RËNDËSIA E FAMILJES NË PERSPEKTIVËN ISLAME

RËNDËSIA E FAMILJES NË PERSPEKTIVËN ISLAME

Bashkim Aliu

PROLOG
Trajtimi i një problemi nga këndvështrimi Islam, nënkupton referimin në burimet primare dhe unanime të të drejtës islame, Kur’anin dhe traditën profetike, gjegjësisht nxjerrjen e argumenteve nga tekstet e këtyre dy burimeve për t’i mbështetur tezat, vlerësimet dhe përfundimet për çështjen në fjalë. Më pas, vinë në shprehje krahasimet, analogjia dhe analiza e teksteve të ndryshme. Në këtë konsiston metodologjia islame e kërkimit shkencor.

Së këndejmi, pozitën e familjes në këndvështrimin islam do ta trajtojmë duke u thirrur në tekste të këtyre dy burimeve, dhe vlerësimi ynë për pozitën dhe rolin e familjes, do të ndërtohet pikërisht mbi reflektimin e këtyre dy burimeve për çështjen në fjalë.

Ndërkaq, familja është definuar si “një grup njerëzish të bashkuar nga lidhjet fisnore, pjestarët e rritur të cilit kanë përgjegjësinë e kujdesjes për fëmijët” (Giddens, 2004:371).

E drejta islame e trajton mirëqenien e njeriut në tre nivele:atë individual, familjar dhe shoqëror. Për këtë, ka siguruar dispozita për mbrojtjen dhe zhvillimin e njeriut në të tre nivelet e përmendura dhe, kjo tregon se islami e sheh zhvillimin e njeriut si tërësi dhe në mënyrë të barasvlershme reflekton me mësimet dhe dispozitat e veta në të tre nivelet për të dokumentuar se islami ka qasje gjithpërfshirëse për jetën dhe rrjedhat shoqërore.

Së këndejmi, interesimi gjithpërfshirës i të drejtës islame për jetën e njeriut duke vënë instruksione të përgjithësuara a të detajuara, në kulm të interesimit të vet e ka vënë jetën familjare, e që mbështetet në dispozitat e detajuara të cilat u referohen jetës familjare, gjë që nuk është rast me asnjë sferë tjetër të jetës shoqërore (En-Nexhar, 2005:68).


POZITA E FAMILJES NË ISLAM

Për të sqaruar pozitën e familjes në Islam, do të thirremi në disa tekste nga burimet autoritative islame, që besojmë se do të jenë dëshmi e mjaftueshme për qasjen që i bëhet familjes në mësimet islame.
-Fillimi i gjinisë njerëzore: Për dallim nga teoria evolucioniste, mësimet islame pohojnë se gjinia njerëzore ka filluar prej familjes, gjegjësisht i gjithë njerëzimi kanë prindër, baba dhe nënë, Ademin dhe Havanë. Edhe përskaj asaj se Zoti është i gjithfuqishëm dhe ka patur mundësi që të krijoj një numër të madh njerëzish, vërehet se ka qenë caktim i Zotit që të krijoj fillimisht një mashkull dhe një femër, të cilët i bën bashkëshortë, dhe pastaj prej këtyre dy bashkëshortë, përmes rrugës së njohur të lindjes, të lindin fëmijë e të vazhdoj jeta dhe gjinia njerëzore.

Fakti që vetë Zoti vendosi që shumimi i gjinisë njerëzore të bëhet përmes familjes, dhe forma e parë e zanafillës së njerëzimit të jetë pikërisht familja, flet qartë për pozitën e familjes në kënvështrimin Islam.

Kjo, ngase fetarisht është e njohur maksima se Zoti në çdo vendim dhe përcaktim të Tij ka një urtësi, e edhe zhvillimi i gjinisë njerëzore nga një familje, gjegjësisht familja e Ademit, babait të njerëzimit, tregon për urtësinë e Zotit në theksimin e vlerës dhe pozitës së familjes. Në Kur’an thuhet:<< O ju njerëz!Kinie frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqën) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burra shumë e gra.Dhe kinie frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin (akraballëkun), se Allahu është mbikëqyrës mbi ju (1)>>.

Komentatori bashkëkohor i Kur’anit, Sejid Kutub, përkitazi me këtë ajet ka nënvizuar:”Ky ajet aludon edhe në atë se baza e jetës njerëzore është familja. Ka qenë vullnet i Zotit që kjo gjini në tokë të fillojë me një familje. Fillimisht e krijoi një shpirt, pastaj prej tij e krijoi bashkëshorten e tij, dhe kështu u formua një familje prej dy bashkëshortëve…

Sikur të kishte dashur Zoti, në fillim do të krijonte shumë meshkuj dhe femra dhe do t’i bashkonte mes veti, ashtu që do të bëheshin familje të ndryshme që në fillim, pa patur mes tyre farefisni…por deshi Zoti që gjinia njerëzore të fillojë prej një familje…Nisur nga kjo, shihet kjo përkujdesje e madhe ndaj familjes në sistemin islam…”(Kutub, 1993:574).

