnë, të bëjnë shërbimin ushtarak në vendin e tyre…

**Letra e përkthyer nga Ef.Harbin Jonuzi ka këtë domethënie: “Kujtim nga rinia ime,Mësusi,Osmani i biri i Haxheres,13.10.1926.

pikasej” nga “argatët” e Padishahut, të cilët kurrë nuk derdhën as një pikë energjie në dobi të kombit e të çështjes kombëtare në përgjithësi, që në shumë raste kur gjenin “qemallin”, sidomos në drekat dhe darkat që organizonin njerëzit e thjeshtë e të varfër (në emër të ceremonive fetare, si mevlude e hatme,etj.) nga 10 herë i shtinin në xhehnem e 9 herë e nxirrnin nga ky Ferr.

S`dinin tjetër veç “dersit” me gjuhë të farmakosur që vjellte vetëm lemeri e frikësime mbi popullatën edhe ashtu të molisur e të raskapitur nga sundimi i huaj. Në çdo takim të kësaj natyre, populli apo turma e pafajshme “qerasej” me zjarr e flakë, që do ta gjente në botën tjetër të Xhehnemit.

Këto dumatje e shantazhe përplot horrore e terrorizime, dhe shumë tmerre e ndëshkime tjera psikologjike, që topitnin gatishmërinë e po këtij populli të pashkolluar për të çuar kokën lartë për të parë botën me sytë dhe të rezononin me trurin e tyre, Mulla Osmani, jo vetëm që nuk i gjente në fjalorin e tij të ligjërimit me njerëzit e thjeshtë, por ai e luftonte aq sa mundej këtë “retorikë frikësuese”, me të cilën ligjëronin disa shërbyes fetarë, si në Sllatinë, por edhe më gjërë.

Në vorbullën e këtij mentaliteti të krijuar në popull, Efendiu i Madh duhet të merr hapin e guximshëm për ndryshimin e kësaj mendësie. Vetëm me “edukimin e mendjes, me dritën e fiqirit, njeriu do të sheh dhe do të shkojë përpara,” do të thotë teologu i shquar. Mendja e robëruar nga fanatizmi dhe botëkuptimi i mykur, nuk mund të rrezatojë dritë e mençuri. Dritë e mençuri përhap shkolla, arsimi, dituria dhe feja e pastër me njerëz të ditur e të arsimuar. Prandaj, arsimimi duhet të fillojë nga fëmijët, sepse të moshuarit (të moçmit) më “kanë shartu shtrembër…” Prandaj, një njeri më mirë të jetë fare i pamësuar, sesa i mësuar keq”…

Për këtë arsye,ai u thoshte njerëzve që kishte besim:

“Buk` e krip` du ha

se vak`t me hup nuk ka

nji shkollë da kavetoj

e caullët ship di mcoj…”

Sido që të jetë, kushtet objektive e materiale janë faktorë të cilët mund të kapërcehen, diku me më pak e diku me më shumë peripeti e angazhim, por beteja me paragjykimet predominante që kishin trullosur shumë koka të bashkëfshatarëve të vendbanimit ku jeton, të zhytur deri në fyt në ujërat e pista të injorancës, ishte shumë, shumë e vështirë…

Këtë fakt Hoxha e dinte shumë mirë, por ai nuk zbrapste hapin në davaritjen e tisit të zi të skëterrës që po pllakoste mbi popullatën rezidente të provincës ku jetonte edhe vet. Përkundër këtyre barrierave, Mullai nuk do të dorëzohet, i mblodhi disa fëmijë (përkatësisht: 7* ) për t’i mësuar në shkollë – shtëpi (sidomos fëmijët e prindërve që kishte raporte të ngushta dhe që bashkëpunonte).

NXËNËSIT QË KANË MËSUAR NË SHKOLLËN E OSMAN ABDULLAHIT:1.SADIK BEQIR ASANI (1903), 2.ISLAM ZENDEL IDRIZI(1903), 3.ABDULLAH SELIM ABDULLAHI (1903), 4.HAKI PAJAZIT IBISHI (1904), 5.RAMIZ IDRIZ IDRIZI (1904), 6.JUSUF PAJAZIT JUSUFI (1903) , 7.SALI MAHMUT SALIHI (1902)


Shkolla fillore në Leshkë, ku është edhe Osman Ef. Abdullahi.

Fotogafi e vitit 1932

Kështu, mësuesi i përkushtuar për mësimin e fëmijëve në gjuhën amtare, nuk do të lejojë t`i ik nga “bebëza” dielli që Ai shihte në horizont. Sa për kushtet teknike, ai vet do të adaptojë një dhomë – klasë në shtëpinë e përbashkët për krejt familjen Abdullahi. Me bashkëpunëtorët e vet të ngushtë që kishte (Mulla Beqirin, Asan Çaushin, Mulla Ferikin, etj.),

Ai e pasuroi “klasën” me një dërrasë të zezë, 1×2 m. (katrorë) të përforcuar në mur, në të cilën shkruante me shkumës të kuq prej qeremideje. Edhe puna e fshisave “llasa” (partall) për pastrim që i siguronte Hoxha, nuk paraqiste problem, madje as ulëset (shkëmba) për vogëlushët që akomodoheshin e ndiqnin me admirim mësuesin e tyre, nuk do të sjellnin kokëçarje, sepse sensi dhe vullneti i Hoxhës dhe ndjekësve të tij për mësim e dije që dukej si aurorë në kokën e mullait, ishte i fortë, mu si Kepi i Hutit në Sharrin e lashtë, dhe me këtë do të demolonte e do të shembte edhe fortesën e gjykimeve të parakonceptuara, që ishin çmërsuar në kokat e mykta të disa njerëzve, e prej të cilëve disa pretendonin bile edhe se janë “të k`nushëm”.

CATEGORIES
Share This

COMMENTS

Wordpress (0)
Disqus (0 )