Me këtë rast, është me rëndësi të nënvizohet fakti se në këtë ajet përmendet edhe gruaja, që është tregues se gruaja në Islam ka rol thelbësor e jo anësor, si që tentohet të manipulohet shpesh herë në opinion. Po në këtë kuptim, edhe në një ajet tjetër kur’anor tregohet gjeneza e njerëzimit nga një familje, gjegjësisht nga familja e Ademit, duke krijuar në këtë mënyrë një klimë tolerance dhe mirëkuptimi mes popujve. Në Kur’an qëndron:<<O ju njerëz, Ne ju kremi krijuar nga një mashkull dhe një femër, dhe ju kemi bërë popuj e fise që të njiheni mes vete. Dijeni se vërtet ma i ndershëm te Allahu, është ai që më së tepërmi e ka droe Atë. Vërtet, Allahu është i gjithëdijshëm , i informuar për çdo gjë (13) >>

Familjet e përmendura në Kur’an: Në drejtim të theksimit të pozitës së familjes në Islam, vlen të përmendet edhe ajo se në Kur’an janë përmendur disa familje, si:familja e Ibrahimit. Familja e Imranit, familja e Davudit etj. Në Kur’an qëndron:<<Allahu e zgjodhi (pejgamber) Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit, familjen e Imranit mbi popujt tjerë (të asaj kohe) (33) Që janë pasardhës njëri prej tjetrit.Allahu dëgjon gjithçka dhe i di të gjitha (34)>>.

Kështu, përmendet Ibrahimi dhe djali i tij Ismaili, Davudi dhe Sulejmani, Jakubi dhe fëmijët e tij, etj. Pra, Kur’ani i ka përmendur familjet e këtyre njerëzve të zgjedhur, që tregon për rëndësinë që ka familja në mësimet islame.

Të dërguarit e Zotit, njerëz familjar: Mesazhi i Zotit tek njerëzit nuk ka ardhur në ndonjë formë magjike, por përmes rrugës natyrore të të deleguarve, gjegjësisht mesazhi hyjnor u ka ardhur njer[zve përmes të dërguarve të Zotit të cilët janë njerëz të zgjedhur nga Zoti për ta kryer këtë funksion madhështor. Në tekstet fetare bëhet thirrje që të dërguarit e Zotit të merren shembull nga popujt e tyre, ngase ata janë dërguar që të jenë bartës të emsazhit dhe në të njejtën kohë të jenë edhe shembull që do të ndiqen nga njerëzit. Po qese analizohet biografia e tyre, do të shihet se ata kanë qenë njerëz familjar, gjegjësisht kanë patur familje, fëmijë dhe bashkëshorte, bile martesa dhe formimi i familjes, nga aspekti fetar, koncipohet si ligj i të dërguarve të Zotit.

Në Kur’an qëndron:<< Ne dërguam edhe para teje të dërguar dhe atyre u mundësuam të kenë gra e fëmijë. Asnjë të dërguari nuk i takoi të sjellë ndonjë mrekulli vetëm me lejen e Allahut. Për secilin afat ekziston evidencë e caktuar (38) >>. Po ashtu, Kur’ani flet për tër të dërguar të Allahut të cilët janë lutur për familjet e tyre, si dhe e kanë falënderuar Zotin që ju ka falur fëmijë dhe familje. Ja si e përshkruan Kur’ani lutjen e njërit nga të dërguarit e Zotit, Ibrahimit, paqa e Zotit qëftë mbi të: <<

Falënderimi i qoftë Allahut, i Cili në pleqëri më fali mua Ismailin dhe Is-hakun! Vërtet, Zoi im dëgjon dhe i përgjigjet lutjes (39) O Zoti im! më bën mua nga ata që falin namazin, e edhe prej pasardhësve të mijë dhe pranoje lutjen time o Zoti ynë! (40) Zoti ynë! më fal (gabimet) mua edhe prindërve të mi, fali edhe të gjithë besimtarët ditën kur jepet llogaria (41)>>. Në këtë kontekst, duhet përmendur edhe fakti se Islami aq sa i kushtoi kujdes familjes, jo vetëm që e bëri tipar të të dërguarve të Zotit, por edhe e ndaloi murgërinë dhe ndalimin nga martesa.

Adhurimi sipas mësimeve islame, assesi nuk nënkupton distancim nga familja dhe jeta intime me bashkëshorten, bile lidhjen intime legale me bashkëshorte e konsideroi formë të adhurimit marrë parasyshë dobitë e shumta që vijnë prej kësaj, si:vazhdimi i gjinisë njerëzore; largimi nga lidhjet ilegale intime me femra që janë amoralitet; mbrojtja e nderit të njeriut; vënia e lidhjeve familjare mes njerëzve, etj. Transmetohet se i dërguari i Zotit, Muhamedi, paqa dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:”Martesa është tradita ime, e kush largohet nga tradita ime, nuk është në rrugën time”.

CATEGORIES
Share This

COMMENTS

Wordpress (0)
Disqus (0 )